Ftohen aplikantët për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

3 Korrik, 2021 - 9:30 pm

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka dalë më një njoftim zyrtar, duke dhënë detaje për edicionin e radhës, për të cilin edhe ka shpallë thirrjen e hapur për aplikanët, shkruan KultPlus.

Në këtë njoftim përpos që janë bërë të ditura edhe datat e këtij edicioni, poashtu janë bërë të ditura edhe pikat në të cilat fokusohet ky edicion. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e organizatorëve.

Thirrje për aplikim

Të dashur miq,

Seminari XXXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do t’i zhvillojë punime nga 23 gusht – 3 shtator 2021.

Aplikimet tuaja për pjesëmarrje me punime ose për ndjekjen e kurseve të shqipes (për studentët e huaj) mund t’i dërgoni deri më 20 korrik 2021.

FAKULTETI I FILOLOGJISË I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS

Prishtinë, Rruga Nënë Tereza, pn. KOSOVË Tel. +38138 222 970

E-mail: [email protected] , [email protected]

Drejtor: Prof. dr. Shkumbin Munishi

Bashkëdrejtore: Prof. dr. Dhurata Shehri

Sekretar: Prof. asoc. dr. Anton Berishaj

Bashkësekretare: Prof. asoc. dr. Linda Mëniku

Sekretarë profesionalë: Dr. Kadire Binaj dhe MA. Mensur Vokrri

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tetë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

SEMINARI XXXIX DO T’I ZHVILLOJË PUNIMET NË PRISHTINË NGA 23 gusht – 3 shtator 2021.

Arritja e seminaristëve në Kosovë, më 22 gusht 2021 (e diel). Hapja solemne e Seminarit XXXIX, më 23 gusht 2021, në orën 11:00.

Programi bazë i Seminarit XXXIX:

1. Kurse intensive të mësimit të shqipes (tri nivele);

2. Ligjërata të veçanta të gjuhësisë;

3. Ligjërata për letërsinë shqiptare;

4. Ligjërata për kulturën shqiptare;

5. Tryeza;

6. Referime shkencore;

7. Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore dhe historinë, si dhe me veprimtaritë kulturore në vende të ndryshme të Kosovës.

SESIONET SHKENCORE (2 – 3 Shtator 2021)

Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (2 – 3 Shtator 2021) janë:

I. Gjuhësi:

1. Struktura e shqipes së vjetër

Në zhvillimin e saj historik gjuha shqipe ka ndërtuar tiparet e saj strukturore, të cilat në të kaluarën kanë qenë objekt studimi i shumë studimeve historike-krahasimtare. Në sesionin e sivjetmë të Seminarit do të diskutohen përsëri aspektet e ndryshme që kanë të bëjnë me strukturën e shqipes së vjetër, ashtu siç del e pasqyruar në shkrimet e vjetra, dhe tiparet strukturore të saj. Inkurajohen pjesëmarrësit që në studimet e tyre të trajtojnë çështje e probleme konkrete strukturore që lidhen me sistemin e shqipes së vjetër.

2. Shqipja dhe varietetet e saj

Shqipja e sotme ka manifestime varietetesh e formash të ndryshme gjuhësore të cilat kanë mbështetje të ndryshme gjeografike, shoqërore e kulturore. Në kuadër të kësaj teme pjesëmarrësit janë të ftuat të trajtojnë çështje shumëdimensionale që lidhen me varietetet e shqipes, me strukturën, funksionet dhe përdorimet e tyre.

II. Letërsi:

1. Letërsia shqipe: vetmia dhe veçimi

Këto topika të forta të letërsisë universale me prani të gjithëkohëshme në letërsi, kanë lënë gjurmë e janë bërë produktive edhe në letërsinë shqipe. Një hetim i gjurmëve dhe relacioneve me topikat, poetikat, periudhat, autorët dhe gjinitë e letërsisë shqipe është i mundur. Vetmia dhe veçimi shfaqen edhe si gjendje e parakushte të krijimit në përgjithësi dhe atij letrar në veçanti.

Duke u nisur nga këto dy prerje të mëdha, letërsia shqipe mund të hetohet e interpretohen nën dritën e:

a. Vetmisë si parakusht i kërkimit, zbulimit dhe krijimit të vetvetes dhe botës;

b. Vetmisë dhe veçimit si ndërtim e zotërim i vetvetes dhe i identitetit personal;

c. Veçimit prej shoqërisë si distancë higjenike prej “tjetrit” ( edhe ai i zbulueshëm pikërisht prej vetmisë dhe veçimit) për të zbuluar kufijtë e vetvetes;

d. Mungesës së veçimit social si parakusht e produkt i letërsisë së masës;

e. Vetmisë dhe veçimit të individit krijues nga shoqëria, dukuri e “izma-ve” letrare të shekullit XX, edhe në letërsinë shqipe.

