Ernest Heminguej, misteri i vetëvrasjes së shkrimtarit, njeriut energjik, atij që sfidoi me zemër e me penë

2 Korrik, 2019 - 12:30 pm

Në orët e para të së dielës së 2 korrikut të vitit 1961, Ernest Heminguej, një nga shkrimtarët më të famshëm të Amerikës së shekullit të kaluar, u ngrit nga shtrati në shtëpinë e tij në Idaho. Ndërkaq, u kujdes që të mos e zgjonte bashkëshorten e tij, Mary. Më pas zbriti në hangarin ku mbante armët e zjarrit me të cilat dilte për gjah, e mbylli derën nga brenda, vuri në ballë pistoletën, shkeli këmbëzën dhe hodhi trutë në erë. Mjekët që erdhën më pas vendosën se ora e saktë e vetëvrasjes ishte ora 7 e mëngjesit. Ata që e panë thonë se Heminguej kishte zgjedhur disa nga veshjet më të mira të garderobës së tij për “rastin solemn”. Gruaja e tij, Mary i tha menjëherë medias se bëhej fjalë për një aksident dhe fatkeqësi dhe se nuk mund të thuhej se bashkëshorti i saj kishte vrarë veten, dhe ky rrëfim doli në faqet e para të medias amerikane.

Por Mary Welsh Heminguej do të duhet që të kalonte disa muaj për të kuptuar se në fakt i shoqi, ndryshe nga sa kishte besuar ajo, kishte vrarë veten dhe do të duheshin edhe 50 vjet të tjera për të bërë bashkë të gjitha pjesët e historisë së kësaj vetëvrasjeje, që fillimisht ishte e pakuptimtë. Si ishte e mundur që një njeri kaq energjik, kaq i mbushur me jetë dhe me fuqi të pashtershme, krejt papritur vendos që t’i japë fund vetes në një mënyrë kaq misterioze dhe mizore? Përse vallë? Biografitë e jetës së tij, që janë të shumta në numër, kanë bërë hamendësime në lidhje me probleme që ai mund të kishte pasur me karrierën, me ndonjë problem që mund t’i kishte dalë gjatë udhëtimeve të shpeshta jashtë vendit, por askush nuk kishte mundur që të arrinte në një konkluzion. Vetëm një psikiatër nga Hustoni i Teksasit arriti që të bënte bashkë disa fakte dhe prova, që më në fund të mund të jepnin një shpjegim. Pas një studimi të gjatë ai i nxori në dritë përfundimet e tij.

Jeta e idealizuar e Heminguejit, ajo që vetë shkrimtari donte që të tjerët të dinin si të vërtetë, është e thjeshtë: ai ishte njeriu perfekt, sinteza perfekte e trurit dhe shpirtit. Ishte gjithmonë një njeri i tërhequr nga misteri i aventurave dhe ndërkaq pinte shumë, ishte shumë energjik dhe pëlqente jetën intensive. Ai ndërkohë ishte edhe shkrimtari më i mirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sa kohë që ishte gjallë, shkrimtari që i dha jo vetëm vendit të tij, por të gjithë botës një prozë të mrekullueshme, pa ato lajlelulet e shkrimtarëve viktorianë, një prozë të mprehtë, pa ujëra e me shumë përmbajtje dhe finesë. Ai u plagos në frontin italian gjatë Luftës së Parë Botërore, ra në dashuri me një infermiere të bukur, të cilës i kushtoi edhe librin “Lamtumirë armë”. Në vitin 1920 ishte në krye të listës së shkrimtarëve amerikanë dhe artistëve që përqafuan Parisin.

