Grua, ti je vetë poezia që shkruaj, je kremte e çdo çasti hyjnimi

21 Mars, 2023 - 10:00 pm

Kur lindi fjala, poezia kishte populluar botën, ti hyjnoje në këtë bekim, frymoje në gjithçka e pulsoje te çdo trill. Nga Kopështi i Edenit deri në lirikat flakatare të Petrarkës, mistikën e buzëqeshjes së Xhokondës, gjithësinë e çdo shkrepëtime të Rrugës së Qumështit, grua, brinja e shkulur e zanafillës, plaga e çdo psherëtime, ligjërimi adhurues i gjithë perëndive, poezia e parë që stolisi buza e çdo këndimi, krijimi që në fill.

Ti grua që hyn e del nga qenia dhe qiejt n’Apogje zotëron, deteve kridhesh te çdo Nimfë, dehjeve jepesh te çdo puthje, poezi je, ata që mëkuan shpirtin e mëtuan magjepsjen.

Ti që del nga sythi në mugëtim, e shpërthen hirshëm në shkasin e çdo teatraliteti të natyrës.

Grua, ti poezi e çdo vargëzimi që u ngjiz në ty me qenien dhe u lartësua qiejve me përulsinë dhe devocionin e nënës misionare. Ij çfarë stolisja e krejt shpengimeve nxjerr nga shpirtja e artit e të derdh në idilikën e pasioneve që gjunjëzon drita, ij gjithëçfarë është këndim dhe vaj, ij vetja e gjithësive në një çast.

Grua, ti lule e lirizëm poetikash dehëse, simfoni e tingull i çdo adhurimi, ti që shpërthen nga eteri si bima nga fara dhe hap krahët, gjoksin kreshpëron me gjinjt plot limf e hëna, flakesh e kuqëlon shegë dhe gjak, turpërohesh e dalldis, mëkon dritë e dielli, përkundesh rrezeve ku ti shuan etjen biblike të mëkatit e çlirumit nga zgjedha, për të qenë Evë e mbetur ëndje e çdo ëndërrimi, e purifikuara e çdo Parajse.

Grua, shëmbëllimi i çdo stine, verë paganizmi e çdo kremte në ty, verë që ngas e deh.

Grua, ti llojshmëria gazmimi, vetë vullneti i hyjshëm i atij komunikimi të magjishëm të natyrës me të gjallët e tokësores sonë, kopuluar në një qiellore eterne përmes përjetimit dhe forcës krijuese, hirit që në ty është thelbi, vetë qëllimi.

Grua, porta prejnga hyn perandoria e shpërblimit përmes mrekullisë, ti vullneti i bekuar që Krijuesi zbret me prehrin përplot shpërblesë dhe sfidë.

Grua, ditë vere, kumt pranverimi, kremte shenjtërimi e poezisë, je në çdo ditë të stinëve të trupit tënd, kopështi ku çelin të gjitha lulet e kundërmojnë krejt aromat, zemra ku thuhen më përgjërueset lutje dhe shpirti yt cak celebrimesh ëndërrtare.

Grua, zgjedh ti se çfarë lule don të jeshë dhe me kë rreze dëshiron të përqafohesh për të rrënjëzuar frymë dhe afsh në kurmin që i blaton mrekullimit që në ty pin gji.

Grua, unë të dua dhe kjo më dhemb, ndaj shkruaj për ty.

Asnjë tjetër shpërblim lumturimi nuk ma mbushi shpirtin veç asaj që je, që më bën të jetoj hirshëm dhe të vuaj bukur, asaj që s’mund dhe s’duhet të jesh ndryshe, veçse grua që drithëron në çdo varg, e hyjnon në çdo poezi që shkruaj për ty.

Albert Vataj

Të ngjajshme