9 Shkurt, 2023 - 1:07 pm
Në vitin e 10-të të themelimit, Rezidenca për shkrimtarë e përkthyes letrarë “POETEKA – Tirana in Between” do të vazhdojë të sjellë në kryeqytetin shqiptar, emra të shquar autorësh nga Europa dhe rajoni, edhe gjatë vitit 2023.
Një ndër shkrimtaret e para që mbërrin këtë vit është Sladjana Nina Perković (1981), një gazetare franko-boshnjake dhe autore e vlerësuar e prozës fiction, tregime dhe romane. Pas përfundimit të studimeve për Shkenca Politike në Paris (Panthéon-Sorbonne – Univ. Paris 1), ajo punoi kryesisht si korrespondente lajmesh për mediat në ish-Jugosllavi, por kontributi i saj është bërë ii njohur ndërkombëtarisht përmes paraqitjes në shumë media europiane të lajmeve, si “The Guardian” apo “Today”.
Pa lënë mënjanë gazetarinë, Sladjana Nina Perković i është kushtuar në mënyrë të posaçme karrierës së saj si shkrimtare. Në pesë vitet e fundit ajo ka botuar përmbledhjen me tregime “Kuhanje” dhe romanin “U jarku”. Vërejmë se “U jarku” u rendit për çmimin e lartë letrar NIN 2021 dhe për çmimin e mirënjohur “Meša Selimović “. Ky roman u vlerësua si prurja speciale e EUPL 2022 (The European Union Prize for Literature – Çmimi i Bashkimit Europian për Letërsinë).
Sladjana Nina Perković jeton, punon dhe shkruan mes Banja Lukës dhe Parisit. Në verën e vitit 2023 ajo do të qëndrojë një muaj në Tiranë, si mike në Shtëpinë e Shkrimtarëve, mbështetur nga TRADUKI, falë bashkëpunimit që Ministria e Kulturës së Shqipërisë ka përmes QKLL dhe realizuar nga POETEKA./atsh/ KultPlus.com