95 vjetori i vdekjes i revolucionait të letërsisë shqipe Andon Zako Çajupit

11 Korrik, 2025 - 3:39 pm

Andon Zako Çajupi, (27 mars 1866 – 11 korrik 1930), ishte poet i shquar, veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar. Andon Zako Çajupi lindi në Sheper të Zagorisë. Jetoi dhe vdiq ne Egjipt. Mbiemri i tij i mesem i vërtetë ishte ÇAKO mirepo per arsye te panjohura me kohe i mbeti ZAKO.

Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë.

Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro.

Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

Vepra letrare e Çajupit njihet si ndër të parat vepra satirike me botimin e “Baba Musa Lakuriq”. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratike dhe fryma popullore në brendi dhe në formë, Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Përrallë nga e kaluara”.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara, Pas vdekjes dhe “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë./ KultPlus.com

Të ngjajshme