Mes tyre ishte edhe i famshmi Fizxherald. Në vitin 1930 ai shkoi në Spanjë për të luftuar për republikën, kundër Frankos dhe shkroi librin “Për kë bien kambanat?”, në të cilin një amerikan trim dhe hero bie në dashuri me një fshatare guerile me emrin Maria. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai mori pjesë në zbarkimin në Normandi dhe më pas ishte aty edhe ditën kur u çlirua Parisi. Pas lufte ai shkoi të jetonte i qetë me bashkëshorten e tij të katërt në Kubë. Aty peshkonte dhe ndërkohë shkruante kryeveprën e tij “Plaku dhe deti”, me të cilën mori edhe çmimin “Nobel”. Ngado që shkonte pritej si hero, e megjithatë i dha fund ditëve të jetës së tij në një hangar nga një aksident banal. Kjo të paktën është historia zyrtare. Në vitet që pasuan vdekjen e rij, megjithatë, nisën që të dilnin në dritë copëza të jetës së tij të panjohur. Për shembull, disa nga kujtimet e luftës. Hemingueji ishte vetëm 18 vjeç kur shkoi në Luftën e Parë Botërore, por jo si ushtar në betejë.

Ai kishte një problem me syrin e majtë, e megjithatë u plagos në këmbën e majtë dhe u shtrua në spital në Milano me tre pacientë të tjerë ku ndodheshin edhe 18 infermiere. Edhe pse romanca e tij me infermieren me të cilën ra në dashuri nuk u konsumua, Hemingueji ra në dashuri me artin dhe kulturën e Italisë, dhe pinte verë e shpesh kalonte një kohë shumë të bukur. Në Paris, ku ai shijoi idilin e parë me bashkëshorten e tij të parë, Hadley me të cilën solli në jetë djalin John, ai nisi që të bënte emër si shkrimtar, por nga ana tjetër demonstronte edhe ndryshime të mëdha të humorit dhe të temperamentit, duke i lënë shpesh njerëzit që e rrethonin të habitur. Kishte edhe një tendencë, që të kthehej kundër atyre që e ndihmonin më shumë. Në atë kohë braktis Hadlein me të birin dhe lidhet me Pauline Pfeiffer, një vendim për të cilin u pendua dhe u zhyt në një det faji. Me të shkuan në Florida. Aty u fiksua pas lojës me dema, sepse në vetvete i pëlqente gjaku dhe arti i të vrarit.

Në librat e tij, si për shembull në librin “Vdekja pasdite”, Hemingueji shkruan edhe për një lloj filozofie personale në lidhje me vdekjen, por ishte diçka e ngatërruar dhe e vështirë për t’u ndjekur. Kishte, ndërkohë pasion edhe peshkimin, madje peshkimin e rrezikshëm, atë në të cilin vihet koka në rrezik. Pikërisht në këtë periudhë, pra nga viti 1928 deri në vitin 1936, ai i dha vetes imazhin e njeriut muskuloz e të veprimit, të nxirë nga dielli, që pinte pa fund me peshkatarët. Në Spanjë, gjatë Luftës Civile nuk shkoi për të luftuar, siç bëri Xhorxh Oruell, por sepse e kishin dërguar që të raportonte për luftën. Ishte i dërguar i gazetës së Aleancës së Veriut. Një shkak tjetër ishte edhe se e dashura e tij e re, Martha Gellhorn do të shkonte gjithashtu aty. Për shumë kohë ka deklaruar se ai nuk kishte mbajtur anë në lidhje me palët gjatë raportimeve që bënte nga lufta, se kishte qenë i paanshëm dhe tërësisht i drejtë nga këndvështrimi dhe se nuk donte që të shihte Shtetet e Bashkuara të përfshira në një luftë përtej oqeanit. Por kur ishte në Madrid, pavarësisht bombardimeve, ai kaloi kohën më të mirë të jetës së tij duke shijuar net të gjata me vodka dhe haviar në ‘Gaylord Hotel’, zyrat qendrore ruse.

