A është Anton Çetta ‘Nderi i Kombit’?

25 Shkurt, 2018 - 9:37 am

NDUE DEDAJ

Ndodh një vrasje në mes të Tiranës, për gjakmarrje, për më tepër e një oficeri policie, njeriu të rendit dhe ligjit, teksa gjykata kishte dhënë vendim me burg për vrasjen, për të cilën do shtihej si shpagim mbi njeriun me uniformë. Rast i ngjashëm me atë të pastorit në Shkodër dy vjet më parë. E mendja të shkon fill e te njeriu mit i pajtimit: Ah, sikur të ishte gjallë Anton Çetta! Mbase nuk do të kishte ndodhur kjo e ajo gjëmë. Habitesh se si në rrethana të caktuara historike mblidhet aq shumë fuqi te një njeri i vetëm. Aq shumë pushtet moral. Mbase më tepër se në të gjitha institucionet e shtetit së bashku, sigurisht kur shteti nuk është fuqiplotë e kësisoj i duhet njeriut të bëhet institucion. Anton Çetta është rasti unik i pajtimtarit ndër shqiptarë. Më 1990 ai ishte vetë zëri i Kosovës dhe Kosova mishërim i idealit të tij. Është njëqindvjetori i Pavarësisë dhe është normale të “kokrrohen” një nga një ata që janë balli i kombit në njëqind a një mijë vjet.

Po a është zyrtarisht Anton Çetta një i tillë? A është dekoruar ky tribun me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”? Kanë kaluar njëzet e dy vjet nga misioni i tij i paarritshëm, ku ai ishte protagonist (i një protagonizmi historik), por që nuk ia njihte meritat vetes, ashtu si dhe bashkëpunëtorët e tij të shquar, akademiku Mark Krasniqi, misionari Dom Lush Gjergji, avokati Bajram Kelmendi etj. “Studentët dhe studentet e Universitetit të Prishtinës ishin ata që i kryen pajtimet”, na thoshte një vit më vonë, me 1991, Anton Çetta, kur patëm rastin fatlum të takoheshim me të në Shqipëri. Ai dhe gjithë ekipi i tij pajtimtar, në shkrime e emisione televizive, kanë falënderuar ata që e pranuan faljen e gjakut. Por nga ana tjetër ata që falën dhe ata që u falën nuk dinë se si të shprehën për atë mision kombëtar dhe prijësit e tij. Është padyshim një nga ngjarjet e shënuara të njëqindvjetorit të Pavarësisë. Askush deri më sot nuk ka arritur të mbledhë 500 mijë vetë, sa këta misionarë të pashembullt, në vendin e quajtur “Verrat e Llukës” në Kosovë. Asnjë ushtri, asnjë parti, asnjë ngjarje tjetër kombëtare s’i ka bërë dot bashkë kaq shumë njerëz, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme të pajtimit ndër shqiptarë. Gjysmë milioni njerëz nuk i ka mbledhur në tubim asnjë udhëheqës shqiptar, cilido të ketë qenë, kryefirmëtar i Pavarësisë, mbret i shqiptarëve, diktator komunist, lider demokracie, këndej dhe andej kufirit, në mos vetëm Gjergj Kastrioti pesëqind vjet më parë.

Kur niste aksioni i pajtimeve, strukturat politike-policore serbe shkruanin në raportet e tyre se ky do të dështonte, pasi shqiptarët nuk e kishin në traditë faljen. Dhe kuptohet që ai mision kombëtar nuk do të kishte atë jehonë dhe atë peshë po të mos shihej dhe si një betejë morale me dashakeqësinë serbe, gjykuar mbase jo si sot, por në rrethana të tjera, kur Millosheviçi përgatiste gjenocidin dhe shfarosjen e shqiptarëve. “Babai i pajtimit” e quan Ramiz Kelmendi, Anton Çettën dhe të duket se nuk ka titull përtej këtij. Pajtimtarë të njohur kosovarë, në studiot e RTK-së, rrëfenin plot histori të dhimbshme. Një vajzë ishte betuar para të atit, kur ai po jepte shpirt nga plumbi që kishte marrë në arë, se do t’ia merrte gjakun!… Por ndërhyrja kishte qenë aq e fortë dhe, kur ajo vendosi ta falte gjakësin, shkoi pranë varrit të të atit bashkë me grupin misionar dhe iu drejtua atij, se po e falte për hir të Kosovës. Por nëse në Kosovë asokohe ndodhi mrekullia e gjakfaljes brenda një kohe aq të shkurtër, nuk ngjau e njëjta gjë në Shqipëri, në vitet e tranzicionit. Ngase këtu mungonte një Anton Çettë, i cili kur dëgjonte zëra “intelektualë”, se mjaft kemi bërë për vendlindjen, thoshte se gjithçka ka kufi, masë, cak, por jo ajo që ne duhet të bëjmë për Atdheun. Kjo është dhe urtësia më proverbiale e tij. Dhe ata që ia hynë demek punës për pajtimet nëpër malësitë veriore në Shqipëri duhej të mendoheshin se po “mateshin” me Anton Çettën, dhe sikur ta kishin me gjithë shpirt dhe jo sa për të mbijetuar shoqatat e tyre, që shpesh do t’iu nxihej faqja nga pazaret e gjakut.

