Anton Santori vlerësohet nga studiuesit si themelues i pesë llojeve letrare

28 Gusht, 2019 - 1:31 pm

Bujar Meholli

Në kuadër të Seminarit, sot u mbajt tryeza shkencore për shkrimtarin e shquar arbëresh Anton Santori, i cili 200 vjet më parë iku nga kjo jetë, shkruan KultPlus.

Këtë tryezë shkencore të mbajtur në Fakultetin e Filologjisë, e hapi profesori Osman Gashi, i cili dha një biografi të shkurtër të kësaj figure poliedrike.

“Françesk Anton Santori, lindi në Kozencë pikërisht para 200 vjetëve. Pjesën më të madhe e kaloi si murg. Ai ishte shkrimtar, dramaturg e satirist i njohur. Santori ishte mik i madh i De Radës”, shpjegoi Gashi duke vazhduar “Veprat e tij më të rëndësishme janë ‘Këngëtorja arbëreshe’, ‘E mira’. Santori ka shkruar edhe shumë satira e lirika. Ai është shquar edhe si dramaturg. Drama ‘E mira’ është parekselancë dhe është drama e parë në letërsinë shqipe. Përveçse në dramaturgji, kontribut të madh Santori ka dhënë edhe në folklor”, potencoi profesori Gashi.

Më tej, fjalën e mori profesori Anton Nikë Berisha që bashkë me profesorin e letërsisë Sali Bashotën ishin në panelin e kësaj tryeze.

Profesori Berisha, në ligjëratën e tij e vlerësoi lart kontributin e Santorit, për të cilin tha se është njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj në letërsinë shqiptare, por dhe shkrimtari më i keqkuptuar dhe i copëtuar.

“Ai është themeluesi i pesë llojeve letrare, i romanit të parë shqip, i satirave të para dhe tragjedive të parë, e po ashtu autori i dramës së parë”, tha profesor Berisha. Tutje ai foli gjerë e gjatë për veprën “Këngëtorja arbëreshe”, për të cilën thotë se bashkë me “Këngët e Milosaos” të De Radës dhe “Mili e Hajdhia” të Zef Skiroit, kanë vërë bazën e modernitetit në letërsinë shqipe. Profesori Berisha i vlerësoi shkrimtarët arbëresh në përgjithësi, duke e veçuar Santorin, si shkrimtar të jashtëzakonshëm me sens për të krijuar gjëra të bukura, i ndikuar edhe nga titanët e letërsisë botërore si Françesko Petrarka.

 Me titullin “Në 200-vjetorin e Santorit” u paraqit profesori i letërsisë arbëreshe Sali Bashota, i cili tha se Santori dhe De Rada janë autorë që ndihmuan në zhvillimin e letërsisë shqipe. Në kumtesën e tij, Bashota, trajtoi veprat më të rëndësishme të Santorit duke theksuar se ende ekzistojnë probleme me botimet e veprave të tij, ku herë i ngatërrohen titujt, e herë përmbajtja.

“Santori është nismëtar i dramës dhe romanit të parë”, tha fillimisht profesor Bashota duke u ndalur te drama “E mira”. “Kjo dramë përfshinë gjithë kategoritë njerëzore, të mirën, të keqen, të shëmtuarën, virtytin. Këtu shfaqet antiteza e jetës dhe e vdekjes, apo ku konfigurohen edhe emrat e personazheve, perspektivat e ngjarjeve dhe zgjidhja fatlume siç ndodh në dramë. Ngjarjet ndodhin në mjedisin arbëresh, ku paraqitet ekzistenca e arbëreshëve në koloritin ambiental”, shpjegoi profesor Bashota.

“Santori i përqendron ngjarjet dhe veprimet në kontekstin social e kulturor, duke paraqitur jetën arbëreshe megjithë vështirësitë dhe me fokusin kryesor dashurinë që triumfon”, potencoi ai.

Edhe profesor Berisha edhe Bashota, e çmuan krijimtarinë e Santorit, që u vlerësua si mjaft e arrirë dhe me elemente të dukshme moderne. Ai u krahasua edhe me De Radën. Disa nga veprat e tij kanë ngelur të cunguara, të papërfunduara, ose të panjohura. Rrjedhimisht mbetet punë nga studiuesit që ta sjellin të plotë veprën e këtij autori mjaft të talentuar, kompleks, dhe modern, për lexuesit shqiptarë. /KultPlus. com

Të ngjajshme