Hans Andersen, gjeniu i përrallave magjepsëse të një bote ëndërrimtare

2 Prill, 2020 - 5:00 pm

Unë do të bëhem i famshëm’, shkruante ai në ditarin e tij. Asgjë veç këtij përkufizimi dëshirues dhe një jete andrallash nuk ishte në të mundshmet e djalit të një këpucari dhe një nënë analfabete. Por fati është gjithnjë me atë që beson në ëndrra. Ishte edhe me Hans Christian Andersen.Ne vërtetë jemi të rritur, por ndaj atij që na mësoj të ishim fëmijë i detyrohemi shumë më shumë se sa një mirënjohje, një ndërmëndje, riardhje në ato përjetime, të cilat u bënë çaste shkrepëtitëse në hovet fillimore për të krijuar botën tonë, botën e çiltërsisë dhe pafajsisë, shpengimit dhe dlirësisë. Mëkimi i një shpirti përfytyrimesh magjepsëse që Andersen na mëkoi , më shumë se një kolovitje në krahët e gjumit, ishte një predikim që diti të shenjtëronte shpirtin e përkorë të fëmijëve, të shpalonte në pamatësi botën e tyre imagjinare, të rrëmbente dhe miklonte ëndjen e tyre të dlirë dhe paqtimin e tyre engjëllor. Ai ishte zëri që zbriti deri thëllë në zemrat e shëlbyera prej mrekullimit të jetës, të shtangte ato sy të kthjellët e të trazonte me trillet ëmbëlake cohën e hollë ku strukej hutimi i tyre.

Më 2 prill 1805 erdhi në jetë Hans Christian Andersen, për t’u shuar më 4 gusht 1875 në moshën 70-vjeçare. Fëmija i një babai këpucar dhe nënës analfabete, punonjëse pastrimi, nuk ishte dhe aq e andshme. Por varfëria nuk e ndali lindjen e një ylli në këtë sentiment që nisi të gatuhej duke dëgjuar histori dhe rrëfenja të ndryshme nga të  moshuarat në një azil vendas, i cili i shërbente njerëzve me probleme mendore. Ai ishte kaq i vëmendshëm dhe i ndiqte ma kaq interes ndërsa ata flisnin për të shkuarën e tyre. Ky fëmij kureshtar, tek i cili ne mundemi të gjejmë copëza të asaj të shkuare, ndërsa koteshim duke ndjekur kuvendimet e prindërve. Është pikërisht ky tipar, e cila do ta rrëmbente Andersenin për ta përfshirë në një botë, që do të na rrëmbente duke na mrekulluar atëditë e sot.

Hans Christian Andersen që kur ishte ende i njomë, një afri me librin dhe leximin do të shënonte gurthemelin më të rëndë të shtatimit të kësaj përmendoreje, para të cilës në përulemi si para një altari. Antersen iu desh të punonte si shegert, të mbante mbi supet e tij të njoma barrën e familjes, kjo ngase i ati e braktisi shumë shpejt. Në moshën 14 vjeçare u nis për në Kopenhagen ku nisi të punonte si aktor në teatër. Asokohe ai shquhej për vokalin e tij. Krijimtaria do të vinte më pas. Tregimi “Një udhëtim në këmbë nga kanali i Holmen deri në anën lindore të Amagerit” i shkruar më 1829 ishte shkrepëtima e parë e suksesit për Andersenin. Në të njëjtën stinë botoi një shfaqje komike dhe një përmbledhje poemash. Më pas solli në jetë “Anjeta dhe Mermani”. Më 1833 vizitoi Italinë. Romani i tij i parë me titull “Parashikuesi” u botua më 1835 dhe pati sukses të madh. Në vitin 1835 Andersen botoi përrallat e tij të pavdekshme, të cilat janë përkthyer në më shumë se 125 gjuhë dhe ngulitur në vetëdijen kolektive të Perëndimit, lehtësisht të arritshme për fëmijët, por duke paraqitur mësimet e virtytit dhe elasticitetit për lexuesit e pjekur.

Anderseni ishte një shkrimtar me hambare të përplotura e larushitëse, ai shkroi kujtime udhëtimesh, novela dhe poezi. Por në kryerendje ai do të mbamendet për shpërfaqjen e magjishme, endjen plot dinamizëm dhe pasion, plot temp dhe ngjyresa, ankth dhe befasi, të botës së zanave dhe shtojzavalleve. Ajo që e bën unik këtë personalitet është se krijimtaria e Andersenit, bota imagjinare që e endi me kaq pasion e përkushtim, nuk mund të ishte pronë vetëm e fëmijëve, në krahët e këtij përfytyrimi, këtyre shpengimeve e trilleve bukurane do të magjepseshin edhe të rriturit.

Përrallat e tij janë krijimet më të bukura e më të lexuara të letërsisë botërore për fëmijë në shekullin XIX. Ato janë përkthyer e botuar në më shumë se 100 gjuhë. Në njërën nga këto përralla gjejmë një sintezë të shkëlqyer alegorike të jetës së tij: Na ishte njëherë një rosak i vogël, i shëmtuar e i ndryshëm nga të tjerët. Të gjithë e shanin dhe e përbuznin, prandaj dhe ai e ndiente veten aq fatkeq. Dhe kështu vazhdoi gjersa një ditë prej ditësh, befas e kuptoi se qe bërë mjellmë e bukur. Anderseni lindi në një qytet të vogël të Danimarkës, në Odensë, që ndodhet në ishullin Fyn, në familjen e një këpucari të varfër. E ëma, rrobalarëse. Shkollën thuajse nuk e ndoqi fare. Qe djalë i çuditshëm, aspak i pashëm, i cili ëndërronte e lexonte shumë. I vdes i ati duke e lënë familjen në gjendje të varfër ekonomikisht. Djali lë shkollën e zë punë në një fabrikë stofrash. Në moshën 14-vjeçare largohet e shkon në Kopenhagen. Provoi në qytetin e madh të futej si aktor në balet, në kor, por kudo provincialin e nxorën të paaftë. Mësoi vjersha përmendësh dhe i recitonte nëpër kafene, në rrugë. Në moshën 16-vjeçare paraqiti një tragjedi; nuk ia pranuan. Atëherë hyn në punë si zdrukthëtar. Por në Kopenhagen ai u njoh me Jonas Collins, drejtor i Teatrit Mbretëror, miqësinë e të cilit e ruajti gjatë gjithë jetës. Me ndihmën e tij fiton bursë studimi e hyn në klasën e dytë gjimnaz. Nxënësit 12-vjeçarë të klasës talleshin me djaloshin 18-vjeçar. Mbaroi gjimnazin “shkëlqyeshëm” dhe përsëri me ndihmën e Collinist hyri në universitet. Mori titullin shkencor “Kandidat filozofie”.

