Albulena Blakaj, sjellë gjurmët e gjeniut gjerman në kulturën shqiptare

5 Shkurt, 2018 - 4:00 pm

Gili Hoxhaj

“Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, është libri më i ri i studiueses Albulena Blakaj, i shtypur nga Shtëpia Botuese “OM”, shkruan KultPlus.

Libri e sjellë një gjigant letrar, të një kulturë letrare të jashtëzakonshme dhe pranohet në gjirin e një vendi e populli të vogël. Kësisoj, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u bë edhe promovimi i tij mes shumë miqsh të studiueses dhe atyre që e duan librin.

Ky libër monografik është i ndarë në gjashtë pjesë, në të cilat e sjellë shkrimtarin e madh gjerman Johann Wolfgang von Goethe në kultura të ndryshme, por e veçanta e këtij studimi është se përmes këtij libri, gjejmë përballjen e shkrimtarit në kulturën shqiptare, duke nxjerrë në pah kapacitetin e gjuhës shqipe e përkthyesve shqiptar për t’u përballur me kryeveprat e kësaj figure të njohur botërore.

Për ta sjellë sa më të plotë këtë monografi, autorja Albulena Blakaj ka përkthyer, analizuar e komentuar shumë nga puna e studiuesve të huaj e shqiptar lidhur me këtë figurë, ndërsa puna e saj ishte bazuar edhe në hulumtimin e arkivave të ndryshme. E qëllimi i krejt kësaj vepre ka qenë nxjerrja në pah e pranisë së këtij shkrimtari në kulturën shqiptare.

Shkrimtari Ag Apolloni, në këtë promovim lexoi recensionin e tij me titull “Gjurmët e gjeniut”. Ai e quajti librin e Blakaj si monografia më e madhe shqiptare e shkruar sipas metodës gjermane të receptimit. Ai tha se rëndësia e librit të Albulena Blakaj, është jo vetëm në rezultatet që sjellë por edhe për shtigjet që hap për studimin e kësaj figure.

“Është një kërkim mbi gjurmët e gjeniut gjerman në kulturën shqiptare. Ky kërkim mbi fenomenin Goethe, i bërë sipas metodës integrale argumenton interesimin e përkthyesve, studiuesve e shkrimtarëve dhe lexuesve shqiptar për veprën kolosale të autorit gjerman”, tha Apolloni, i cili shtoi se ky studim jo vetëm që mbush vakuumet tona në studimet tona por edhe nderon letërsinë dhe kulturën tonë me rezultatet që sjellë.

Apolloni, tutje shtoi se ky studim realizohet si sinkretizëm metodash kritike për ta sjellë të plotë portretin e autorit që krijoi konceptim e letërsisë dhe u bë pastaj njëri nga përfaqësuesit e asaj letërsie, krahas Homerit, Dantes dhe Shekspirit. Ai e quajti këtë studim si burim i rëndësishëm, e që nxjerrë në pah përballjen e shqiptareve ndaj studimit të Goethe-së, një qëndrim që herë është më entuziast, herë më racional por gjithmonë adhurues.

“Ky studim përveç informacionit të detajizuar mbi ndikimin dhe recpetimin e veprave të shkrimtarit gjerman, sjellë edhe analiza për veprat e ndryshme të tij nga autorë e përkthyes të njohur shqiptar. Pra, studimi vjen si një kërkim kritik që nënkupton hulumtimin, analizën dhe komentimin. Në këtë mënyrë studimi ka status të dyfishtë, kritik dhe metakritik”, është shprehur profesori Ag Apolloni.

Studiuesi Gëzim Aliu, gjatë promovimit të këtij libri lexoj një recension me titullin “Geothe, edhe i shqiptarëve”, ai sot tha se duhet të jemi të gëzuar që shkrimtari i madh, shkrimtari i njeriut të emancipuar, sot është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar. Aliu shtoi se ky është libër për krijimtarinë e gjeniut gjerman dhe për kulturën shqiptare, që e pranon dhe përpiqet ta përvetësoj.

“Ky është libër ku bëhen analiza tekstesh, krahasime e përkthime tekstesh, e krahasime përkthimesh, konstatime të sakta, pa kapërcyer kurrë në spekulim, ku gjejmë informacion të pasur e evidentim këmbëngulës. Një kombinim metodash nxjerrë rezultate të prekshme, për një lëndë që është e gjerë dhe kërkon jo vetëm guxim intelektual por edhe punë sistematike”, ka thënë Aliu sot në fjalën e tij gjatë promovimit të librit “Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”.

Ai tutje shtoi se qëllimi i monografisë nuk është aspak i lehtë sepse ka të bëj me dy gjuhë, dy letërsi me dy kultura por e dyta është vazhdimisht marrëse dhe pranuese, nganjëherë edhe pranuese e dukurive përparimtare dhe tepër rrallë edhe dhënëse.

Vet autorja e cila ka sjellë një gjigant letrat në një popull të vogël, Albulena Blakaj, falënderoi të gjithë të pranishmit që e bën më të veçantë këtë event, ndërsa nuk la pa falënderuar familjarët, të afërmit e bashkëpunëtoret që e kanë përkrahur në përkushtimin e saj gjatë procesit të këtij studimi./ KultPlus.com

Të ngjajshme