Hemingueji kërkonte që të shfaqej si një njeri luftarak, si një pjesëmarrës aktiv në luftë, ndërkohë që ishte thjesht një diletant me fat, që mund të largohej nga Spanja në çdo kohë që do ta dëshironte. Në lidhje me Madridin e vitit 1936, ai shkroi një dramë me titullin “Kolona e pestë”, në të cilën flitet për Dorotinë, një gazetare femër e cila dashurohet pas Filipit, një spiun të fortë, shumë pijanec, që ishte maskuar si korrespondent lufte. Në këtë pjesë rrëfen shumë pjesë të jetës që ai në të vërtetë i jetoi në atë kohë në Spanjë. Kur Amerika hyri në luftë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1944, Hemingueji shkoi në Britaninë e Madhe me një mision të ashtuquajtur “biznes prioritar”, dhe ndërkohë shkruante edhe artikuj për revistën e forcave ajrore britanike ‘RAF’. Ishte një detyrë e vështirë. Ai prenotoi një dhomë në Dorçester, ku hiqej si një shkrimtar i madh amerikan, fama e të cilit ende nuk kishte mbërritur në Europë, por shumë shpejt do të ndodhte.

Gjatë kësaj kohe merrte pjesë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha mbrëmjet dhe darkat e organizuara në hotel, duke marrë lart e poshtë komplimente për maçizmin e tij, trupin dhe mjekrën e famshme madje. Kur pësoi një aksident automobilistik, pasi kishte dalë i bërë tapë nga një mbrëmje me pije, Marta Gellhorn do të shkonte menjëherë në Britaninë e Madhe për të parë heroin e saj dhe do të qeshte me të madhe me bëmat e tij aspak heroike. Por Hemingueji, i etur për veprim dhe për një jetë intensive, u nis për në Normandi, në divizionin e gjeneralit Paton. Ai ishte në këtë mision një lloj korrespondenti lufte, që njëherazi pëlqente që të shfaqej edhe si një lloj ushtari apo njeriu luftarak.

Me çlirimin e Parisit, ai kaloi një kohë të mirë duke zbavitur të dashurën e tij të re, Mary Welsh. Është e lehtë që të hedhësh baltë ndaj Heminguejit, sepse nuk do të ishte e vërtetë që t’i mohohej ajo që ka bërë. Ai pëlqente shumë që të ishte i pranishëm në mesin e luftës, në betejën e Bugit, përmes Ardenesë, teksa shihte plumbat që merrnin jetë njerëzish dhe binin përreth tij. Por gjithsesi, mund të thuhet se ajo çka ai bënte nuk mund të quhet trimëri, por një psikozë vetëdramatike që ai kishte. Dhe më pas kur merr në shqyrtim imazhin e Heminguejit si hero arrin që të zbulosh një nënshtresë shumë të hollë vetëshkatërrimi. Zbulon se përgjatë gjysmës së jetës së tij ai është përpjekur që të vetëshkatërrohet.

Pikërisht në momentin kur ishte duke përfunduar veprën e tij “Lamtumirë armë” në vitin 1928, i ati i tij, Clarence, u vetëvra me një plumb në kokë. Dhe ky ishte fillimi i turbullirave të mëdha për shkrimtarin, ishte momenti kur bota nisi që t’i shembej pak nga pak. Një nga provat më të dukshme të kësaj ishin një sërë aksidentesh fizike të çuditshme që ndodhën njëri pas tjetrit, një pjesë e madhe e të cilëve kishte të bënte me përplasje të kokës së tij dhe madje edhe me dëmtime në vende të ndryshme të saj. Njëri prej këtyre incidenteve e la me një të çarë të madhe në kokë të cilën iu desh që ta qepte. Ai tha se ishte një incident që i kishte ndodhur në banjë ndërsa po përpiqej që të dilte nga vaska. Ishte rrëzuar dhe kishte shkaktuar të çarën e madhe. Por ishte një aksident që u pasua edhe nga shumë të tjerë të këtij lloji që nga jashtë të linin përshtypjen se diçka po ndodhte me të. Një tjetër aksident që i shkaktoi gjithashtu dëmtime ishte një përplasje që pësoi me makinë, pasi kishte pasur një zënkë me të dashurën e tij.

Ajo gjithashtu i shkaktoi një të çarë të madhe në kokë, e cila kërkoi shumë kohë që të shërohej. Tre muaj pas këtij aksidenti hipi në një motobarkë dhe bëri një rrugëtim shumë të rrezikshëm për t’iu shmangur zjarrit gjerman ndërsa ishte në Normandi, para zbarkimit historik. Ai si pasojë vuante shumë nga dhimbjet e kokës, nga pagjumësia, kishte shpesh të vjella, shfaqte probleme të mëdha të kujtesës ndërsa fliste, madje kishte raste kur kishte edhe probleme me të folurin. Kur u kthye në Kubë pas luftës u përplas sërish me makinë dhe shkaktoi prapë të çara në kokë. Pesë vjet më pas, ndërsa kishte pirë sërish pësoi aksident, por këtë herë me varkë dhe sigurisht si çdo herë dëmtonte veten. Në njëfarë mënyre ishte duke u përpjekur që të rivalizonte të atin. Por plagosjen më të rëndë e pati në janar të viti 1954. Ai dhe Mary u nisën nga Nairobi i Kenias me një avion të vogël drejt Kongos belge. Në afërsi të ujëvarës Viktoria, ai tentoi që ta ulte avionin dhe pati një ulje shumë problematike në një copë tokë shkëmbore. Për disa kohë askush nuk arriti që të kuptonte nëse ai ishte gjallë, apo kishte vdekur, madje u përhap edhe fjala se ai ishte vrarë për vdekje. Në fakt kishte, pësuar një frakturë në kafkë dhe bëhej fjalë për diçka të rëndë këtë herë. Por në fakt edhe këtë herë Hemingueji kishte qenë me fat. Edhe këtë herë përdori kokën për të dalë nga avioni i shkatërruar duke e goditur derën me kokë dhe duke dalë jashtë së bashku me Mary-n.

Vetëm pak minuta pas kësaj, avioni u përfshi nga flakët dhe u shkatërrua. Këtë rast ai më pas e tregonte gjithmonë si një pragmatizëm prej supermeni, por në fakt ishte rasti që mund t’i kishte marrë me të vërtetë jetën dhe ishte mrekullia e Zotit që e mbajti gjallë. Por dëmet që pati vazhduan që t’i krijonin probleme deri në fund të jetës. Në spital konstatuan se përplasja ia kishte dëmtuar skalpin e kokës në mënyrë të pariparueshme dhe i kishte prekur edhe njërin vesh. Madje, pak nga i ashtuquajturi lëngu cerebral i ishte derdhur në vesh duke e lënë shurdh. Fytyra i kishte pësuar djegie të shkallës së parë për të mos folur për ndrydhjet e gjymtyrëve, apo shembjet e brinjëve, çarjen e mëlçisë dhe shtypjen e veshkave. Si për çudi një rast thuajse i ngjashëm iu përsërit jo fort larg në kohë, por një muaj më pas.

Këtë herë tentoi që të shuante një zjarr të vogël dhe në vend që ta shuante ra në flakë dhe vuajti një djegie të gradës së dytë në këmbë, në shpinë, në buzë dhe në krahun e djathtë. Shija e vazhdueshme dhe kronike që kishte Hemingueji për vetëdëmtim mund të krahasohej vetëm me zellin e tij të madh për të pirë sasi të mëdha alkooli. Janë të shumta dëshmitë dhe dëshmitarët, të cilët e kanë parë të zbrazë shishe të tëra vere dhe konjaku gjatë mbrëmjeve të ndryshme që organizonte me miqtë, apo gjatë eventeve të ndryshme në të cilat merrte pjesë. Kishte raste kur përziente shumë pije njëherazi dhe zelli me të cilin pinte nuk ngjante me një varësi ndaj alkoolit, por me zellin për të dëmtuar dhe goditur veten. Ishte një tjetër dënim fizik që i bënte vetes. Kishte edhe dënime të tjera që i bënte vetes si dalje për peshk në temperatura shumë të ulëta çka i jepte një dhimbje shumë të madhe në veshka. Por problemi i tij me pijen vazhdoi që të përkeqësohej me vdekjen e të atit. Ernest shkoi te një mjek në vitin 1937 duke iu ankuar për dhimbje të forta stomaku. Por ai u diagnostikua në fakt me dëmtim shumë të rëndë të mëlçisë dhe mjeku i tha se nëse do të donte që të jetonte edhe disa vjet duhet që të hiqte dorë menjëherë nga alkooli. Sigurisht që ai e bëri veshin të shurdhër. Shtatë vjet më vonë, në vitin 1944, kur Martha Gellhorn i bëri një vizitë në spital ajo nën shtratin e tij gjeti shishe të tëra likeri të zbrazura nën krevat. Në vitin 1957, doktori i tij Aj Monnier i shkruante: “I dashur Ernest duhet menjëherë që të ndalosh së piri alkool.

