Gazetarët Shënojnë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me protestë

3 Maj, 2018 - 2:32 pm

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur protestë në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Me këtë rast anëtarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Majlinda Aliu theksoi problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët.

“Vetëm brenda pesë muajve ne si AGK kemi pranuar 8 raste të kërcënimeve, sulmeve fizike dhe dëmtimit të pronës së gazetareve, dhe natyrisht për këto veprime janë të njoftuar edhe policia dhe prokuroria. Por këto institucione nuk është se po tregohen shumë efikase se po i shtyjnë këto marrin veprime konkrete për të mbrojtur gazetarët”, tha Aliu.

Ndërkaq, Kryetar i Asociacionit te gazetareve serb në Kosovë Budimir Nicic përmendi se gazetarët nga komuniteti serbë kanë ankesa të vazhdueshme kur është në pyetje ligji i gjuhëve.

“3 majin po e presin edhe vrasësit e kolegëve tanë e që janë 8 shqiptarë dhe 7 serbë, ndërsa 5 prej tyre ende konsiderohen si të zhdukur. Dhe sot kemi 4 kërkesa dhe e para është që Gjykata Speciale për krime lufte të marrin edhe rastet e gazetarëve të vrarë që janë në mandatin e tyre. E dyta është që prokuroria e Prishtinës dhe EULEX-i të fillojnë hetimet për ato raste tjera që nuk janë në mandatin e Gjykatës Speciale” tha Nicic.

Ai tha se ankesa e veçantë është në Kuvendin e Kosovës i cili ofron përkthim kur deputetët e komunitetit serb deklarohen në Kuvend e mëpastaj përkthimi në serbisth nuk vazhdon kur deputetët shqiptarë deklarohen.

Tema e sivjetme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) është “Të mbajmë pushtetin nën kontroll: Media, Drejtësia dhe Sundimi i Ligjit” dhe rëndësia i kushtohet rolit të gjyqësorit të pavarur që siguron garanci ligjore për lirinë e shtypit dhe ndjekja ligjore e krimeve kundër gazetarëve.
AGK po ashtu ka në orientimin e saj që të përmirësoj dhe rris bashkëpunimin me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë dhe pikërisht për këto çështje do të protestojmë me moton: “Mosndëshkimi vret lirinë e shprehjes”.

Të ngjajshme