11 Qershor, 2025 - 3:43 pm
Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, është hapur Panairi i Librit në Prishtinë, e që për këtë vit do të prezantohet numër i madh I titujve të rinj, por edhe tituj të botuar më herët.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli ka thënë se ky Panair ka shërbyer gjithnjë si dritarja kryesore e leximit në Kosovë.
“Libri vijon të jetë porta magjike më e ndier e më e lirë për njeriun”, ka thënë Zeneli.
Në edicionin e 25 të kësaj feste të librit me fjalë rasti është paraqitë shkrimtarja Alda Bardhyli, e cila ka vlerësuar se tema e këtij edicioni “Inteligjenca rrjedh nga libri”, është më shumë se një shprehje. “Ajo është një e vërtetë themelore që na kujton se, para se të flisnim për inteligjencë artificiale, për teknologji, për algoritme apo makina që mësojnë njeriun, njeriu vetë mësoi të mendojë thellë përmes librit”, ka vlerësuar Bardhyli.
Ndërkohë, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës Sibel Halimi, e cila poashtu është edhe poete ka vlerësuar se ky panair është një rikthim tek burimi më njerëzor i dijes dhe i urtësisë: libri. “Libri si dëshmi e pyetjeve tona më të thella, si udhërrëfyes në rrugën e vetëkuptimit” ka vlerësuar ajo.
Mijëra qytetarë pritet të bëhen pjesë e panairit i cili zgjat nga 11 deri më 15 qershor, për të eksploruar dhe blerë tituj librash të ndryshëm, nga historia, filozofia, letërsia, librat motivues, librat për fëmijë e të tjerë.
Panairi shihet nga lexuesit edhe si një ofertë e mirë financiare, për arsye se, shtëpitë botuese zbresin çmimet e librave për së paku 20 për qind e më së shumti deri në 80 për qind.
Në panairin i cili po mbahet në Prishtinë, mbizotërojnë librat e huaj të përkthyer në shqip nga anglishtja, gjermanishtja, turqishtja, arabishtja dhe gjuhët tjera.
Llogaritet që në panair po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Përvjetorët që shënohen në Panairin e 25-të të librit janë: 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës dhe 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.
Ndërkohë në këtë edicion pritet të ketë edhe promovime të titujve të shumtë të librave nga Shtëpitë Botuese qe po marrin pjesë në këtë edicion./ KultPlus.com