займ на карту онлайн потребительский кредит

Ibrahim Rugova, lidership i idealeve të mëdha

Mars 23, 2018 - 9:40 pm

Gjon KEKA – DR. IBRAHIM RUGOVA, LIDERSHIP I IDEALEVE TË MËDHA, BOTART TIRANË 2011

Nëpërmjet autoritetit të madh që kishte, ai ka ndikuar fuqishëm jo vetëm në rrjedhën e kohës, por edhe në vullnetin e përgjithshëm dhe historik të popullit, duke bërë kështu që çdo miratim që vinte nga proceset dhe nga zhvillimet e tjera historike dhe politike-kombëtare të vendit t’i merrte së bashku me mendimet dhe vullnetin e popullit, gjë që e bënte atë një lidership dhe politikan harmonik e të besueshëm.

Ibrahim Rugova kishte atë lloj aftësie politike dhe lidershipi politik shtetëror aq sa veprimet e tij dhe praktikimi i filozofisë së tij politike-kombëtare kishin zënë vend në të gjitha sferat e jetës dhe të proceseve historike të popullit shqiptar të Kosovës, në rrugëtimin e tij të vështirë historik dhe vendimtar për të ardhmen drejt lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe rikthimit në familjen e lashtë evropiane.
Liria, demokracia dhe pavarësia e Kosovës ishin sine qua non (kusht pa të cilën nuk bëhet) për paqen, për barazinë dhe bashkëpunimin e rajonit në përgjithësi dhe për të ardhmen e vendit drejt qëllimit historik dhe natyror. Më duhet të nënvizoj këtu se presidenti Rugova ishte një lider që praktikonte në përpikëri filozofinë e tij politike kombëtare; këtë ai e bënte te të gjitha proceset dhe te të gjitha hapat e vazhdueshme të zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit demokratik dhe evropian të Kosovës. Po ashtu, dr. Ibrahim Rugova, si president dhe burrështetas kishte një vizion dhe strategji politike kombëtare të gjerë dhe në shërbim të vendit, duke e udhëhequr atë në periudhat më kritike dhe vendimtare për vendin dhe rajonin. Vizioni dhe strategjia e tij politike kombëtare ishin me shekuj përpara vizionit të bashkëkohësve të tij, por edhe të njerëzve të tjerë që kishin filluar të merreshin me veprimtari politike dhe udhëheqëse në vend e në rajon.
“Arkitrau” i filozofisë politike-kombëtare të Ibrahim Rugovës ishte ndërtimi i shtetit mbi bazën e lirisë, të demokracisë dhe të vullnetit historik të popullit, si dhe rikthimi i plotë i vendit në familjen e lashtë evropiane.
Është interesante këtu të nënvizojmë se si arkitektura e tij politike dhe institucionale ishin bërë baza themelore e ndërtimit të shtetit demokratik dhe evropian. Ajo që është tepër e rëndësishme këtu, filozofia e tij jetësore dhe politike-kombëtare e më pas edhe ndërtimi i institucioneve demokratike shtetërore kishin përshkruar frymën e lirisë dhe të demokracisë edhe në zonat më të errëta të vendit. Por këto kanë pasur edhe një ndikim të jashtëzakonshëm për të hapur sytë për një botë të re, botë të kuptimit të kohës së re, të përgjegjësisë ndaj lirisë dhe demokracisë e shtetit, institucioneve të krijuara me sakrificë dhe përpjekje historike të vazhdueshme për liri, demokraci dhe pavarësi.

Të gjitha këto hapa historike kapin në tërësi jo vetëm zhvillimet politike të brendshme dhe ato të jashtme ndërkombëtare, por edhe drejtimin e plotë të vendit drejt kuptimit dhe ecjes sipas vizionit dhe filozofisë së tij politike kombëtare në rrugën e lirisë, të paqes, demokracisë, pavarësisë dhe bashkimit të kombit me familjen e lashtë evropiane si një rikthim i natyrshëm.

