Bajram Lani promovon librin “50 të dielat e Prishtinës”, vjen si një protestë poetike e botës së brendshme

17 Dhjetor, 2023 - 2:30 pm

Era Berisha

“50 të dielat e Prishtinës”, libri i parë me poezi nga gazetari dhe redaktori në RTK-Radio Kosova, Bajram Lani, u promovua sot në hapësirën tashmë të konsideruar si fole e artit dhe kulturës, KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast poezia u bë elementi kyç që i afroi të pranishmit shpirtërisht. Gjithsej pesëdhjetë poezitë janë shkruar gjatë të dielave, diku nëpër kafenetë e kryeqytetit por thelbi që ka secila prej tyre, buron nga ndjesitë e autorit që i ka përjetuar në përditshmërinë e tij, shkruan KultPlus.

Copëzat e Prishtinës të mbledhura si një mozaik, vijnë në një përmbledhje me poezi që autori Bajram Lani ka vendosur t’i promovojë pikërisht në të dielën e 51-të, asisoj që të përkojë me gjithë esencën që është plasaritur edhe në vetë titullin e librit. Të gjitha poezitë, njashtu kanë titullin e njëjtë dhe shpalosin të dielat e autorit. Pra ka qenë një kohë kur secili teksa pi kafe për t’u kthjellur nga gjumi, e kthjell edhe mendjen dhe më lehtësisht i sheh të metat dhe përparësitë, shprehitë dhe dukuritë, të bukurën dhe të shëmtuarën që e karakterizon kryeqendrën e Kosovës. 

KultPlus Caffe Gallery, vendi që i jep zë artit të shkruar dhe fytyrë artit pamor, qe i mbushur nga njëri qosh në cakun tjetër. Dashamirë të librit, autorë, familjarë e po ashtu edhe talentë të rinj, u bënë pjesë e kësaj ngjarje që filloi fiks në orën 12:00. Të gjithë njerëzit ndanë një të diele të tyren për t’iu bashkëngjitur të pesëdhjetë dielave të autorit me prejardhje nga Drenica, Bajram Lani që i ka thur vargje të bukura që i kushtohen tërësisht Prishtinës.

Herë-herë thumbues me satirën e tij, autori na sjell Prishtinën në të gjitha dimensionet e saj. Lexuesi përjeton anën e bukur, të shëmtuar, por edhe të metat që ka vendi, përparësitë që ka vendi. Të gjitha vijnë të bazuara në botën emocionale të autorit, i cili shpreson që edhe lexuesi ta gjejë veten përbrenda vargjeve. Por ai frymëzim ka gjetur edhe nëpër vargjet e shkrimtarëve të njohur shqiptar si: Fan Noli, Naim Frashëri, Migjeni, Kadare e të tjerë.

Në këtë promovim, autori Bajram Lani ishte në panel së bashku me kritikun e letërsisë dhe autorin e disa librave, Arben Veselaj, si dhe recensenten e librit dhe autoren e disa librave, Vera Pelaj.

Fillimisht, fjalën e mori gazetarja Vera Pelaj, e cila tha se autori ka një sy kritik të gazetarit, ku problemet dhe dobësitë e Prishtinës, ndoshta edhe nuk janë nuhatur nga të tjerët.

“Faleminderit të gjithëve për prezencën e juaj. Me Bajramin punojmë tash e disa vite bashkë, përveç që jemi kolegë, jemi edhe miq shumë të mirë. Unë kam qenë vazhdimisht në rrjedha të bërjes së këtij libri, qysh nga poezitë e para që janë të shkruara për këtë libër. Vazhdimisht e kam inkurajuar për ta botuar librin edhe pse pati hezitime, më në fund më dha lajmin e mirë që libri ka gjetur dritën e botimit. Ky libër ka pesëdhjetë poezi kushtuar kryeqytetit dhe janë shumë të veçanta pasi që i kushtohen Prishtinës, qyteti që për shumë njerëz ishte dhe është rilindje”, thotë Pelaj.

Sipas saj, Prishtina është qytet i studentëve, i dashurisë, i politikës, i kulturës dhe për syrin e autorit që po ashtu ka rolin e gazetarit, qyteti ka edhe problematikat e veta.

“Të gjitha problematikat, autori i ka shpreh natyrshëm në vargjet e tij, gjatë të dielave të tij, nëpër kafenetë diku nëpër Prishtinës, nëpërmjet ndjenjës së çastit. Kjo tregon syrin kritik të gazetarit, ku problemet dhe dobësitë e Prishtinës, ndoshta nuk nuhaten. Gjuha në vargje është hibridizuese, gazetareske dhe poetike, ku përdoren figura të ndryshme stilistike. Përmbylljen e librit, autori e bënë me poezinë e pesëdhjetë ku shpreh zhgënjimin përmes figurës së krahasimit në vargjet e strofës së dytë. Por, vargjet e fundit mbajnë edhe një shpresë më vete. Duket se autori është inspiruar nga ‘Mëngjeset në Kafe Rostand’ të Kadaresë, për t’i shkruar poezitë në këtë libër unik”, përfundon ajo.

Ndërsa, kritiku i letërsisë Arben Veselaj ka thënë se të pesëdhjetat poezitë e këtij libri përshkruajnë pesëdhjetë të diela të qeta, por përbrenda tyre ushtin një sfond dramatik.

“Përshëndetje për të gjithë ju. Poezitë e Bajramit, gjithmonë më kanë pëlqyer kur i kam parë në Facebook, sepse rrallë pëlqej gjëra që shkruhen aty. Disa herë nuk kam mundur as t’i kapërcej, pa e bërë ndonjë koment tek poezitë e tij, me qëllim për ta inkurajuar atë për të shkruar tutje”, thotë ai.

Sipas tij, për kohëra të vështira, satira është një lloj ilaçi për shpirtin e njeriut.

“Libri ’50 të dielat e Prishtinës’ është i shkruar me një dorë të lehtë, përmes një shqipe të thjeshtë dhe të këndshme, me një sistem unik frazash dhe figurash stilistike. Autori ka lënë dëshmi se gjuha shqipe është vërtetë gjuha e poezisë. Pesëdhjetë poezitë e këtij libri përshkruajnë pesëdhjetë të diela të qeta, por përbrenda tyre ushtin një sfond dramatik. Poezitë e autorit në këtë libër e kanë muzikën dhe kritikën në një vend; pra, muzikën e një poeti dhe kritikën e një gazetari. Unë qëmoti e kam ndarë mendjen me poetin Ezra Pound, i cili thotë se “Poezia që nuk e ka muzikën brenda, ose nuk është poezi fare, ose është poezi e dobët”. Libri i Bajram Lanit është një tregim satirik mbi një kryeqytet që i përket civilizimit bujqësor. Ai shkruan për Prishtinën e gëzuar, pikëlluar, ngrirë nga akulli, e zhuritur nga vapa, për Prishtinën e sëmurë, për kafenetë, qentë, pëllumbat e kobrat, lypsarët e qeveritarët që ka vendi. Prishtina këtu është metaforë, një vend ku ende ka bagëti që kullosin në skaje të trotuareve dhe profesionistë që në tokë pështyjnë çdo pesë metra. Prishtina është metaforë e një katundi imagjinar ku kanë zbritur të gjitha marrëzitë e Kosovës si dhe metafora e një metropoli imagjinar ku jo rrallë kryhen krime monstruoze”, përfundon Veselaj.

Ai po ashtu bëri të ditur se në këtë libër gjejmë pesëdhjetë poezi të shkruara në tri strofa, me katrena, në vargje dhjetërrokëshe e herë edhe njëmbëdhjetërrokëshe, me rimë të alternuar ABAB. Sipas tij, vargu është harmonik dhe poezitë kanë një frymë kaderiane.

Ai tutje potencoi se heroi letrar në libër është Prishtina, ndërsa vargjet përmbajnë motive e tematika të ndryshme, duke mos lënë anash talentin që ka autori ndaj zotërimit të satirës.

Gjithashtu, autori Bajram Lani krejt në fund tha se libri është botuar pikërisht më 29 nëntor, në datëlindjen e vajzave të tij dhe këtë libër ai e konsideron si një fëmijë tijin të tretë.

“Kam shkruar ulur por dua të flas në këmbë. U jam mirënjohës secilit që në këtë mëngjes, keni nda kohën këtë të diel me mua. Dua t’i falënderoj familjarët e mi dhe në mënyrë të veçantë, dua të shpreh mirënjohjen për njeriun tim, i cili edhe u bë vetë subjekt i poezisë pas poezisë së njëzetekatër. Bëhet fjalë për babin tim i cili ndërroi jetë në marsin e vitit 2022 dhe ai ka qenë një artdashës shumë i madh. E ka dashur shumë artin por jo edhe aq Prishtinën. Libri është botuar më 29 nëntor, në datëlindjen e vajzave të mia dhe këtë libër e konsideroj si një fëmijë timin të tretë. Mendoj se ky libër modest është një kontribut në krijimtarinë e Prishtinës. Unë jam marr me anën e errët të gjërave, në mënyrë që t’i nxjerrim në dritë, gjërat e bukura pastaj. Unë flas për Prishtinën ashtu sikurse një njeri flet me një të dashur, pra kam shprehur brengat e mia”, ka thënë Lani.

Promovimi në fund përfundoi me dy pika muzikore që këndshëm erdhën nëpërmjet dy vogëlushëve si: Dëbora Lani e cila interpretoi në kitarë si dhe Eris Lajçi i cili interpretoi në fizarmonikë, më pastaj për të vazhduar me një gotë verë dhe muzikë të mirëfilltë shqipe e franceze. / KultPlus.com

Të ngjajshme