Gjatë kohës së studimeve shkruante vodëvile, vjersha humoristike etj., që të jetonte .Më së fundi arriti të shfaqte dramën e tij të parë dhe iu duk se kishte prekur qiellin me dorë. Gjithë jetën ashtu mbeti: një fëmijë i madh që entuziazmohej lehtë, por që prekej ende më lehtë; madje edhe kur ishte në kulmin e famës, mjaftonin vërejtjet e ndonjë kritiku pa vlerë që Anderseni të vuante aq shumë. Shkroi një sërë veprash. Romani “Improvizator”(1835), i pari dhe më i suksesshmi nga gjashtë romanet autobiografike, e bëri të njohur edhe jashtë Danimarkës. Ishte historia e fatit të një poeti italian të dalë nga populli, tragjedia e artistit në shoqërinë ku marrëdhëniet njerëzore janë nën pushtetin e interesit dhe të paragjykimeve. Sapo fitoi honorarin e parë, Anderseni që tani s’ishte më “rosaku i shëmtuar”, po “mjellmë e bukur”, nisi të udhëtonte nëpër Evropë. Gjersa vdiq, ai s’pati një vend të përhershëm banimi, një shtëpi në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Asnjëherë s’u martua, por që vazhdimisht në lëvizje nga njëri vend në tjetrin. U njoh e pati miqësi me Balzakun, Dikensin, Dymanë, Hajnen, Vagnerin, Shumanin, Mendelsonin, Rosinin, Listin dhe, siç i pëlqente të shprehej, shkëlqimi i mendjes dhe i shpirtit të këtyre njerëzve të shquar e mbushte edhe atë plot forcë e freski. Shkroi shumë drama, romane, shënime udhëtimi, poezi. Por, siç thotë një kritik, nëse romani “Improvizatori” e bëri Andersenin të famshëm, ishin përrallat ato që e bënë të pavdekshëm. U deshën të kalonin 10 vjet që ai vetë ta kuptonte këtë. Përrallën si formë artistike ai e zbuloi thuajse rastësisht. I ndodhte shpesh të sajonte, të improvizonte histori të çuditshme e fantastike për t’ua treguar fëmijëve. Më pas, në kohën e lirë, i hidhte në letër si për t’u zbavitur, por ato e bënë të madh. Përrallat e tij (1835) – Botimi i tyre nisi më 1835. Tri vëllime: “Përralla për fëmijë” (1835 – 1837), “Përralla të reja” (1845 – 48) dhe “Histori” (1852- 53). Nga viti 1835 – 72 botoi gjithsej 168 përralla. Këto mund të ndahen me disa grupe: I. Përrallat e para, si “Çakamaku”, “Klau i madh dhe Klausi i vogël” etj., e kishin zanafillën te përrallat popullore, të dëgjuara qysh në fëmijëri. Por të tilla shkroi edhe më vonë (“Mjellmat e egra”, “Sirena e vogël” etj). Këto janë përralla romantike. II. Përrallat që janë krijime të mirëfillta, shpesh transkriptime ndodhish reale të jetës daneze (“Hdger Danezi” etj.) Nganjëherë, – thotë autori, – më duket sikur çdo lule e vogël më thotë; Vështromë vëtem për një çast dhe historia ime do të hyje te ti… ” Dhe me tutje: “Në fillim më vjen një ide për të rriturit dhe pastaj nis të rrëfej një histori për fëmijë, por pa harruar asnjëherë se edhe babai me nënën janë duke dëgjuar dhe se edhe atyre u duhet dhënë diçka për të menduar. Pra, përrallat më të mira të Andersenit, ku gjejmë moral, po kurrë moralizim, janë njëlloj interesante si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit. Fëmijët i tërheq subjekti, kurse të rriturit domethënia, mendimi që fshihet thellë në to. III. Përralla të jetuara në jetën e autorit ( “Rosaku i vogël i shëmtuar”, “Bredhi” etj.). IV. Ekziston një nëngrup tjetër i vogël përrallash me motive të huajtura nga burimet letrare, si p.sh. “Rrobat e reja të mbretit”, për të cilën ka shfrytëzuar një burim të tillë Spanja. Por edhe ato mund të konsiderohen si krijime origjinale të mjeshtrit danez. Ç’gjë i bën përrallat e Andersenit të zënë një vend nderi në mes të krijimeve me të mira botërore? Anderseni nuk ishte një mbledhës i përrallave, si vëllezërit Grimm, as një përrallëtar i tipit romantik, që e krijonte përrallën si shmangie nga realiteti. Ai i ngrinte përrallat e tij mbi realitetin ekzistues. Në të jepen sinteza të anëve më thelbësore të kohës së vet. Siç thotë një studiues i tij, ai i kishte këmbët të mbështetura fort në truallin e Danimarkës, edhe atëherë kur koka i dilte sipër, mbi re. Veçori artistike të përrallave të tij:

1. Uniteti i ngushtë i dy planeve të narracionit: atij fantastik (alegorik) dhe atij real. Në vitet ’50 te Anderseni u thellua karakteri realist i artit. Përralla, sipas tij, duhet të sjellë edhe kënaqësi, edhe dobi. Thelbi i saj përmblidhet jo në fjalët, por në domethënien e brendshme të fshehur.

2. Natyra është mjet i personifikimit, i tipareve të shoqërisë së kohës së tij. Gjithë ata që e patën njohur Andersenin, vënë në dukje se ai gjer në fund të jetës mbeti një fëmijë i madh, ruajti atë shikimin e freskët fëminor të botës, të natyrës. Natyra zë vend të rëndësishëm pothuajse në të gjitha përrallat e tij. Ajo është gjithnjë në sfond, shoqëron heronjtë, ndikon mbi ta, amplifikon botën e tyre të brendshme, bëmat e tyre.

3. Nën maskën e sendeve apo të kafshëve arrihet një efekt i madh satirik e ironizues. Dhe satira e tij është mjaft e guximshme. Çdo send, – thoshte ai, – duhet ta quajmë me emrin e vërtetë; dhe në qoftë se kjo është e rrezikshme në jetë, atëherë ajo duhet bëre së paku në përrallë. Tek Anderseni kemi artistin demokrat në evoluim të vazhdueshëm. Në fillim kritikoi prapambetjen feudale, por besonte te monarku i mirë. Lëvizjet e medha shoqërore në Danimarkë dhe fitorja e kapitalizmit e bënë atë që të evoluonte. Në periudhën e parë, pra, kritikonte feudalizmin aristokratik (“Rrobat e reja të mbretit”, “Princesha mbi bizele”), kurse më pas kritika e tij përfshin edhe borgjezinë (“Hija”). Anderseni ishte poet i të varfërve, paçka se edhe mbretërit e quanin për nder të shtrëngonin dorën e tij të thatë, siç thotë një nga shkrimtarët e shumtë të dashuruar pas tij. /Albert Vataj /KultPlus.com

Të ngjajshme