Kosova

14 Tetor, 2021 - 11:38 am

Bilal Xhaferri njihet si shkrimtar, disident, botues dhe aktivist shqiptar. Sot, më 14 tetor shënohet 35 vjetori i vdekjes së tij, shkruan KultPlus.

U lind më 1935 në fshatin Ninat afër Konispolit. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, duke marrë dy klasë në një vit, më 1948 u largua për të gjetur punë në Sarandë si korrier. Rreth viteve 1962-1963 boton poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, Ylli”. Më 1966 i botohet vëllimi me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” që pati një sukses jo të zakonshëm. Më 1967 i botohet vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, por nuk u vu kurrë në qarkullim. Po atë vit konkurroi me romanin “Krastakraus” në konkursin letrar të mbajtur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi. Ky roman do të botohej në vitin 1993.

Më 1968 shkroiskenarin për film artistik “Era shtyn mjegullat”. Prej 1974 deri më 1986 drejtoi, botoi dhe redaktoi revistën “Krahu i shqiponjës”, ku botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike, etj. Kjo revistë ishte tribunë e mendimit të lirë që trajtonte vazhdimisht temat e problematikat e çështjes çame, çështjes kombëtare shqiptare, temat rreth diktaturës në Shqipëri e, mbas vitit 1981, më dendur problemet lidhur me Kosovën.

Në faqet e revistës Bilali përveç krijimeve të tij letrare botonte edhe krijimtari letrare e përkthime të autorëve të tjerë shqiptarë e të huaj. Ai arriti të nxirrte 39 numra të kësaj reviste, në dy gjuhë, shqip e anglisht.

Sot, në në përkujtim të këtij poetit të njohur të letërsisë shqipe, KultPlus sjell njërën nga poezitë më të fuqishme të tij, që mban titullin ”Kosova”.

Me ndarje dhe nënndarje gjeografike
Me ndarje dhe nënndarje historike
Kosova
Qe nga ujrat e kulluara të Ohrit
Deri në errësirën e minierave të Mitrovicës
Që nga brigjet e kaltra të Ulqinit
Deri në Qelekullen e në fushën e Nishit
Kosova
Fushë e begatshme me fruta e grunore
Që bie erë pranverës e tëra lule molle
Kosova me male kreshnike
Male të zhveshur me pisha e bredhishte
Që e rrahin qiellin me krahë shqipesh
Qe e dehin diellin me aromë rrëshire
Qe e ndezin qiellin me zbardhëllime dëbore
Kosova
Krahinë shqiptare që në fillim të saj
Tokë e Manastirit
E Prizrenit
E Plavës dhe e Gucisë
Tokë e legjendave legjendare të Gjergj Elez Alisë
Kosova
Legjendë e mbetur në rrugëkryq të historisë
Kosova
Gjithnjë ashtu si gjithnjë
Me dhëmbë të shtërnguar e me shpirt ndër dhëmbë
Kosova
Ku shqiptarët flasin një gjuhë dhe dëgjojnë dy gjuhë
Kosova gjithnjë ashtu./ KultPlus.com

Të ngjajshme