Biblioteka Kombëtare zbardh dëmet nga zjarri i 15 marsit, u dogjën mbi 3800 libra, gazeta dhe revista shqiptare të viteve 1905-1982

22 Shtator, 2017 - 9:00 am

Biblioteka Kombëtare pas zjarrit të rënë më 15 mars të këtij viti zbardh dëmet që janë shkaktuar. 3308 njësi libra, revista dhe gazeta rezultojnë të asgjësuara nga zjarri, tituj të viteve 1905-1982.

Rezultojnë të asgjësuara nga zjarri 748 njësi bibliotekare (fondi i koleksioneve të gazetave), 273 njësi bibliotekare (fondi i koleksioneve të revistave), 134 njësi bibliotekare (fondi i librit të huaj/fjalorë), 100 njësi bibliotekare (fondi i librit të huaj), 2.053 njësi bibliotekare (fondi i librit shqip), në total 3.308 njësi bibliotekare. Pas rënies së zjarrit në mars në një dalje për mediat, drejtoresha Persida Asllani la të kuptohet se janë djegur libra, të cilët janë të rikuperueshëm. Edhe pas disa muajsh drejtoresha Asllani mban të njëjtin qëndrim. Dje Asllani u shpreh se gjithçka është e rikuperueshme përmes blerjeve, dhurimeve apo restaurimeve. Sipas saj, aktualisht BKSH mban barrën e dy problematikave të mëdha kriza e hapësirave dhe mbivendosja e funksioneve.

“Pavarësisht masave të ndërmarra, gjendja aktuale e hapësirave të Fondeve të BKSH-së mbetet kritike, duke pasqyruar në mënyrën më të mprehtë një krizë hapësirash të shfaqur qysh në vitet ’80. Mbivendosja e funksioneve, qysh prej viteve ’90 BKSH mbulon edhe mungesën e Bibliotekës së qytetit të Tiranës, i cili sot numëron rreth 1.000.000 banorë. Ajo shërben edhe si Bibliotekë Kombëtare e Shqipërisë edhe si Bibliotekë publike e Tiranës, duke akumuluar funksione shpesh të papërputhshme me njëra-tjetrën dhe detyra që përmbushen më vështirësi e sforcim të madh”, pohoi Asllani.

Pas rënies së zjarrit drejtoresha e BKSH pranon se në këtë gjendje është e vështirë të garantohet siguria e fondeve. “Akumulimi i librave edhe për të plotësuar funksionet e saj publike, ka rënduar edhe më shumë e më shpejt krizën e hapësirave. Në kushtet aktuale, asnjë masë, sado e sofistikuar teknikisht, nuk na garanton sigurinë e fondeve të BKSH-së, duke na detyruar të zbatojmë protokollet e sigurisë për raste të tilla. Këto protokolle diktojnë në mënyrë të pashmangshme një përdorim sa më të pakët të mjediseve ku ruhen librat, duke kërkuar që ato të ruhen sa më shumë në “gjendje qetësie”” cilësoi Asllani. Por në këto kushte huazimi i librave edhe për të anëtarësuarit do të jetë i pamundur dhe kjo për një kohë të pacaktuar. Megjithatë sallat e leximit do të jenë hapura.

Asllani: Një Bibliotekë të re kombëtare

Për krizën e hapësirave në këtë institucion dhe për funksionet e mbivendosura të Bibliotekës Kombëtare drejtoresha Persida Asllani kërkon një bibliotekë të re për Tiranën e mbipopulluar. “Propozimi është për themelimin e një biblioteke të qytetit të Tiranës, me mbështetjen e Bashkisë dhe BKSH-së dhe ndërtimi i një Biblioteke të re kombëtare. Biblioteka Kombëtare është shpallur një nga tri prioritetet kryesore të qeverisë për këtë mandat. Po shqyrtohen të gjitha rrugët e mundshme për të dhënë një zgjidhje sa më afatgjatë e bashkëkohore”, tha Asllani për problemet në këtë institucion.

Masat e ndërmarra nga BKSH për të tejkaluar dëmet e shkaktuara janë restaurimin e njësive të dëmtuara pjesërisht; përpilimin e listave me njësitë e asgjësuara, përgatitjen për t’i pasqyruar në regjistrat e inventarit të përgjithshëm të BKSH-së; restaurimin e mjediseve të dëmtuara, etj. Në fjalën e saj Asllani theksoi se në masat e marra është dhe ripërtëritja dhe përforcimi i sistemit të detektimit dhe mbrojtjes kundër zjarrit. “Përmes një financimi të ndërmarrë nga ministria u realizua projekti për ripërtëritjen e sistemit kundër zjarrit. Jemi në fazat e implementimit të tij nga pikëpamja administrative dhe më pas teknike, e cila përmbyllet brenda pak javësh”, pohoi drejtoresha e BKSH. Në dispozicion të Ministrisë së Kulturës dhe me destinacion përdorues BKSH-në, është miratuar nga ana e qeverisë (VKM) një ndërtesë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fjalën e saj Asllani bëri me dije kjo ndërtesë, mbasi të investohet e të përshtatet do të përdoret për evakuimin e pjesshëm të fondit. Në vitin 1966 BKSH u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.

Por që nga ajo kohë në këtë institucion kanë munguar investimet që duhen për të ruajtur këtë pasuri të pazëvendësueshme. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme