‘Tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri’

3 Janar, 2019 - 5:30 pm

MIGJENI – PARATHANIA E PARATHANIEVE

Përditë perëndojnë zotat
dhe rrëshqasin trajtat e tyne
mbi vjet dhe shekuj
dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
Ndër tru të njerzimit zoti galuc ka ndejun.
Vetvetes me gisht tamthat i ka biruemun
Në shej të pendimit
dhe bërtet në kulm të hidhnimit:
çka, çka krijova?!
– E njeriu nuk e di:
a asht zoti pjella e tij
apo ai – vetë pjella e zotit?
Por shef se asht kot së kotit
me mendue mbi një idhull
që nuk përgjegjet.
Dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
Ka ardh një kohë
në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë
për me ndërtue Kullën e Babilonit,-
dhe në majë të Kullës, në majë të ta majës së fronit
ka me hypë njeriu
dhe ka me thirrë:
Perëndi! Ku je?

Të ngjajshme