Kjo është me rëndësi shumë të madhe”. Por Ernesti si edhe në rastet e tjera nuk e vuri ujin në zjarr. Çfarë ndodhte në të vërtetë me Heminguejin. Përse vallë gjithë ajo sasi alkooli e konsumuar, gjithë ajo dëshirë për të shkuar në vende betejash dhe luftërash, gjithë ato aksidente dhe përplasje të vazhdueshme të kokës? Kë po dëmtonte ai në mënyrë të vazhdueshme dhe shpesh të dëshpëruar? Çfarë donte që të provonte? Disa përgjigje dolën në vitin 2006 përmes një artikulli të gjatë në revistën “Psikiatria Amerikane”. Artikulli titullohej: “Ernest Hemingueji: një autopsi psikologjike e një vetëvrasjeje”. Ishte psikiatri Kristofer Martin ai që kishte lexuar me shumë kujdes të 15 biografitë që ishin bërë për Heminguejin dhe të gjitha shkrimet e tij dhe në përfundim dha një vlerësim për karakterin e vërtetë të shkrimtarit të madh. Edhe pse bëhet fjalë për një ekzaminim dytësor, gjithsesi është i vlefshëm. Mjeku nuk e pati aspak të vështirë që të konstatonte se shkrimtari i madh kishte vuajtur nga çrregullimi bipolar, varësia ndaj alkoolit, plagosja traumatike e trurit dhe me shumë gjasa edhe narcizizmi. Ai pa edhe se në familjen e Heminguejit prindërit e tij, fëmijët e tyre, vetë djali i tij dhe mbesa ishin të gjithë me diagnoza maniako-depresive.

Madje, mbesa e Heminguejit ishte e pesta në familje që kishte tentuar vetëvrasjen. Ishin pikërisht krizat e tij që e bënin Heminguejin shumë prodhimtar dhe gjenial në të shkruar. Megjithatë, sipas mjekut, traumat që kishte pësuar Hemingueji kishin ndodhur në dy episode të fëmijërisë. E ëma e tij shpesh e vishte të birin si një çupë e vogël dhe i thërriste kukull. Ai vazhdimisht e urrente të ëmën dhe mënyrat e saj të kontrollit mbi të dhe shpesh kur u rrit e përmendte në biseda të ndryshme duke iu referuar “kurva”. Por edhe me të atin nuk është se kishte ndonjë marrëdhënie të mirë. Ai e rrihte shumë shpesh të birin pa mëshirë me rripin e mesit. Nga inati që i ziente për brenda ai shkonte në oborr dhe bënte sikur i qëllonte të atit me armë zjarri në kokë. Kur ai vrau veten dhe Hemingueji ishte në moshën 29-vjeçare janë të shumtë ata që besojnë se Hemingueji u ndie fajtor, ngaqë kishte ëndërruar aq shumë që ta vriste. Për të qetësuar veten, ai fajësoi të ëmën për vrasjen e të atit dhe nisi që ta urrente edhe më shumë. Të gjitha këto situata duket se janë shtuar dhe rënduar në fund të jetës dhe ka shumë mundësi që ishin ato që e çuan në përsëritjen e aktit të të atit, në vetëvrasjen fatale që i mbylli jetën më 2 korrik të vitit 1961. /KultPlus.com

Të ngjajshme