2. Mësimdhënia e letërsisë për nxënësit e mijëvjeçarit të ri

Kjo temë ka në qendër idenë e mësimdhënies së letërsisë në një brez të ri nxënësish që konsiderohen “të lindur” me teknologjitë te reja, pra nxënësit e mijëvjeçarit të ri të cilët kanë një qasje krejt të ndryshme me librin e leximet nga mësuesit e tyre, por edhe në përgjithësi me “emigrantët”, siç quhen të gjithë ata individë që teknologjitë e reja i kane mësuar dhe janë adoptuar me to që në moshë të vogël. Nisur nga kjo premisë, edhe mësimdhënia e letërsisë ka reflektuar e po reflekton në botë. Po në arealet shqipfolëse si rezulton kjo qasje në të gjitha nivelet: të programeve, të teksteve, të mësuesve, si dhe të programeve të masterave që diplomojnë mësues letërsie?

Rasti i mësimdhënies digjitale gjatë periudhës së pandemisë, më shumë se një vit në te gjitha nivelet e mësimdhënies së letërsisë mund të shërbejë si një casus për të analizuar disa prej çështjeve të sipërpërmendura.

III. Kulturologji:

1. Roli i medias në periudhën e infodemisë

Fjalën ‘infodemi’ që për herë të parë në 2003 e ka përmendur një artikull i Washington Post-it, e ka ripërdorur Organizata Botërore e Shëndetësisë në shkurt të vitit të kaluar si ‘infodemi masive’, që po e shoqëron shpërthimin e pandemisë të Covidit. Ky term për OBSH-në nënkupton vërshimin e madh të informatave rreth virusit, një pjesë e të cilave nuk janë ta sakta dhe e vështirësojnë gjetjen e burimeve të verifikuara për publikun.

Në periudhën e post-së-vërtetës, diskursit popullist, dhe zhvillimit marramendës të teknologjisë digjitale, po bëhet gjithnjë më e vështirë të dallohen informacionet faktike nga propaganda. Dezinformatat për coronavirusin po shpërndahen po aq shpejt sa edhe vetë virusi, duke filluar prej ilaçeve mrekullibërëse të mjekësisë alternative e deri te aktivizmi për anti-vaksinim dhe teoritë e konspiracionit. Lajmet e rreme që shpesh janë të dorës së dytë apo të tretë, bëhen virale sidomos nëpër rrjetet sociale, dhe pakkush nga publiku ua kushton ato 20 sekonda të larjes së duarve edhe verifikimit të burimit apo kërkimit të thjeshtë në Google. Infodemia shkakton efekt të fuqishëm emocional duke i lënë anash gjykimin racional dhe mendimin kritik.

Cili është roli i medias në këtë kaos infodemik?

2. Fake news në epokën e vetëkomunikimit

Sot kemi kaluar tashmë nga epoka e komunikimit në atë të vetëkomunikimit, kur individët behën njëkohësisht edhe dhënës edhe marrës të mesazheve. Një nga problemet që shfaqet rëndom në këtë epokë vetëkomunikimi është fake news (lajmi i rremë) që është shndërruar në dukuri sot në botë. Mënyrat e hetimit dhe zbulimit të fake news, raporti i lajmit të rremë më mediet tradicionale dhe ato të reja, reagimi ndaj tij dhe pasojat që krijon në komunikim e vetëkomunikim mund të jenë disa nga këndvështrimet nga mund të shihet dukuria e fake news në epoken e vetëkomunikimit.

Abstraktet deri në 300 fjalë në shqip dhe në anglisht dorëzohen deri më 20 korrik 2021 në e-mail adresën [email protected]. Abstraktet duhet të përmbajnë temën dhe qëllimin e hulumtimit, sfondin kërkimor dhe metodologjinë si dhe rezultatet e pritura. Po ashtu, luteni të shkruani një biografi të shkurtër dhe të specifikoni nëse aplikoni për sesion shkencor apo referim shkencor. Vlerësimi dhe përzgjedhja e punimeve bëhet deri më 25 korrik 2021.

Studiuesit nga Shqipëria duhet të aplikojnë në bashkëdrejtorinë e Seminarit në Tiranë (e-mail adresa: [email protected]).

Po ashtu, ftohen studiuesit të cilët nuk do të mund të jenë pjesë e Seminarit të sivjetmë dhe ta shpalosin punën e tyre shkencore, që t’i dërgojnë punimet e tyre për botim në revistën e Seminarit 39. Punimet të cilat duhet të përmbajnë abstraktin në shqip dhe anglisht dorëzohen deri më 1 dhjetor 2020 në e-mail adresën [email protected].

Do të botohen vetëm punimet që janë vlerësuar të botueshme nga recensentët (blind peer reviw).

Drejtoria e Seminarit./ KultPlus.com

Të ngjajshme