Fituesi i mbi dhjetë çmimeve në letërsi vjen në Kosovë, nderohet me “Çelësin e Qytetit”

15 Tetor, 2018 - 6:29 pm

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze të Prishtinës, në kuadër të veprimtarisë së tyre në fushën e edukimit dhe librit, më 16 dhe 17 tetor sjellin në Kosovë shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur nga Franca Mathias Enard, pesë nga veprat e të cilit tashmë janë përkthyer në gjuhën shqipe dhe botuar nga shtëpia botuese ‘Buzuku’.

Pesë veprat e përkthyera në shqip janë: ’Busulla’, ’Zona’, ’Përsosmëria e Qitjes’, ’Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët’, ’Rruga e Vjedhësve’. Në kuadër të misionit të tij letrar në Kosovë, Mathias Enard do të nderohet nga Komuna e Prishtinës. Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti do t’i ofrojë “Çelësin e Qytetit”.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, autori do të ketë, këtë program: E MARTË, 16 Tetor 2018 Vendi: Aleanca Franceze e Prishtinës, rruga Lah Nimlani 15 Ora 20:00 – Takim me publikun e Aleancës Franceze të Prishtinës, shkrimtari nënshkruan librat e tij për publikun. E MËRKURË, 17 Tetor 2018 Vendi: Komuna e vjetër e Prishtinës (Zyra e Kryetarit) Ora: 08:15- Ceremonia e dhënies së “Çelësit të Qytetit” nga Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti Vendi: Universiteti i Prishtinës ( Departamenti i gjuhës dhe letërsisë frënge) Ora: 10:30 – 12:00 Ligjëratë me titull « Meqenëse ata janë qenie njerëzore » Vendi: Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare Ora: 14:15 – 15:15 Takim i hapur me nxënësit e shkollave të mesme.

Mathias Enard, do të qëndroj në Shkup me datë 15 tetor, me 16 dhe 17 tetor në Prishtinë, ndërsa 18 tetor në Tiranë. E gjithë kjo vjen si rezultat i bashkëpunimit rajonal, në mes të ambasadave të Francës në Prishtinë, Tiranë, Shkup.

Mathias Enard (1972 – Niort, Francë) është romancier tashmë i njohur botërisht, specialist i gjuhëve dhe kulturave orientale. Ka studiuar persishten dhe arabishten, duke qëndruar një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme. Jeton në Barcelonë dhe ligjëron arabishten në qytetin e Barcelonës dhe të Berlinit. Deri më tani është vlerësuar me çmime prestigjioze dhe veprat e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë. Vlen të theksohet se në romanin e tij ’TREGOJU PËR BETEJAT MBRETËRIT dhe ELEFANTET’, ka për personazh kryesor një shqiptar, Mesihin nga Prishtina. INFORMATA PRAKTIKE Përkthimi: Të gjitha takimet dhe ligjëratat do të jenë në gjuhën frënge, dhe do të ketë përkthim shqip. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme