Ernesto Sabato mbi Zotin, ligësinë dhe njeriun

11 Mars, 2022 - 12:06 pm

Ka plot gjëra për të thënë lidhur me fuqitë djallëzore, ngase ndërkaq, ndoca mendjelehtë seç pandehin se bëhet fjalë thjesht për njëfarë metafore, aspak për realitetin mirëfilli.

Mua sakaq, gjithmonë më pati grishur çështja e të ligës, atëherë kur në vegjëlinë time, qëndroja anash folesë së milingonave, me një çekiç në dorë, teksa ia filloja shfarosjes së insekteve të ngrata, pa asnjë mëshirë.

Paniku përhapej stuhishëm mes insekteve të mbijetuara, që ndërkohë vërsuleshin kuturu nga të gjitha anët. Pastaj e lëshoja ujin me zorrë; gjithçka përmbytej.

Ndërkaq përfytyroja çfarë ishte duke ndodhur në brendësi të folesë së milingonave, tërë veprimet emergjente, rendjet e pareshtura, urdhërat dhe kundërurdhërat për shpëtimin e depove me ushqime, vezët, paprekshmërinë e mbretëreshës, e kështu me radhë.

Si përfundim, e rrëmoja dheun përmbys me lopatën time, gërmoja gropa të thella, kërkoja guvat e milingonave, dhe shkatërroja gjithçka rrëmbimthi: një katastrofë e përgjithshme.

Pastaj rrija duke e vrarë mendjen thellësisht lidhur me kuptimin thelbësor të gjallimit, duke u menduar njëherësh edhe për dridhjet e tokës dhe përmbytjet tona njerëzore.

Rrjedhimisht pata shtjelluar vetvetiu disa teori të miat, ngaqë ideja se sundoheshim nga një Zot i gjithëfuqishëm, i kudondodhur dhe dashamirës, më dukej aq kundërthënëse, saqë nuk më shkonte kurrsesi në mendje ta merrja seriozisht si të mirëqenë.

Në kohën e mësymjes tashmë i kisha përpiluar sidoqoftë gjasat e mëposhtme:

  1. Zoti nuk ekziston fare.
  2. Zoti ekziston dhe është cazë qelbanik.
  3. Zoti ekziston, megjithëse nganjëherë është pak gjumash: ndërkohë që makthet e tij natore, shndërrohen në gjallimin tonë.
  4. Zoti ekziston, ndonëse nganjëherë çakërdiset, dhe pikërisht çmenduritë e tij, janë shndërruar në gjallimin tonë.
  5. Zoti nuk është i kudondodhur, prandaj nuk mund të gjendet kudo. Nganjëherë rrjedhimisht ai mungon. Mbase ndodhet në botë të tjera? Ndoshta merret me të tjera gjëra?
  6. Zoti është thjesht një djall i gjorë, që përballet me andralla tepër të koklavitura për fuqitë e veta. I ngratI, përleshet me lëndën, porsi artisti kacafytet me veprën e vet. Me raste, në ndonjë moment të caktuar, ai arrin të shndërrohet në diç të mahnitshme si Goya, ndonëse rëndom është një lëmsh i vërtetë.
  7. Zoti ishte mposhtur qysh në Agun e Kohëve, nga Princi i Mugëtirës. Si rrjedhojë, i mposhtur në këtë mënyrë, i shndërruar në njëfarë djalli edhe vetë, ai përçmohet dyfish, ngase atij i takset ky univers ogurzi.

Gjithsesi, gjasat në fjalë nuk i kam sajuar unë aspak, megjithëse në atë kohë, kështu besoja mirëfilli; më vonë sakaq, vërejta se disa prej tyre kishin qenë të rrënjosura thellësisht në bindjet e njeriut, veçanërisht hamendja për djallin ngadhënjyes.

Përgjatë më shumë se një mijë viteve, plot njerëz të paepur dhe tejet të mençur, qenë përballur me vdekjen dhe torturat, vetëm ngaqë e kishin zbuluar këtë të fshehtë.

Të gjithë i patën dërrmuar dhe degdisur, sepse mund të hamendësohet qartësisht se fuqitë që sundojnë këtë botë, nuk ndalen para çikërrimave, kur janë në gjendje të bëjnë, çfarë bëjnë përgjithësisht.

Prandaj, djajtë e ngratë apo mendjet e ndritura, qenë keqtrajtuar pareshtur, ishin djegur nga Inkuizicioni, qenë varur apo rrjepur të gjallë; ndërsa vendbanime të panumërta ishin bërë fërtele, dhe banorët qenë përndjekur.

Qysh nga Kina e gjer në Spanjë, fetë shtetërore, e patën fshirë nga faqja e dheut gjithfarë përpjekje për zbulesën e tillë.

Mund të pohohet sidoqoftë, se në njëfarë mënyre ia patën arritur qëllimit të tyre, ngase edhe kur ndonjë sekt nuk ishte shfarosur dot krejtësisht, ithtarët e tij do të shndërroheshin rrjedhimisht në burim të mëtejshëm gënjeshtrash e mashtrimesh…

Përktheu nga origjinali në spanjisht:

ELVI SIDHERI./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme