Arbër Selmani lexon dhe dhuron libra për të rinjtë e kryeqytetit

7 Shtator, 2023 - 2:28 pm

Poeti Arbër Selmani ka mbajtur dje një tjetër lexim poetik. I ftuar nga organizatorët e Shkollës për Mendim dhe Shkrim Kritik në kryeqytet, ai ka lexuar në ditën e fundit të kësaj shkolle disa prej poezive të tij në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, shkruan KultPlus.

Ngjarja simpatike ka ndodhur në Rezidencën 17 në Tauk Bahqe, ajo që dikur është njohur më shumë si Biblioteka Hivzi Sylejmani. Selmani, si zakonisht në leximet e tij poetike, përkujdeset që edhe të bashkëbisedojë me audiencën dhe t`ju tregojë atyre për motivet e tij poetike dhe për inspirimet që qëndrojnë të fshehura prapa poezive të tij.

Gjatë këtij takimi poetik, autori i ka dhuruar edhe disa kopje të librave të tij për të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje kulturore, në një pasdite të së mërkurës. Mes poezive që Selmani i lexoi në këtë pasdite letrare ishin edhe ‘E kam vendosur burrin në shitje’ dhe ‘I am the main prostitute of this city’, shkruan KultPlus.

Shkolla për Mendim dhe Kritikë organizatohet nga Organizata Pikëpamja në kryeqytet. Qëllimi i shkollës është t’i ofroj të rinjve dhe të rejave mundësi për të marrë aftësi të avancuara me fokus të veçantë në shkrimin dhe mendimin kritik si mjete për tu bërë faktorë ndryshimi në shoqëri e për të adresuar çështje sociale dhe të komunitetit siç janë nevojat, prioritet dhe interesat e rinisë, barazia gjinore, të drejtat e njeriut, jo diskriminimit, ambientit, etj. Gjatë kësaj shkolle, folës para të regjistruarve ishin Aulonë Kadriu, Dardan Hoti, Lura Limani, Dafina Halili dhe Amer Alija. / KultPlus.com

Të ngjajshme