займ на карту онлайн потребительский кредит

Botohet libri ‘Qoshet ku fola me veten’ i Blerim Rrecajt

22 Janar, 2021 - 4:43 pm

Në janarin e këtij viti ka dalë në dritë libri “Qoshet ku fola me veten” nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”. 

Libri duket i realizuar mirë nga pamja ideo-estetike, ndërsa për përmbajtjen e tij studiuesi e kritiku Berat Dakaj është shprehur kështu: “Qoshet ku fola me veten, mund t’ju gëzojë a trazojë, thotë autori i tij sepse, shtojmë ne, është shkruar sa autori mbante distancë fizike me njerëz për shkak të pandemisë së virusit me kurorë. Më tutje, nuk është libër i zakonshëm. Është libër i shkruar në kohë të frikës kur njeriu siguri dhe qetësi gjen vetëm në qoshe dhe aty, i izoluar, pa pasur motiv të bisedojë me asnjë njeri jashtë rrethit të familjes, nis të shkruajë për përditshmërinë e vet dhe për ndodhitë që ka parë, që ka dëgjuar e që bëhen lajme brenda dhe jashtë Kosovës gjatë ditës.

Rrecaj, ky vrojtues lirik, ky shtegtar qytetesh e parqesh, ka hartuar një hartë poetike, relievin e së cilës e ka mbjellë me miniatura dhe e ka shkelur këmbë, pjesën më të madhe të saj i vetëm, siç do të mund të shihni edhe teksa lexoni poeziminiaturat e tij që janë, njëkohësisht, edhe të lexuesve”, thekson Dakaj.

Ndërsa poeti Bekim Muhaxheri shprehet:”Poezitë e Blerimit janë poezi Kosove, të gjitha kanë vende ku kanë lindur, histori frymëzimi e adresa. Dhe ngjyra të ndryshme. Disa mund të jenë të zeza si korbat që autorit i duken se dalin nga tymtarët e KEK-ut, të tjerat janë të gjelbra si shpërthimi i blertë i Gërmisë, ka edhe të kaltra si qielli i verës ose edhe shumëngjyrëshe si lulet tona. 

Por Blerimi nga modestia nuk e merr përsipër autorësinë. Thotë se kur i shkroi poezitë vetëm muza kaloi pranë tij”, thotë pos tjerash Muhaxheri.

Ky libër i Rrecajt vjen pas librit të tij të parë me vargje e skica “Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh” dalë në dritë, në marsin e vitit të kaluar, pikërisht atëherë kur filluan masat shtrënguese për shkak të shfaqjes së pandemisë.

Park-shesh Ulpiane

Mbrëmë
Isha në një emision radiofonik
Me shokët e mi
Ndërtuam një mozaik
Tash
Jam me ty
Vëlla
Në këtë kafene
Me emër kulturor portali
Për të parën herë
Këtu
E tash
Vranët,
Hirtësi
Erë e ca pika shi
Pragverë
Pranë xhamave
Të një verande
Të mbuluar
Pëllumba
E trumcakë
Bien e largohen
Mbi çatinë e saj
Era tund e shkund
Ca çarçafë
Në një ballkon
Të epërm ndërtese

Te Soliterët
Te fontana
Në Ulpianë
E rrethi i këtij park-sheshi
Seç të duket ndonjëherë
Qendër bote
Të cilën tash
E stërpikin ca pika shiu. / KultPlus.com

Të ngjajshme