Akademia e Shkencave e Shqipërisë: Leximi, shoqëruesi më i mirë në këto ditë pandemie

23 Prill, 2020 - 9:30 pm

Kryesia e Akademisë së Shkencave uron sot, në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, gjithë njerëzit e punës mendore, të gjithë ata që kanë privilegjin fisnik të krijuesit dhe krijimtarisë.

E caktuar në nderim të ditës së ndarjes nga jeta të dy gjenive të letërsisë, Shekspirit dhe Servantesit, sot në gjithë Botën 23 prilli festohet si dita e studiuesve dhe e shkrimtarëve, dita e projektuesve dhe e vlerave origjinale krijuese.

“Urojmë njëherësh të gjithë ata që e duan leximin, që i shijojnë kumtet e shkruara, që prej papirusit deri tek e-Book, që prej dorëshkrimit deri tek teleshkrimi. Autori, libri dhe lexuesi janë një trini e pandashme, që si e tillë bën të ekzistojë krijimtaria. Në ditën e pranimit në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike të Francës akad. Ismail Kadare pati thënë: “Vepra ime është shkruar në kushte burgu. Nëse kjo “bukë burgu” është e shijshme për ju që keni jetuar dhe jetoni në liri, për mua kjo është një kënaqësi e madhe”.

“Le të na kujtojë kjo thënie e shkrimtarit dhe akademikut tonë sa e sa vepra janë shkruar në kushte izolimi, deportimi, karantine; në kushte të mungesës së lirisë, që këto javë pandemie të nxisin autorësinë për krijime e studime të reja. Le të çmojmë gjithashtu se në këta muaj të vështirë libri dhe lexuesi janë afruar dhe miqësuar aq shumë dhe se leximi sot është shoqëruesi më i mirë i tij”, thekson Akademia e Shkencave.

“Sipas programit të Akademisë së Shkencave dhe protokollit të bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sot në mjediset tona duhej të hapej një ekspozitë e librit akademik. Veprat më cilësore të anëtarëve të dy akademive dhe të bashkëpunëtorëve të tyre do të paraqiteshin për një publik të interesuar. Shprehim keqardhjen që, për shkak të pandemisë, këtë kënaqësi do ta kemi në një datë tjetër, deklaron Akademia e Shkencave.

“Mendja e Njerëzimit sot është impenjuar për të gjetur zgjidhjen e përballimit dhe zmbrapjes përfundimtare të pandemisë. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më e afërt do të jetë koha që libri, autorët dhe autorësia të gëzojnë si në kuptimin simbolik që ka dita e sotme, Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e së Drejtës së Autorit”. /KultPlus.com

Të ngjajshme