60-vjetori i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

27 Qershor, 2023 - 12:34 pm

Viti 2023 shënoi 60-vjetorin e romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, librit që i dha famë botërore shkrimtarit Ismail Kadare, duke shitur mbi 6 milionë kopje.

Shtëpia “Studio Kadare” Tiranë dhe Muzeu “Kadare” Gjirokastër, organizuan me rastin e këtij përvjetori, një takim letrar në shtëpinë e shkrimtarit Kadare, të kthyer në muze. Ishte një takim frymëzues me plot të pathëna mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u botua në vitin 1963, në Tiranë. Një vit më herët, Kadare e kishte botuar edhe në formën e një tregimi, të cilin e përpunoi dhe e solli në formën që njihet sot.

Vepra është përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke i dhënë shkrimtarit njohje në arenën ndërkombëtare. Gazeta nga më prestigjiozet kanë bërë recensione për të, por “Le Monde” e Parisit e ka futur në listën e 100 librave më të mirë të shekullit XX.

Vepra ka frymëzuar edhe disa regjisorë, të cilët kanë realizuar filma artistikë bazuar mbi romanin më të famshëm të Kadaresë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme