Botohet antologjia me poezi, prozë dhe ese “Urë në ëndërr”  

18 Janar, 2023 - 12:15 pm

Libri “Urë në ëndërr” është një antologji përmbledhëse letrare e një periudhe të caktuar kohore që nuk kalon kohën prej një dekade krijuese dhe përmban krijime letrare të anëtarëve të PEN Qendrës së Kosovës.  

Në libër janë përfshirë krijimet letrare të autorëve shqiptarë të Kosovës, të cilët tashmë e kanë bërë emër në këto fusha të krijimtarisë.

Siç thuhet në parathënien e librit, nuk ka pasur ndonjë kriter të veçantë për t’u bërë pjesë e këtij projekti letrar dhe nuk është përdorur ndonjë metodologji speciale në hartimin e kësaj antologjie.

Hartuesit e librit e kanë respektuar shijen dhe vetëzgjedhjen autoriale të krijimeve të tyre letrare, në poezi, në prozë dhe në eseistikë. Dhe këta autorë, hartuesit i kanë bërë bashkë në këtë libër që, ndoshta i mungon lexuesit tonë.  

Libri ‘Urë në ëndërr”, që përfshin 22 autorë  mund të jetë edhe një katalog i shkurtër letrar për aktivitetin e sotëm krijues të shkrimtarëve të Kosovës në këtë fushë.

Autorët e prezantuar janë: Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Dije Demiri Frangu, Sali Bashota, Haqif Mulliqi, Osman Gashi, Engjëll I. Berisha, Lindita Tahiri, Naim Kryeziu, Nerimane Kamberi, Naime Beqiraj, Lulzim Tafa, Fahredin Shehu, Gëzim Aliu, Agron Y. Gashi, Blerina Rogova Gaxha, Adil Olluri, Ag Apolloni dhe Flamur Maloku.

Libri “Urë në ëndërr” (poezi, prozë, ese) është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com   

Të ngjajshme