займ на карту онлайн потребительский кредит

Etjen për dituni s’ma shuan asgja

3 Shtator, 2018 - 10:18 pm

Nga Egzon Krasniqi

N ‘dhomën e ngushtë me sipërfaqe nëntë metër katror, ku errësira dominon pothujse tërësisht, mendimet mbulojnë çdo grimcë t ‘errësirës, mendja ndeshet në mijëra kryqëzime t’ngjarjeve, ngjarje që shpesh s’dojmë me i kujtu.
Rastësisht reflekton nji dritë nga jashtë n’qosh t ‘dhomës.
N’qosh asht tavolina e vogël, që n’fmini baba e pat punu me copa t’drunjëve, e pat gdhend aq mirë sa që atë kohë m’ka ndodh me qëndru ulun me orë t’shumta tuj lexu, ka ndodh që edhe kam fjetë n’ta.

Ktu nis rrugëtimi i mendjes, n’rrugën e fminisë.

Nana m’ka kallzu që hapat e parë i kam ba n’errësirë tuj u mundu me kap dritën e vogël që ndodhej n’shtekun te dera.

Shpesh këtë rast e meditoj, kshtu si sonte, ku e shoh t’kalumen me nji kandvështrim që shfaq shumë errësirë, ama mes saj ka pika t’vogla t’dritës, ashtu si drita e vogël te dera që m’ka ba kurioz me i afru e me i hedh hapat e parë.
S’jam fmiu i vetëm i familjes, e as i vetmi që kam rrugëtu n’errësirë, ama unë sonte jam vetëm, dhe i vetmi që mendja e ka fokusu.

Qysh n’fmini m’asht dasht me kërku driten, me kërku dituni.
Çdo njeri ka vujtje, por asnjëri në mënyrën e njajtë.
Ditunia asht kan drita e vogël që m’asht dasht me kap, ama e tan jeta errësirë.
Kur kam fillu klasen e parë, ditën e parë kam vesh teshat ma t’mira që i kam pas, jam nis i lumtun, lumtuni që zgjat shumë pak.

Kam shku i buzëqeshun, buzëqeshje t’cilën e kërkoj prej kohësh ama s’munem me e gjet, jo s’munem, ajo m’asht ngri prej momentit kur nji bullist fillon me përqesh veshjen tem, fillon me përqesh pantollonat e mia t’arrnume te gjuri.
Ishin pantollonat ma t’mirë për mu se t’vetmet ato ishin t’arrnume vetëm në një vend, të tjerat ishin aq t’grisuna që dhe arrnat që i qepte nana n’dritën e qirit ishin grisun.

Aty m’asht ngri buzëqeshja e lotët kanë mbulu t’tanë ftyren tem t’imët.
Kam marr rrugën për shpi, me lot n’sy, shikimin poshtë e nji gur tu e shkelmu pavetëdije deri në nji moment që kam pa veten n’gjysmë t’rruges.
Jam ndal kam kërku arsyen që kam me i dhan nanes pse s’kam qëndru n’shkollë.
S’gjeta asnji arsye t’rreme, vec se me ja than t’vërtetën, gjë që do ta pikëllonte tej mase.
Pata dëgju diku që nji lot i nanes vërshon tokën.
Jam ndal kam fshi lotët e jam kthy prap n’shkollë, mësuesi vec sa kish fillu orën e msimit, than ma mirë kish fillu prezantimin me nxansit e ri.
Mësuesi më kërkoi arsyen e vonesës, e vetmja arsye që m’erdhi n’mendje atë moment ishte ” kam harru me perqafu nanen”

Arrnat m’kanë ba me udhëtu n’errësinë ama shkronjat e para me shkru emnin tem kan ken e vetmja dritë e vogël.

Errësira asht ba pjesë e pandashme e jetës tem, n’gjimnaz e n’studime.
Gishtin e madh t’kames t’majtë e kam shumë inat, mbase asht msue me qëndru jashtë patikave t’mia, për dreq edhe kur blija patikat e reja ai për tre dite ka ba vrimën e ka dal jashtë.

Shpesh n’shoqni jam emnue si Luli i Migjenit, e kur dikush ka dasht me m’përshkru te dikush që nuk m’ka njoft, m’ka përshkru përmes gishtit t’madh t’kames t’majtë ose përmes jelekut t’zi t’punum prej durëve t’nanes.

Etja për dituni, asht e vetmja rrugë me mposhtë errësirën, e me ndez qofte dhe vetëm nji kandil.

Studimet i kam përfundu me libra t’huazumë prej miqëve, e sa here huazoja një libër e andrroja me pas biblotekën e tyre n’shpinë tem.
Sot, n’dhomën e ngushtë, rron tavolina e vogël, rron jeleku i punuar prej dorës t’nanes, rron bibloteka n’shpinë tem ama nana e baba jo, ato rrojnë n’shpitë e tyre t’përhershme.

Baba pat ndrru jetë kur unë isha n’klasën e tretë, ka qenë i sëmurë nga asma e shumë probleme me zemër, vdekja i pat ardh si rezultat i nji sulmi n’zemër prej gzimit se e pata marr pesë n’matrmatikë.
Nana s’ka pas probleme shëndetsore ose t’paktën ashtu ka qëndru para meje, e forte e asnjiherë s’i kam pa lot n’sy.
Ajo ka ndrru jetë ditën kur unë jam kthy n’shpi me diplome universiteti, kjo jo prej sulmi n’zemër, por aksidentalisht.
Prej gzimit se djali saj u certifiku me diplomë ka fillu me përgaditë bakllaven ma t’mirën që vec durt e saj kanë dijtë me ba aq t’shijshme, e për fatkeq në vend t’bakllaves ma servoi trupin e saj t’vdekun, vdekje e ardhun si rezultat i gjakderdhjes n’tru, e cila asht rrzu nga shkalla e katit e kryet e saj asht përplasun n’tavolinën e vogel t’punume prej babës e që atë kohë e mbaja n’koridor.

Kshtu errësira n’jetën tem asht dendsu, ama jo e tan drita jem asht shu.
Ai kandil që asht dhez dikur ka me qëndru edhe sot, dhe për aq sa unë rroj.
Kandili i vetëm n’jetë asht ditunia, cdo kandil tjetër mund të shuhet.
U zgjova prej shtratit ndeza llampen, mora nji libër që kishte kohë që se kisha hapun, në brendsinë e kopertinës shkruante ” ma mirë ta andrrosh nji biblotekë e ta lexosh nji libër n’dritë t’hanes në qoshe të ures, sesa ta kesh nji biblotekë e të andrrosh me lexu nji libër” , ky libër ishte dhurata nga një profesor gjuhe./KultPlus.com

Të ngjajshme