Bujar Salihu vjen me librin “Linga e heshtjes”

23 Tetor, 2020 - 10:38 am

“Linga e heshtjes” titullohet libri i ri me poezi i poetit Bujar Salihu, i cili, sipas shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka veçanti të shumta gjuhësore dhe tematike.

“26 vjet më parë, në moshën 22 vjeçe, një libër me poezi e botoi në dy gjuhë, në shqip dhe në frëngjisht. Pas botimit të librit të parë më 1994, i botoi edhe dy të tjerë dhe, me disa autorë shqiptarë, foli në disa gjuhë pasi disa përgatitës hartuan antologji me poezi shqipe. Veçantitë e tij letrare i kemi vënë re qëmoti, por edhe i kanë zënë ngoje Ali Podrimja, Shaip Beqiri, Mustafë Xhemaili, Arif Molliqi, Faik Shkodra, Xhemail Ahmeti, Nexhat Rexha e ndonjë tjetër që tash s’po na kujtohet. Prandaj, duke pasur veçanti më tepër se disa poetë të tjerë e duke qenë poezia e tij objekt krahasimi me atë të A. Tufës, L. Leshanakut, A. Balës, B. Cufajt, V. Berishës, R. Zekthit, I. Belliut, D. Gashit, M. Mavrajt, Xh. Beqirit, L. Arapit, Rr. Paçarizit, E. Hatibit etj., disa poezi të Bujar Salihut i kemi botuar në revistën Akademia. Me kalimin e viteve, ai duke shtuar veçantitë gjuhësore dhe tematike në poezi e ne duke veneruar krijimet e tij, këtë herë i botojmë këtë libër, i cili një shok tjetër e ka të rrallë. Lexojini të gjitha poezitë e këtij libri, por mos harroni t’i lexoni poezitë Dita jote e fundit, Buka, Eja të pajtohemi, Veshkat e vyshkura, Hija e qershisë, S’e mbajte premtimin, E përvajshme, Puthje, Mbrëmë, Në vend të pasthënies dhe t’i mësoni përmendësh sepse fjalët, fjalitë, figurat, temat dhe motivet e tyre ju duhen shumë në jetën e përditshme”, ka shkruar shtëpia botuese “Armagedoni” në kapakun prapa të librit.

Bujar Salihu (1972) është nga Pogragja e Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan. Në vitin 1990 filloi studimet në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës por, për shkak të rrethanave politike, u detyrua t’i braktisë ato dhe Kosovën. Që nga viti 1992 jeton në Zvicër. Ka botuar përmbledhjet poetike: Në xipat e vetmisë (1994), Më pak se jetë (1997), Skeleti i dallëndyshes (2002). Poezitë e tij janë botuar në disa antologji poetike dhe janë përkthyer në disa gjuhë të mëdha. Është fitues i disa çmimeve letrare. Linga e heshtjes është libri i tij i katërt.

Të ngjajshme