Dialogu i plisave

11 Mars, 2020 - 10:00 am

Nga: Musa Ramadani

Fragment nga libri “Satana ma vodhi gurin e urtisë”

Plisi i madh… shtatëdhjetë e shtatë shtigje ditë e natë.
Plisi i vogël: pse nuk më kanë blerë në Panagjyrin e Vogël të Gjilanit, bile nuk do të vdisja me mallin e kurbetçarit..!
Plisi i madh: kanë mundur edhe mua të më gjenin në Panagjyrin e Madh të Gjilanit, po krejt njësoj është: njërin në Gjilan, tjetrin në Prishtinë, të tretin në Gjakovë, një tjetër në Prizren, të pestin në Shkodër, të gjashtin në Stamboll… e mua, ja, si ta thashë edhe më parë – në Selanik.
Plisi i vogël: a e ke pasur ndonjëherë kështu ngushtë?
Plisi i madh: po si jo, veç ma ngushtë se tash s’ka ku shkon!
Plisi i vogël: ah, sikur ta kisha martinën me vete!
Plisi i madh: more, veç duart t’i kisha çlirë boll!
Plisi i vogël: sikur të na shihte, bile, njeri, të na dëgjonte kush.
Plisi i madh: na sheh qielli, na dëgjon mali, ka dëshmitarë, ka.
Plisi i vogël: të lumtë, po ti i jepke zemër edhe gurit…!
Plisi i vogël: mos po na vrasin?
Plisi i madh: na vrasin, vallahi!
Plisi i vogël: mos po na presin?
Plisi i madh: na presin, bilahi!
Plisi i vogël: mos po na djegin?
Plisi i madh: epo, le të na djegin!
Plisi i vogël: mirë e ke – sall mos të na poshtërojnë!
Plisi i madh: a e di ti atë këngën?…
Plisi i vogël: … cilën?…
Plisi i madh: nuk ia di fillimin…
Plisi i vogël: … thuaja mbarimin…
Plisi i madh: … “Jam shqiptar kosovali…”

1987, botuar nga “Rilindja” /KultPlus.com

Të ngjajshme