Vlora Konushevci, fituese e konkursit ‘Poezi për Paqe’ nga KultPlus dhe UNWomen

6 Nëntor, 2019 - 10:03 pm

Qendrim Badalli

Ora shënonte 19:00 kur hapësira e KultPlus Caffe Gallery ishte e stërmbushur. Disa qirinjë të vendosur në tavolinën kryesore të ngjarjes dhe shiu që po binte jashtë i krijuan kushtet tipike për një mbrëmje poetike. Ngjarja nuk ishte e vogël, ishte finalja e top dhjetëshes më të mirë të zgjedhur nga juria profesionale në kuadër të konkursit “Poezi për Paqe” të organizuar nga KultPlus dhe UN Women, shkruan KultPlus.com.

Ardianë Pajaziti, drejtoresha e KultPlus-it, fillimisht ka falënderuar bashkëpunëtorët kryesor në këtë organizim.

“Dëshiroj ta falënderoj përfaqësuesen e UN për përkrahjen e tyre në këtë konkurs kaq të rëndësishëm që ka përfshirë gra dhe vajza nga të gjitha pjesët e Kosovës.

Pajaziti ka thënë se një meritë të madhe e ka edhe juria në këtë organizim si dhe ka folur për karakterin multietnik që i ka dhënë këtij konkursi aplikimi i një poeteje serbe.

“Pjesë të këtij konkursi kemi pasur edhe një poete të komunitetit serb që e bënë edhe më të larmishëm këtë konkurs. Falënderoj jurinë që ka bërë një punë shumë të madhe dhe me përkushtim me kryetar Sali Bashotën, Agron Gashin dhe Jeta Zymberin”.

Tutje, Pajaziti e ka kujtuar edhe takimin e saj me poetet para natës së sotme, të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery.

“Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme takimi me poeteshat qoftë me ata që janë më me emër qoftë me atë që po ndërtojnë tash karrierë”

Përfaqësuesja e UN, Ulrika Ricardson, ka thënë se përmes këtij organizimi, po vërehet se poezia nuk ka vdekur.

“Ashtu siç edhe u tha, në kohën kur kemi menduar se poezia po pëson rënie, po vdes, përmes këtij organizimi tashmë po e shohim se ajo është me ne”.

Ricardson ka folur edhe për karakterin e paqes, e cila nuk ekziston vetëm në nivelet e larta por edhe mes njerëzve.

“Paqja nuk është vetëm çështje mes shteteve apo kombeve por edhe çështje mes njerëzve mes grupeve të ndryshme në shoqëri”.

Pas përfundimit të fjalimeve kryesore, gjithçka ishte gati që ngjarja të vazhdonte me dhjetë poetet e këtij konkursi të cilat njëra pas tjetrës, interpretuan poezitë e tyre. Publiku ndezi telefonat për të fotografuar e incizuar poezitë më të mira në një konkurs me një konkurrencë jo të vogël. Pas çdo interpretimi pasonin duartrokitjet e të pranishmëve. Dhe kështu deri në përfundim të ngjarjes e cila kulmoi me shpërndarjen e mirënjohjeve dhe bërjen publike të tre vendeve të para.

Vendi i parë shkoi për Vlora Konushevcin, vendi i dytë për Tinka Kurtin si dhe vendi i tretë për Alketa Spahiun, përjashtuar Tinka Kurtin e cila po mungonte fitueset e kësaj ngjarjeje dhe top dhjetëshja e zgjedhur pranoi mirënjohjet nga Arbër Selmani, i cili njëherësh po moderonte në këtë mbrëmje.

Fituesja Konushevci, ka thënë se ndihet e nderuar për marrjen e çmimit të parë në këtë organizim.

“Është hera e parë që kam konkurruar me ndonjë konkurs të poezisë dhe jam shumë e nderuar për çmimin. Dua shumë të falënderoj edhe KultPlusin edhe UN Women për këtë organizim edhe jurinë për vlerësimin e çmoj shumë”.

Ajo ka treguar edhe për arsyet se pse ka vendosur ta shkruaj këtë poezi.

“Paqja ka shumë dimensione por unë kam vendosur ta trajtoj paqen nga këndvështrimi i luftës meqë në luftë i kam bërë 18 vite dhe përjetimi ka qenë tjetër në këtë moshë. Mendoj se në Kosovë shumë pak shkruhet për luftën dhe unë qëllimisht e kam zgjedhur këtë temë”.

Kjo mbrëmje poetike vazhdoi tutje me një koktej rasti që ishte përgatitur ku të pranishmit po i shkëmbenin përshtypjet e tyre. Pa asnjë dyshim, ky organizim më një pjesëmarrje shumë të madhe dhe cilësore të poeteve dhe me një publik të madh po ashtu, do të regjistrohet si njëra ndër netët më të mira të organizuara në hapësirën e KultPlus Caffe@Gallery.

Të ngjajshme