Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, NATO-ja pritej të bombardonte Serbinë…

24 Mars, 2024 - 8:09 pm

Ndue Ukaj

…Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, NATO-ja pritej të bombardonte Serbinë, e Marinit për herë të parë në jetë i pëlqeu fjala luftë. Sepse, kjo s’ishte luftë si të gjitha luftërat barbare, ishte luftë e drejtë, thoshte buzagaz, luftë për të ndalë një të keqe dhe si e tillë kishte trajtë hyjnore, sepse për të drejtën e mirësinë përherë duhej të luftohej, që t’i zgjeroheshin hapësirat kësaj toke.

Dhe “erdhi nata e dritës”, kështu e kujtonte Marini në shënimet e tij ditën kur filluan bombardimet e NATO-s kundër Serbisë dhe caqeve të saja ushtarake në Kosovë.

Atë natë qielli ishte plot yje dhe një hënë rrëzonte magjishëm. Ishte natë e mrekullueshme, natë që kishte të gjitha tiparet të quhej e shenjtë, natë e përlindjes, një si natë e kthimit dhe e rithemelimit të historisë; ishte 24 mars i vitit 1999, pikërisht një dekadë pas heqjes së autonomisë, kur Marini u përzu prej atij kopshtit të ëndrrave të tij, kur iu mbyllën dyert e shkollës, përgjatë së cilës kohë ai bëri jetë si endacak në kërkim të kuptimit të asaj, që mund të quhej jetë.

Atë natë, në orët e para të mbrëmjes, aeroplanë luftarakë, raketa të ardhura nga thellësia e detit prej Italie e ndriçonin qiellin dhe godisnin tokën, godisnin caqet serbe dhe Marini u mbush shpresë se shpejt këto caqe do të zvogëloheshin dhe perdja e tmerrit do të binte e liria do të kthehej në Kosovë.

Ato bomba pas një dekade e më shumë terrori ngjanin si instrumente të ëmbla muzikore, sepse ndëshkonin të keqen dhe e keqja përherë duhej ndëshkuar, që ajo farë të mos shumohej.

Por ç’ndodhi në orët, ditët dhe javët e fundit është e llahtarshme.

Serbët e tërbuar filluan spastrimin etnik, shqiptarët u dëbuan prej shtëpive dhe u përzunë prej tokave të tyre.

Marini pas gëzimit që i dha fillimi i bombardimeve, përsëri u plandos në kontinentin e trishtimi. Sepse, në ditët e para të prillit të vitit 1999, ai kuptoi se lufta mund të zgjaste, ndërkohë që lajmet tregonin një shfrenim të tërbuar serbe. Dhe ai i frikësuar, përditë priste çastin, kur forcat e terrorit të godisnin mbi të dhe mbi familjen e tij. Dhe sa herë mendonte për Donikën, e për të mendonte orë e çast, një heshtë zjarri i dukej se e digjte.

Ato ditë as linjat telefonike s’funksiononin. As ushqim s’kishte, vetëm terror kishte pafund.

“Prilli është muaji më mizori”, kishte shkruar shkrimtar i madh Tomas S. Eliot. Marini i trishtuar këtë varg e regjistroi në mendje dhe e shkroi në shënimet e tij. A ekzistojnë porta për dalë prej këtij terrori, prej këtij ferri, pyeste veten dhe krejt ç’mund të bënte ishte të vuante, të vuante pamasë, sepse vuajtjet s’kishin limite, përkundër gëzimeve, që vinin shpejt dhe iknin po aq shpejt.

Ndër ato ditë të ftohta pranvere filloi një eksod i madh. Njerëzit e pafajshëm, vetëm pse ekzistonin, kishin lindë, ishin frymorë e flisnin në gjuhën e tyre shqipe, pa i bërë kujt një të keqe kujt, dëboheshin prej shtëpive të tyre, shtëpive të tyre u vihej flaka, e dhunoheshin e vriteshin.