https://www.youtube.com/watch?v=dlmJbA5G2JA

Pajtimi i Kosovës me 1990 është ndër faqet më të ndritura shqiptare të shekullit të 20-të. Ai nuk është një gjë në kohën e kryer. Ai dhe sot është një model komunikimi e mirëkuptimi. Shihni kronikat apo videot e kohës të shihni sa i përkorë është fjalori, sjellja, gjestet e Anton Çettës e të tjerëve, dhe njëherësh sa i rënduar është fjalori i politikës, gjestet, batutat, ironitë, përplasjet e ndërsjella të shefave politikë. Epo nuk janë e njëjta gjë, mund të thotë ndokush, politika dhe pajtimi. Sigurisht që ka dallim mes tyre, porse ajo politikë që ftoh, acaron, ndan, përçan, përjashton, rebelon, është regresive. Politika receptimin dhe leximin e parë ka miradien, të marrët vesh, të qenët mision. Por ky është keqkuptimi ynë me demokracinë. Prandaj ta kishim këtë vigan të urtisë jo vetëm për gjakmarrjen dhe pajtimin mes njerëzve të thjeshtë, por dhe për ujditë e sotme politike. Presidenti dhe Kryeministri (të dy të së djathtës) takohen sa për sy e faqe në Ditën e Europës në ceremoninë e organizuar nga ambasadori i BE-së. Dy politikanë të lartë (të së majtës) rrinë disa vjet në “hasmëri” politike, gjersa darkojnë në Gjirin e Lalëzit. E prapë na vjen të themi: sikur të ishte gjallë ai, burri simbol i pajtimeve, mbase ata të dy e ata të dy do të kishin folur më parë. Baca Anton do të kishte hyrë mes tyre, si atëherë, duke zgjatur dorën e pajtimit. Kryekrejet, mes të djathtëve e të majtëve. Demokratëve e socialistëve. Berishës e Ramës. Lidershipeve politike përherë të acaruara e në sherr njëzetvjeçar. Do ta niste kuvendimin urtë e butë, si kështu, more “bijtë” e politikës, po ne s’jemi në gjak, jemi vllazën, more të (pa)mjerë. Do të kishte hyrë dhe në mes të politikanëve të rinj të Kosovës kur ta donte puna. Apo ngaqë punët shpesh nuk na venë mbarë, e vetmja gjë që na ka mbetur është ajo shprehja asgjëthënëse: “Ah sikur të ishte ky apo ai shpëtimtar!…” Dhe se e dimë se punët e një populli, kombi, mirëqeverisjeje nuk bëhen me “sikur”. Sidoqoftë do të na i thoshte ca të vërteta Baca Anton, dhe nga ato që ai nuk i kishte për zanat (xetë e politikës), që fare mirë po i thonë të tjerë, Sarkozi në ditën e tij të fundit në “Elize”, Merkel me zgjedhjen e Presidentit gjerman etj.

Por le të kthehemi te “Nderi i Kombit”, diku i dhënë me bujari e diku i munguar. A është ky titull, apo një tjetër i ngjashëm, që jepet dhe nga Presidentja e Kosovës? Pasi kombi është në të dy shtetet, pa folur dhe për shqiptarët në trojet e tjera etnike? Shqiptarët më në fund në njëqindvjetorin e Pavarësisë do të kenë një abetare të përbashkët, po a mund t’i kenë dhe titujt kombëtarë të përbashkët? E figura si Anton Çetta do të ishin mbase më të përshtatshmet për një gjë të tillë. Të mos harrojmë, e kaluara nuk i kishte të ndara figurat e mëdha. Shtjefën Gjeçovi lindi në Kosovë, por shërbeu dhe atje dhe këtu. Korifenjtë e kombit e kulturës nuk kanë as pasaportë, as kufij. Bile dhe njerëz të shquar të huaj si albanologu i madh, At Zef Valentini, që sapo u dekorua në Tiranë me urdhrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ndërkaq, meqë jemi fokusuar në Kosovë, a janë të shenjuar për tituj nderues të lartë, në këtë 100-vjetor solemn, dhe Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Azem Shkreli?…

Dëgjojmë të bëhen dekorime në vazhdimësi, ndonjëherë dhe për figura “anonime”, duke u bërë shkas për batuta, si një rast ku njëri nga drejtuesit e djeshëm u përfol për shpalljen dëshmor të gjyshit, që kishte pas vdekur nga kafshimi i qenit të tërbuar dhe jo në luftën kundër shkjaut, siç pretendohej. Zor të mbërrihet te figurat e kombit, pa hequr dorë nga gjyshi, daja, kushëriri… patriot (i rrejshëm). Se pas dekoratave të rrejshme, vijnë monografitë e rrejshme, monumentet dhe bustet e rrejshme. Një soj Shqipërie historike e rrejshme. E pafalshme kjo veçanërisht në një jubile si ky, kur më shumë se kurrë duhet të shmangen dekoratat militante, krahinore, nderbërëse dhe të maturohet panteoni kombëtar.

Sa për Anton Çettën, do të na kishte hije të kishim dhe një titull nderi a medalje me emrin e tij fisnik. / KultPlus.com

Të ngjajshme