Veprimtaria politike dhe shtetërore e presidentit dhe lidershipit Ibrahim Rugova ishte harmonike, historike dhe me vlera mbikohore, sepse në gjithë veprimtarinë e tij ai la gjurmë jo vetëm në brendësinë e vendit dhe të mjedisit të tij popullor e atij të kohës, por edhe në politikën ndërkombëtare, në botën dinamike dhe të qytetëruar, për të cilat më pas ai mori një mori çmimesh ndërkombëtare në shërbim të paqes, demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Presidenti dhe burrështetasi dr. Ibrahim Rugova ishte një personalitet dhe njeri popullor i fuqishëm apo, më mirë të themi tepër i lidhur më popullin e me traditën e tij të lashtë historike. Gjithashtu, ai ishte edhe zbatues në përpikëri i filozofisë dhe i pikëpamjeve të tij politike, sipas parimeve dhe punës së vazhdueshme për të realizuar kështu jo vetëm plotësisht zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit juridik, demokratik dhe evropian, por edhe për të rikthyer frymën e lashtë evropiane të Kastriotëve, të strategut dhe diplomatit të njohur të kombit shqiptar Gjergj Kastrioti.
Vizioni i tij i qartë evropian e bënte atë një lidership largpamës dhe të përgjegjshëm, si ndaj vullnetit të popullit, ndaj historisë së tij të vërtetë evropiane, por edhe ndaj të ardhmes së kombit shqiptar evropian, si një komb i lashtë dhe me rrënjë të thella të qytetërimit evropian. Pa këto rrënjë historia dhe zhvillimi e ndërtimi i plotë i familjes, tashmë edhe i bashkësisë evropiane, nuk do të mund të kuptoheshin e të ishin të plota.
Përveç kësaj, duhet nënvizuar edhe diçka tjetër tepër e rëndësishme: dr. Ibrahim Rugova, si një president strategjik-historik dhe lidership transformues i kushtonte një rëndësi të veçantë dijes dhe arsimimit të gjeneratave të reja të popullit, sepse arsimimi është baza themelore e vlerave të popullit drejt ardhmërisë, si alma mater (nëna ushqyese), e ardhmërisë së gjeneratave të arsimuara në Universitetin e Prishtinës, si vlera kombëtare evropiane. Ibrahim Rugova dha një ndihmesë të madhe në historikun e arsimimit dhe zhvillimit të Universitetit të Prishtinës. Në mënyrë të vazhdueshme, këtë ai e bëri edhe si intelektual, si shkrimtar, por edhe si politikan e më pas edhe si president i vendit, sepse në parimet e tij arsimimi zinte një vend të veçantë në themelet e filozofisë së tij jetësore, intelektuale dhe politike-kombëtare.
Ndërkaq, në mënyrë narrative më tej mund të vërejmë se si Ibrahim Rugova, gjatë procesit të prezantimit në tryezat diplomatike dhe në vendet më me ndikim të politikës ndërkombëtare të realitetit në Kosovë i përputhi të gjitha gjërat që kishin të bënin me procesin e daljes së popullit nga robëria në liri, në demokraci dhe në pavarësinë e tij. Këto parime, këtë vullnet historik të popullit, Rugova i kishte si qëllimin parësor për realizimin e plotë të kësaj të drejte, por edhe si një domosdoshmëri të kohës. Po ashtu, dr. Ibrahim Rugova, si president strategjik i kristalizoi të gjitha këto elemente, duke u dhënë kështu këtyre proceseve pamje pozitive dhe të drejtë historike, në favor të së drejtës historike të popullit autokton shqiptar të Kosovës. Me një pasuri të madhe intelektuale ai arriti të lëvizë kështu jo vetëm kolltukët dhe tryezat e diplomacisë ndërkombëtare, por edhe t’i vërë ata në peshore, për shpëtimin e popullit autokton të Kosovës apo shuarjen e tij. Politika shtetërore serbe bënte një spastrim etnik të vazhdueshëm ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në Kosovë, ashtu siç bënte perandoria e errët otomane ndaj tërë kombit shqiptar evropian përgjatë pesëqind e ca viteve. Porse kjo politikë kurrë nuk kishte arritur ta zhduket nga faqja e dheut këtë komb, sepse kombi shqiptar europian i ka rrënjët të lashta, me lidhje të forta e të shenjta historike dhe gjenealogjike. Po ashtu, politika serbe nuk arriti dot ta realizonte një plan të tillë demon, as në fundshekullin XIX, as në fillimshekullin XX; porse as edhe më herët.

Duhet theksuar këtu se Rugova, si një politikan i fuqishëm gjatë veprimtarisë së tij dhe praktikimit të jetësimit të filozofisë së tij politike-kombëtare ka hasur gjithnjë në pengesa të vazhdueshme nga gurët që hidhnin mbi të si armiqtë e jashtëm, duke krijuar bllokime e duke u munduar që me anë të mjegullnajës në proceset historike dhe vendimtare të popullit autokton për liri, demokraci dhe pavarësi, të arrinin të dobësonin ndikimin e tij në politikën ndërkombëtare, por edhe në jetën e brendshme politike. Por të gjitha këto ata kurrë nuk arritën t’i realizojnë, sepse presidenti strategjik dr. Ibrahim Rugova ishte mbështetur në shkëmbin historik të kombit shqiptar evropian dhe vazhdimisht merrte fuqi nga fryma kombëtare e Kastriotëve, për t’i sfiduar të gjitha sulmet dhe për të dalë te qëllimi i tij historik, kombëtar dhe evropian, qëllim ky i filozofisë së tij jetësore dhe politike-kombëtare.

Gjithashtu, në kuadër të gjithë kësaj, duhet nënvizuar se gjatë veprimtarisë së tij politike-kombëtare, si një lidership dhe politikan i fuqishëm i vendit, disa qarqe të errëta ideologjike-politike të brendshme dhe të jashtme janë munduar shumë që ta stigmatizojnë atë si personalitet politik dhe lidership, por që kurrë nuk kanë arritur ta realizojnë atë planë demon. Duhet theksuar këtu se këto qarqe të errëta ideologjike-politike e bënin të gjithë këtë në mënyrë subversive, vetëm e vetëm për t’i rrëmbyer të gjitha në duart e tyre ose për t’i shkaktuar dëme të mëdha vendit, si brenda ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse këto qarqe të errëta ideologjike-politike mendonin dhe bënin vazhdimisht përpjekje prej demoni, që nëpërmjet agjitacionit të ndryshonin jo vetëm rrethanat dhe mendësinë e popullit dhe vizionin për të ardhmen europiane, por edhe për braktisjen e vullnetit dhe besimit që i kishin dhënë presidentit dhe njeriut-lider dr. Ibrahim Rugova, për ta udhëhequr vendin drejt rrugës së lirisë, paqes, demokracisë, pavarësisë dhe rikthimit të plotë në familjen evropiane, ata kurrë nuk arritën dot ta shtrembëronin figurën dhe personalitetin e Rugovës, as t’ia ndryshonin mendjen popullit për besimin dhe fatin që i kishin lënë atij në duar, për ta drejtuar popullin në vendin e sigurt. Ata e dinin se ai ishte lider vizionar, i besueshëm, besnik ndaj popullit dhe të ardhmes së tyre, por edhe besnik ndaj qëllimit që kishte si dhe përgjegjësisë së madhe që bartte mbi krahë në rrugën e realizimit të vullnetit të plotë historik të popullit për të jetuar i lirë, i pavarur dhe me dinjitet.
Si një lidership dhe burrështetas i madh i popullit shqiptar e, veçanërisht kombit shqiptar europian në përgjithësi, erdhi me një formulë të re në mes të popullit, për ta nxjerrë atë nga skllavëria e regjimit të politikës shtetërore serbe. Thjesht, ai hyri në procesin historik të marrjes së përgjegjësisë për fatin e popullit të Kosovës si një profet i demokracisë, i lirisë, i paqes dhe si arkitekt i shtetit të Kosovës, si dhe i tërë Gadishullit Ilirik apo Europës Juglindore, sepse fryma e Kastriotëve që ai bartte përshkoi tërë rajonin dhe botën demokratike e të qytetëruar.
Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu se presidenti dhe njeriu-lider Ibrahim Rugova ishte jo vetëm arkitekt i shtetit të Dardanisë europiane (Kosovës), por edhe një mbrojtës i së mirës së përbashkët. Gjithashtu, ai krijoi lidhje të forta dhe në mënyrën e duhur e të dorëzanë të shtetit kushtetues, respektivisht të shtetit ligjor e demokratik, lidhje këto sipas parimeve moderne evropiane dhe liberal demokratike.
Siç dihet, dr. Ibrahim Rugova, si një president dhe politikan harmonik kishte qartësinë dhe përmbajtjen e gjuhës politike dhe intelektuale. Kjo është parë sidomos gjatë argumentimit me shkathtësi dhe dituri, në mënyrë të fuqishme të realitetit historik dhe vizionit për të ardhmen e popullit shqiptar, shtetit të Dardanisë apo Kosovës europiane.
Programi i tij politik-kombëtar brenda LDK-së për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendit ishte i mbështetur në filozofinë e tij politike kombëtare, që nga shpalosja e kësaj filozofie të frymës së Kastriotëve. Që këtu u pa qartë se programi – i cili ishte mbështetur në bazat e fuqishme të lirisë dhe pavarësisë, si premisa kryesore të filozofisë së tij politike-kombëtare të demokracisë liberale dhe vullnetit të përgjithshme të popullit – do të tregonte më pas edhe një shpalosje të plotë të formës së ardhshme të shtetit të Dardanisë europiane apo Kosovës.
Në këtë mënyrë, Ibrahim Rugova ndërtoi kështu institucionet e ligjshme demokratike dhe ato të paqes në vend; gjithashtu ai, si president dhe lidership vizionar, vuri edhe rregullat demokratike të shtëpisë home democratic rule, rregulla këto që do t’u shërbenin historikisht pasardhëseve të ardhshëm të politikës dhe institucioneve demokratike shtetërore të vendit.

Nga kjo mund të nxjerrim përfundimin se lider është ai që e gjen fillin e strukturës së shoqërisë së popullit dhe zhvillimit të përgjithshëm të vendit drejt të ardhmes së mirë për të gjithë. Kështu që, duke e gjetur fillin e kësaj strukture themelore dhe jetësore të shoqërisë, ai mund ta udhëheqë atë shoqëri në rrugën e vizionit dhe t’i shërbejë të mirës së përgjithshme të kombit.

Libri poashtu ka një parathenie nga dr.Gjon Boriçi

Të ngjajshme