Gostia letrare e artistike e Aliut

1 Qershor, 2020 - 7:59 pm

(Recension për librin “Gosti në natën e parë të vjeshtës” të Gëzim Aliut)                                                       

Nga: Qëndresa Kuleta

Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës”  i autorit Gëzim Aliu  shfleton përpara lexuesit shumë ngjarje e personazhe, lojë,erotizëm, ironi e trishtim.Një roman i gjatë që degëzohet në disa gjëra tjera.

Ideja apo vizioni i autorit na shfaqet  pa tituj por me një ndarje, të cilat shfaqen si storie në mes të romanit, një rrjetë fabulare që lexuesi mund ta sheh se ku fillon një  ide e ku po mbaron tjetra.

Një roman që përmes protagonistit Cen Berisha shpreh një distancim të autorit  nga ngjarjet e treguara,  qoftë  ajo për luftën e fundit në Kosovë, qoftë  lufta me vetveten.

Një lidhje ideore e ndarë  në tri periudha  paraluftës, gjatëluftës dhe pasluftës ,që shkëputen në ndërkohë për t’u bashkuar më vonë në lexim e tutje –një fiksion në mënyrë kronologjike .

Organizimi i lumtur në natën e stinës plot surpriza, protagonistin kryesor Cenin, së bashku me gruan e tij Anitën i gjenë si një biom i një rrëfimi me plot gjendje emocionale e psikologjike.

Anita një juriste dhe artiste e pastër që kujdeset tepër për veshjen e për pamjen e jashtme, organizon “Gostinë kulturore”, ku hahej, pihej, flitej e filozofohej me fantazmat e kulturës, artit e të letërsisë.Ndërsa, Ceni skenaristi kryesor ishte ai që e përjetone këtë furishëm që përkundër vullnetit të tij bëhet nikoqir i artistëve, gjysmë-artistëve, pak-artistëve dhe asnjëtrohë artistëve të  këtij organizimi kulturor.

E vendimi i prerë i  Cenit për ta djegur dorëshkrimin e tij në këtë organizim,të cilin assesi nuk po mund ta botonte është  ideali i tërë romanit. Gjuha e pastër e qartë, rrëfyese, emocionale e ironike është ajo që sjell tek lexuesit kuptimin e këtij romani, e që rrëfimtari arrin saktë të depërtojë thellë mbrenda duke i mbështetë idetë  autoriale. Autori personazhet e gostit, i seleksionon me mbiemra të paqartë, por i vlerëson si njerëz të dashur, intelektual ,vizionar e me një qëndrim dinjitoz. Një ndërlidhje ironike në mes përshkrimit të tyre dhe profesionit që kanë. Shpesh herë ai i ironizon  për punën e tyre dhe shfaq një kritikë për artin në përgjithësi. Pra, janë personazhe që pajtohen se arti është subjektiv. Duke kritikuar edhe tenorët e piktorët, pasi sipas tyre arti shihej si pasuri materiale e jo artistike. Nuk mungon as bota poetike, ku përmes vargjeve interesante personazhi Gazmendi,  na i shpalos disa poezi klasike .

“Po të ishe ti Kishë/ e po të isha unë/ Besimtar/ do të vija të lutesha/ në gjunjë te ti/ por ti nuk je Kishë/ as unë Besimtar.”[1]

Tregimet, e rrëfyera në gosti, qoftë përmes Cenit ose vetë  narratorit

reflektojnë, shoqërinë, luftën, politikën, krimin, njeriun e zakonshëm dhe atë të pazakonshmin. Janë ato tregimet që vijnë si episode filmike, por që në thelb përbëjnë një vijë fabulare të romanit. “Pëllumbat e luftës” është një nga tregimet dramatike ku përveç sakrificës për t’i vrarë pëllumbat, vjen edhe sakrifica për të nxjerrë kafshatën e gojës –një fat i shkatërruar nga lufta.

Një gërshetim rrethanash e ngjarjesh  që ndodhin fatkeqësisht, por përfundojnë me një fund të mbarë e të lumtur, autori e rrëfen edhe në  sinopsisin e një skenari të gjatë, midis dajës së Cenit, Skënderbegut dhe Shehides, me të cilën bën lojra sa për të shkuar kohën, mirëpo nuk don ta martoj . Ndikimi i ushtruar me forcë nga vëllau i Shehides dhe nga sulmi me thikë nga policia serbe , Skënderbegun e kthen në hero, patriot ,duke martuar atë  dhe duke ndihmuar atdheun.

