“Zullulandia” në Teatrin Eksperimental, 4 net shfaqje mbi motivet e veprës së Konicës

22 Maj, 2025 - 4:45 pm

“Zullulandia” është produksioni i Teatrit Kombëtar Eksperimental që do të shfaqet për publikun në datat 22, 23, 24 dhe 25 maj, në ArTurbina.

Shfaqja bazohet mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe vjen me regji dhe dramatizim të Endri Çelës, interpretuar nga aktorët: Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti.

“Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës, “Zullulandia” është plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar.

Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Evropa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lavdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’u hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Evropës ndaj Zullulandisë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme