“Çështja e Kosovës” nga Mario Vargas Llosa

27 Prill, 2019 - 9:00 pm


Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur Kosova përballej me regjimin e egër serb, intelektualët e Perëndimit u ndanë në dy taborë: përkrahës të Kosovës dhe përkrahës të Serbisë. Mario Vargas Llosa ishte më i zëshmi ndër përkrahësit e çështjes së Kosovës, duke e akuzuar vazhdimisht regjimin e Millosheviqit për gjenocid ndaj popullatës kosovare dhe duke polemizuar me intelektualë të shumtë botërorë.

Në esetë që publikoi në mediat spanjolle e të cilat i përzgjodhi ekskluzivisht për botimin në gjuhën shqipe me titullin “Çështja e Kosovës”, Vargas Llosa shfaqet si një mbështetës i zjarrtë i shqiptarëve të Kosovës dhe si një intelektual që ndërgjegjëson të huajt për përkrahjen e intervenimit të NATO-s në Kosovë. “Nëse NATO-ja nuk e fiton këtë luftë, dy milionë kosovarë humbin vendin e tyre, shtëpitë e tyre, tokat e tyre dhe, shumica, jetën e tyre. Kjo bindje, shumë prej nesh na bën – jo pa frikë e dyshime – ta mbështesim ndërhyrjen”, thotë Vargas Llosa në esenë “Zjarrmitë pacifiste” të botuar në librin “Çështja e Kosovës”, të botuar këto ditë në gjuhën shqipe. Librit i prin një parathënie nga Prof. Dr. Blerim Latifi, i cili e analizon gjendjen e Kosovës së asaj kohe dhe qëndrimin e intelektualëve botërorë për çështjen e Kosovës. “Për disa, NATO kishte cenuar njërin nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, parimin e sovranitetit të shteteve. Kaq mjaftonte që sulmi mbi Jugosllavinë të shihej si një agresion brutal klasik dhe Millosheviqi si një luftëtar në mbrojtje të ligjit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Noam Chomsky, Alain Badiou, Peter Handke, Régis Debray, e ndonjë tjetër, ishin në mesin e intelektualëve që mbrojtën një pikëpamje të tillë, duke e shtuar me këtë listën e intelektualëve që autoritetin e tyre akademik e vunë në shërbim të shkatërruesve të lirisë njerëzore dhe, në të njëjtën kohë, u bënë edhe një çekiç më shumë në duart e rrënuesve të racionalizmit etik të iluminizmit. Në kundërshtim me ta, emra të tjerë shumë të njohur të filozofisë, letërsisë dhe artit perëndimor, zhvilluan pikëpamjen mbi drejtësinë dhe arsyeshmërinë e ndërhyrjes së NATO-s. Në mesin e tyre gjejmë emra të tillë si Jürgen Habermas, Günter Grass, BernardHenri Lévy, Jean Baudrillard, Edgar Morin, Václav Havel, Alain Finkielkraut, Zbigniew Brzezinski, e shumë e shumë të tjerë. E gjejmë, po ashtu, edhe Mario Vargas Llosa-n, shkrimtarin nobelist peruan”, thotë profesor Latifi në parathënien e tij.

Librin “Çështja e Kosovës” e ka përkthyer Orjela Stafasani, e njohur për përkthimet nga gjuha spanjolle dhe italiane.

Të ngjajshme