Kjo ishte fotografia reale e jetës së Kosovës dhe ato dhimbje të asaj pranvere formuan lumenj të mëdhenj pikëllimi.

Një natë të ftoftë prilli u rikthye sinjali telefonit dhe Marini u gëzua pa masë. Pasi biseduan me xhaxhain e tyre që jetonte në Zvicër, Marini i tërbuar provoi dhjetëra herë derisa në fund e kapi lidhjen dhe kur dëgjoi zërin e Donikës, prej gëzimit filloi të qajë.

-Mirë jam, i tha ajo.

Atij i shpërthyen një gurgullim lotësh gëzimi.

-Gjallë je, —tha.

– Po, — tha ajo.

– Në këtë ferr, edhe kur jemi gjallë, dyshojmë nëse jemi vërtet gjallë, tha ai.

Ajo s’tha asgjë.

Ai i tmerruar bërtiti:

– Alo.

Ajo u përgjigj me një alo të zbehtë si duke dhënë shpirt.

-Më ka gllabëruar frika, tha.

Te dytë kishin shumë fjalë, por asnjë s’dinte çka të thoshte.

Pastaj mes lotësh ajo i tregoi se shtëpia e saj ishte e rrethuar me forca të shumta paramilitare dhe kishte ditë prej kurrë s’kishte dalë as në oborr të shtëpisë.

-Në kodrën përreth fshatit, bëhet luftë e ashpër, — tha dhe filloi të rënkojë.

-S’do të takohemi më kurrë, —tha me një zë të trishtuar, si të ishte zë përshëndetje me këtë botë, zë i lamtumirës së trishtë dhe ikjes në botën e të vdekurve.

Marini ishte i pafjalë.

-Ti flet budallallëqe, — i tha me një zë që i doli si vetëtima.

Ajo s’foli.

Ai ndjeu një lloj marramendje, një lloj ikje prej botës së fjalëve në botën e agonisë, në një botë, ku përveç tmerrit s’shihej gjë, ku s’dukej as zëri mëshirues i një udhërrëfyesi.

Më mirë të ishim bashkë, i tha ajo.

Këtë ishin fjalët e fundit dhe atë çast linja telefonike u ndërpre, jashtë u dëgjuan sirena të aeroplanëve, pastaj bomba, pastaj u ndal rryma…

Bombat e NATO-s do ta zhdukin të keqen, këtë fjalë deshi t’ia thoshte, por i mbeten peng.

“Më mirë të ishin bashkë”, i tha ajo.

A mos deshi të thoshte, më mirë të vdisnim bashkë, mendoi Marini teksa fshinte djersët e ftohta në ballin e tij, që ishte vërshuar prej mendimeve të këqija.

Po, ashtu deshi të thoshte, mendonte me një pikëllim vdekje. Sa e padrejtë, e pashpirt, bërtiti…dhe zëri i saj i ushtonte në veshët e tij, i dukej se të ishte zë i përzier, zë që kërkonte diçka, që donte të thoshte diçka.

Pasi u ndalën sirenat dhe zhurma e aeroplanëve ushtarakë, erdhi rryma, ai me gjysmë zemre doli në dritaren kah perëndon dielli, hapi pakëz perden dhe u kredh në mendime. Jashtë kishte shumë errësirë, por jo më shumë se në zemrën e tij, e cila ishte kthyer në një zemër me zymtësi të zezë si qymyri.

S’kishte lot as që të qante.

Mendonte, po thithim të njëjtin ajër me Donikën dhe po vdesim me të njëjtën një dëshirë: të vdisnim bashkë, po kështu donte të thoshte ajo.

E atë natë, në orët e vona të mesnatës sërish u shpeshtuan sirenat e luftës. Dhe drita, zbardhi pa bërë sy gjumë, duke u sorollat brenda atyre katër mureve të dhomës së tij, që i dukej se po e hanin. Disa ditë me radhë ishin të tilla, të cilat ai as s’i regjistronte, kurse në javën e tretë të prillit u përkeqësua moti, ra borë dhe bënte ftohtë i madh. Gjithçka dukej se ishte ngri.

