’25 maji tani është 1 tetori’, një libër nga Bardhi Haliti

9 Qershor, 2019 - 9:28 am

Me datë 11 qershor në Prishtinë do të promovohet libri May 25 is now October 1 (25 maji tani është 1 tetori) nga Bardhi Haliti.

“25 maji tani është 1 tetori” është një hulumtim i gjerë në gazetat kosovare të publikuara prej vitit 1974 deri më 2018. Libri dokumenton aktivitetet sportive që u mbajtën në shtatë sallat identike të sportit në shtatë qytete të Kosovës.

Fotografitë janë të prera, zmadhuara, dhe bashkuara në bazë të ngjashmërisë. Koreografia e tillë nuk ka për qëllim që t’i shndërrojë ato në margaritarë apo thesar, por të ndihmojë të gjejmë kuptimin e tyre përtej kuptimit të tyre brenda sallave tanimë të vjetruara të sportit. Përmes përsëritjes, imazhet dhe tekstet shfaqin natyrën multifunksionale të hapësirës së komunitetit në të cilën reflektohen ciklet më madhore sociopolitike dhe kulturore, shkruan KultPlus.

Bardhi Haliti është dizajner grafik dhe hulumtues nga Kosova. Ka punuar si dizajner i pavarur në New York dhe Prishtinë para se të merrte titullin Master nga Werkplaats Typografie në Arnhem në vitin 2014.

Ka qenë dizajner grafik rezident pranë Jan van Eyck Academie në Maastricht gjatë viteve 2015-16. Në vitin 2011 Haliti bashkë-themeloi REDO, një eveniment ndërkombëtar i dizajnit grafik në Prishtinë, dhe nga viti 2013 është drejtor i programit i REDO. Jeton në Amsterdam.

Promovimi do të bëhet në KINO ARMATA prej orës 20:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme