Ekskluzive: ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga Buxhovi po shndërrohet në film botëror në gjuhën italiane

17 Qershor, 2021 - 3:55 pm

Era Berisha

Romani i njohur ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nga shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, i cili së fundmi ka dalur nga shtypi nga shtëpia botuese ‘Faik Konica’ dhe është përkthyer edhe në gjuhën italiane, ka marrë një jehonë të re dhe sukseset e tij duket sikur nuk po kanë një fund, shkruan KultPlus.

Romani për herë të parë u botua në vitin 1982 dhe u përkthye në disa gjuhë botërore, tani ka ardhur me ndryshime të cilat dallojnë nga pesëmbëdhjetë botimet e deritanishme, për arsye se aspekti përmbajtësor dhe gjuhësor është plotësuar akoma më shumë. Ndërsa përkthimi në gjuhën italiane i ka dhënë romanit një frymë të re të shoqëruar me një sukses të jashtëzakonshëm në Itali ku çdo ditë e më shumë po i bëhet jehonë.

Mbrëmë, në promovimin e këtij libri në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, Buxhovi ka shpalosur një lajm ekskluziv.

Buxhovi ka treguar se libri i tij do të shndërrohet në film botëror në gjuhën italiane dhe për këtë nismë tashmë shkrimtari kosovar ka nënshkruar disa parakontrata me një ndër shtëpitë filmike më të njohura në itali.

Tutje Buxhovi ka njoftuar se njëri nga producentët është tejet i njohur, përderisa filmi pritet të realizohet nga dy prej regjisorëve më të njohur italianë me renome ndërkombëtare, emrat e të cilëve ende nuk mund t’i zbulojë.

Ndërsa, tani për tani libri është në duart e dy skenaristëve të cilët para dy dite kanë marrë përsipër të kthejnë romanin në skenarë. Ndërsa, sipas Buxhovit, i gjithë procesi pritet të përfundojë në shtator.

“Ruajtja e karakterit të personazheve dhe aspektit të librit, ngritja e botës shqiptare në nivel botëror, projektimi kulturor i historisë shqiptare, përfshirja e Kosovës, Malësisë dhe Shqipërisë, janë këto disa nga arsyet kryesore që producenti italian dhe i gjithë ekipi kanë vendosur ti shpalosin në një film të vetëm ku synohet të tregohet fuqia e një populli të tërë”, thotë Buxhovi.

Buxhovi njofton se italianët kanë treguar një interesim shumë të madh që bota shqiptare të ngrihet në nivel botëror dhe padyshim që për të është nderë që ky film do të jetë i përmasave të tilla.

“Ky film do të jetë një film ku tregohet shpirti, mentaliteti dhe bota shqiptare. Po ashtu, italianët përmes këtij filmi dëshirojnë të krijojnë një pasqyrë të vërtetë të popullit shqiptar dhe historisë së tij. Frika ime e vetme mbetet shteti i Kosovës, për të cilën shpresoj që nuk do të jetë pengesë sepse për 15 vitet e fundit, Kosova nuk ka dhënë shenja që dëshiron të tregojë historinë e vet”, ka thënë krejt për fund Buxhovi. / KultPlus.com

Të ngjajshme