Ag Apolloni sqarohet: Në Kosovë, Mesjeta nuk ka mbaruar

28 Shkurt, 2019 - 8:07 pm

MESJETA NUK PASKA KALUAR
(Sqarim nga Ag Apolloni)

Për shkak të reagimeve agresive të disa kolegëve dhe për shkak të titujve bombastikë të mediave, dua të jap një sqarim. 
Kohëve të fundit kemi parë mjaft njerëz, që sapo kanë dhënë një deklaratë, kanë dalë me demantim, nga frika e sulmeve të shumta. Nuk ka nevojë ta them që unë s’do ta demantoj vetveten, për dy arsye: e para, sepse nuk jam si ata që e lëshojnë fjalën si lopa baglën; e dyta, sepse s’më frikësojnë kërcënimet. 
Deklarata ime në promovimin e sotëm të librit “Mesjeta ime”, se “Institutit të Albanologjisë i mungon vetëm minarja”, nuk është deklaratë e thatë, por është bindje e bazuar në fakte (në një rast tjetër, do t’i them të gjitha). Unë isha duke folur për konceptin “genius loci”, për mungesën e një fryme lokale dhe fryme kulturore (që janë koncepte mitike dhe filozofike me të cilët merret gjithë bota e qytetëruar), dhe thashë që vendi ynë është vend i pafrymë, tokë e shkretë, tokë e vdekur. Këtë e thashë me shumë shqetësim, sepse më dhemb kur e shoh si e kemi shkatërruar vendin tonë. Me atë rast, përmenda edhe Universitetin që s’ka arritur të krijojë frymë kulturore dhe Institutin Albanologjik që, në vend se të jetë qendër kulturore, është kthyer në çerdhe fetare. Unë nuk mendoj se duhet t’u japim frymë fetare institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore, ashtu siç nuk mendoj se duhet t’u japim ngjyrë shkencore objekteve fetare. Feja dhe shkenca, pushteti dhe institucionet fetare, janë ndarë menjëherë pas Mesjetës, por, siç po e shoh nga reagimet ofenduese (që po m’i dërgojnë miqtë), në Kosovë Mesjeta nuk ka mbaruar. Kjo do të thotë që me librin tim ia paskam qëlluar. 
Faleminderit. 
Ag Apolloni

Të ngjajshme