Edna Ferber, një jetë mes fjalës dhe përjetësisë

15 Gusht, 2025 - 9:30 am

Edna Ferber kujtohet si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë amerikane të shekullit XX. Noveliste, autore tregimesh të shkurtra, dramaturge dhe fituese e Çmimit Pulitzer, ajo la pas një trashëgimi që sfidon kohën dhe mbetet frymëzim për lexues e dramaturgë anembanë botës.

Edna Ferber lindi më 15 gusht 1885 në Kalamazoo, Michigan, në një familje me rrënjë hebreje. Gjatë fëmijërisë familja u shpërngul shpesh në qytete të ndryshme të Mesperëndimit, ku Ferber u përball me antisemitizëm dhe përvoja që do të formësonin si karakterin, ashtu edhe krijimtarinë e saj. Në moshën 12-vjeçare u vendos në Appleton, Wisconsin, ku përfundoi shkollën e mesme dhe nisi të shkruante për gazetën e shkollës, përcjellë KultPlus.

Në moshën 17-vjeçare, u punësua si gazetare në “Appleton Daily Crescent”, duke u bërë gruaja e parë që punonte aty. Më vonë u bashkua me “Milwaukee Journal”, ku puna e palodhur e çoi deri në rraskapitje. Përvoja në gazetari do të ushqente më pas edhe temat dhe personazhet e librave të saj.

Ferber botoi tregimin e parë, “The Homely Heroine”, në vitin 1910. Një vit më vonë doli romani i saj i parë, “Dawn O’Hara, The Girl Who Laughed”, i frymëzuar nga jeta e saj si gazetare. Por fama e madhe erdhi në vitin 1924 me romanin “So Big”, një histori për guximin dhe këmbënguljen e një gruaje që rrit djalin e saj e vetme, në kushte të vështira. Ky roman i solli Çmimin Pulitzer në vitin 1925.

Edna Ferber u dallua për aftësinë për të treguar histori të mëdha amerikane përmes fatit të individit. “Show Boat” (1926) u kthye në një nga muzikalet drama më të famshme të Broadway-t dhe në një film të paharrueshëm. “Cimarron” (1930) fitoi çmimin Oscar për Filmin më të Mirë. Më vonë erdhën edhe “Giant” (1952) dhe “Ice Palace” (1958), të dyja të ekranizuara me sukses në Hollywood.

Temat e saj shpesh sillnin figura të grave të forta, përshkrime të ndryshimeve shoqërore dhe pasqyrime të tensioneve kulturore amerikane.

Edna Ferber vdiq më 16 prill 1968 në Nju Jork, në moshën 82 vjeçare, nga kanceri. Sot, veprat e saj vazhdojnë të lexohen, dramat e saj ende ngjiten në skenë dhe personazhet që ajo krijoi mbeten të gjalla në imagjinatën e lexuesve.

Ferber mbetet një shembull se si talenti, këmbëngulja dhe një penë e ndershme mund të lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe letërsi./KultPlus.com

Të ngjajshme