“E drejta për me vra nuk është liri”

18 Nëntor, 2020 - 1:45 pm

Nga Jusuf Buxhovi

Sapo hynë në pjesën e Dushkajës, Princi i shkërmoqur foli përçartë për kryqtarët Normanët që kishin humbur luftën dhe ardhjen e kryqtarëve Tempelarë, që kishin zënë vendin e tyre. Me t’i dëgjuar këto, Mikeli plak, brofi nga gëzimi, ngaqë mendja ia tha se Princi, që nuk kishte nxjerrë fjalë prej gojës gjatë viteve të mbylljes në Kështjellën e Pashtrikut, po e merrte veten. Në atë hallakatje, deshi ta pyeste se ç’ndryshonin kryqtarët e rinj nga ata të mëparshmit që tha se kishin humbur luftën kur në këto anë nuk kishte pasë diçka të tillë pos dhunës së paparë të vasalëve të tyre, që tashmë ishin dërguar të lidhur në Kështjellën e Pashtrikut ku do të kalbeshin. Këtë, megjithatë nuk e bëri, jo vetëm që koka e tij nuk ishte në gjendje ta kuptonte dallimin midis kryqtarëve, por për më shumë, pse në karrocë hyri një murg, që zuri vend kundruall Princit sikur të ishte aty sipas një marrëveshje.

Princit, prapë iu mor goja. Deshi t’ia bënte me dije Mikelit plak, se ai nuk ishte murg si të tjerët që prej kohësh kishin vërshuar vendin, por ishte kryqtar i rendit të Tempelarëve, që kishin marrë përsipër kryqëzatën e re, që nuk do të përfundonte te çlirimi i varrit të shenjtë si thuhej, por te pushtimi i Qendrës së krishterimit nga katolikët. Princit i kujtohej biseda që kishte ditë më parë në Kështjellën e Pashtrikut me murgu tebdil kur ia kishte kumtuar lajmin për fitoren e kryqtarëve Tempelarë dhe kthimin e tij në Principatë, si diçka që do t’i ndihmonte fushatës së shenjtë.

“Do të jesh i lirë për aq sa do t’i takosh besimit dhe idesë sonë, së cilës, për t’u jetësue i duhet forca…”

“Pra, prapë nuk do të jem i lirë”, kishte folur Princi dhe kishte shtuar se ai të drejtën për me vra nuk e merrte për liri, por si krim…

”Vetëm vasalët e marrin për të tillë…”

(Shkëputur nga romani “Letra për Kryeprincin”, Prishtinë, 1983). / KultPlus.com

Të ngjajshme