Lufta, marrëzia e dashuria janë edhe disa nga temat që autori na i servon në tregimet “Heronjtë”,”Ujku” ,”Njeriu i zakonshëm” që autori herë fshihet në personazh e herë shfaqet  në mendimet e tyre duke i seleksionuar me disa nga citatet qëllimore në eksperiencën e rrëfimit.

 “Nëse veprën letrare nuk e ngroh gjaku i vërtetë i autorit , ajo nuk është e gjallë” [2]

“Nëse grimcat elemtare i kemi të njëjta ,ato do të duhej të bashkoheshin .Ndarja jonë dëshmi se ligjet e kozmosit janë ligje të kaosit “[3]

Aliu është realist në vizatimin e ngjarjeve, jo duke gjykuar, por duke rrëfyer dhe jo atë me zërin e vet , por me anë të atyre që përbëjnë gostinë e përditshmërinë, jetën e romanit.

Duke prekur pikën kulminante autori arrinë të na jap njëkohësisht edhe  përfundimin e romanit, me vendoshmërinë e Cenit për ta djegur dorëshkrimin. Siç e thotë edhe vetë vepra….kishte ardhur momenti i ekzekutimit. Kishte ardhur pika kur duhej nisur fundi. Kishte ardhur çasti kur do ta braktiste shkrimin [4]…Distancimi i protagonistit nga dorëshkrimi shfaqet në një vijë me distancimin e autorit nga skena e shthurur pseudoelitash ,që në realitet ky distancim demaskon gënjeshtrën si në art, ashtu edhe në jetë.

Shpejt, tha me vete. Kur vjen çasti , çdo gjë ndodh shpejt. Jeta është e këtillë. Fat dhe rastësi që rrjetëzohen pakëputur, mendoi [5]

Pasqyrimin e komikes të  kthyer tashmë  në  gjendje tragjike,  Aliu e zbërthen,në momentin kur personazhin kryesor  e lënë me dorëshkrimin e tij, tashmë të lagur e të nxirë, ani pse çdo gjë rreth tij ishte djegur nga zjarri i ndezur, vetëm arti-dorëshkrimi i kishte mbetur në duar , pa dyshi, një gjendje pa rrugëdalje që vjen nga mospërputhja ndërmjet synimeve të protagonistit e mundësisë së realizimit. Përmes këtij akti brutal autori na dokumenton pushtetin e artit dhe pafuqinë e artistit.

Si përfundim mund të themi se sinteza e fjalive në fillim të  romanit   “Jeta është rrëfim …..i shkatërruar …bërë copë-copë brutalisht….Nuk mund të jetë ndryshe! Është fenomeni i  tërë  natyrës teorike që autori parashtron  , duke na bërë me dije që duhet të  rrëfejmë  për jetën. Përndryshe ajo mbetet ashtu siç është, duke u zhvilluar pa dëshmitar. Ashtu siç arrin Aliu që përmes rrëfimeve postmoderniste të na jap tri dimensione kohore të ndryshme  në një rrëfim filozofik duke kuptuar e përjetuar pa ndjeshmëri të tepruar, pa frikë e vuajtje. Një ndërlidhje  e kohës moderne me atë të shkuar, një pasqyrë e rrëfimeve sociale, psikologjike e erotike të jetës

 Vepra “Gosti  në natën e parë të vjeshtës” kërkon një lexues të palodhur dhe mjaft të përgatitur si nga ana psikologjike e realiste, pasi  që nuk janë minimizuese rrëfimet e jetës së  narratorit, ngjarjet e vitit, dimensioni kohor, kulturor e social.

“ Gosti  në natën e parë të vjeshtës” është një roman i rëndësishëm në prozën e sotme shqipe.

[1]Gëzim Aliu: “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, Koha, Prishtinë, f. 64.

 [2]Aty, f.198.

[3]Aty, f. 223.

[4] Aty, f. 230.

[5] Aty, f. 232.

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë). /KultPlus.com

Të ngjajshme