Për të kishte vetëm terr. Natë e tmerr shpirtëror. E në një mëngjes të hershëm, ende pa zbardhë mirë drita, në derën e shtëpisë së tyre u dëgjuan disa trokitje të frikshme dhe shpejt dera u thye. Pasoi një ushtimë fjalësh të ashpra policësh që bërtisnin me një serbishte skëterre. Dhe shpejt, ajo ushtimë pushtoi shtëpinë. Policë e ushtarë me helmeta lufte në kokë, hynë brenda, për t’i arrestuar, për t’i vrarë, për t’i dëbuar, kush mund ta dinte për çka?

Policët bërtisnin si të çmendur, përplasnin e shkelmonin gjithçka shihnin përpara. Rrëzuan një kryq, pastaj e thyen portretin e Gjergj Kastriotit, shanë e pështynë mbi të. Një grumbull policësh me hapa të rëndë u ngjitën në katin e sipër; e kapën të ëmën për flokësh, e shtynë dhe e përplasën për muri. Një polic trupgjatë e shkelmoi bythëve, kurse një tjetër e kapi sërish për flokësh dhe e solli si të ishte kukull. Një tjetër ia rrëmbeu një zinxhirë prej qafe, të cilin thoshte se do t’ia falte Donikës porsa të martoheshin.

Ai mendoi se gjithçka morri fund për ta. Kjo skenë ishte përtej fjalëve e matanë trishtimit. Ndërkohë, Nora lëshonte rënkime vdekje. Fytyra e saj engjëllore ishte e sakatosur e me njolla gjaku. Dy policë e kishin mbërthyer për flokësh dhe ia ndukën një grusht. Ajo piskati. Një polic e goditi me kokë automatiku në bark. Ajo u rrëzua në dysheme. Ato çaste tmerri, mendja i shkoi te Donika dhe fjalia e saj “më mirë të ishim bashkë…”

S’po vdesim bashkë, deshi të bërtasë dhe një si ushtimë vdekjeje e theri në zemër. Në atë rrëmujë u dëgjua zëri i të atit, hapi sytë dhe pa atë të lidhur me pranga dhe nën tytën e automatikut. Dy policë e grushtonin herë në shpinë e herë në kokë, por ai s’qante, ishte fytyrëtrishtuar dhe me njolla gjaku që i rridhnin në fytyrë.

Dikur e lidhen atë. Një polic e goditi fuqishëm në bark. Një tjetër e grushtoi në fytyrë, nga hundët i shpërtheu gjaku, e një zë dhimbje si të ishte nga fundbota doli prej gojës së tij, një oh që u duk se s’ ishte i tij, një oh i vdekjes.

“Më mirë të vdisnim bashkë…”

Dhe ai ndjeu shijen e gjakut në gojë, të bashkuar me lot që formonin një lëng dhimbje që s’mund ta përshkruanin fjalët njerëzore, fundja s’kishte arsye ta përshkruanin, sepse ky ishte kontinenti më i skëterrshëm i torturës njerëzore, ku vdekja ishte shumë e ëmbël kundruall jetës, jo, kësaj s’i thuhet jetë.

Pas disa minutash duarlidhur të gjithë i grumbulluan në oborr si të ishin bagëti.

Ishte një mëngjes i ftohtë, ku gjithçka dukej se ishte mbështjellë me akull vdekjeje.

Atij çdo minutë i dukej se po jepte shpirt dhe lutej që vdekja të trokiste sa më shpejt, me atë heshtjen e saj mizore, ta rrëmbente dhe ta vendoste në botën e saj të pa kthim.

“Më mirë të ishim bashkë…”

(Fragment nga romani “Dritarja e Marin Shkrelit)

Të ngjajshme