Ballsor Hoxha, pjesë e “FICTION FEST”-edicioni i katërt

23 Nëntor, 2021 - 11:11 am

Shkrimtari Ballsor Hoxha do të jetë pjesë e programit të edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”

Ballsor Hoxha është autori dy përmbledhjeve me tregime dhe dy përmbledhjeve me poezi. Njëra prej përmbledhjeve të tij me tregime është përkthyer dhe botuar në Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu, së voni, ka botuar edhe një studim mbi disa vepra të Ismail Kadaresë.

Është një ndër studiuesit më të njohur shqiptar të letërsisë dhe fenomeneve bashkëkohore.

Është autor i njohur në vendet shqiptare me karrierën e tij të shumanshme.

Ka punuar në shkrimin e skenarëve me disa nga regjisorët më të njohur shqiptarë.

Ndër të tjera është edhe kritik dhe studiues i filmit kosovar dhe ndërkombëtar.

Me edukim është profesor i gjuhës, letërsisë dhe kulturës angleze dhe amerikane.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës./ KultPlus.com

Të ngjajshme