Hebrenjtë në tokën e Izraelit

8 Tetor, 2023 - 3:00 pm

Yehuda Amichai

Kemi harruar krejt nga vijmë. Emrat tanë hebraikë të mërgimit na shpërfaqin sakaq fryte e harlisje, qytete mesjetare, metale e kalorës të ngurosur, bashkë me trëndafila të shumtë, tise të venitura, gurë të çmuar, të kuqe pa fund, punë dore që më nuk gjenden askund (edhe duart e tilla janë zhdukur sidoqoftë).
Rrethprerja na shkakton, sikurse tregohet në rrëfenjën biblike të Shekemit dhe bijve të Jakovit, një dhembje që nuk na shqitet tërë jetën më tutje.

Çfarë jemi duke bërë ne vallë, teksa kthehemi mbrapsht me këtë dhembje?
Malli ynë është përtharë bashkë me kënetat, shkretëtirat tonë harlisen, ndërsa fëmijët tanë janë kaq të bukur.
Edhe mbeturinat e anijeve që ishin mbytur gjatë lundrimit, këto brigje i patën arritur, edhe erërat gjithaq. Megjithëse jo tërë velat e tyre.

Çfarë bëjmë ne vallë, në këtë tokë të mugët, me hijet e saj të verdha që sytë t’i verbojnë?
(Akoma sot e kësaj dite, edhe pas dyzet a pesëdhjetë vitesh, dikush vijon të thotë: “Dielli po më dërrmon!)

Çfarë bëjmë ne vallë me këto shpirtra të mjegullta, me këta emra, me këta sytë tanë pyjesh, me fëmijët tanë të bukur, me gjakun tonë të rrëmbyer?

Gjaku i derdhur nuk është rrënjë pemësh, megjithëse është sidoqoftë gjëja më e afërt me rrënjët që kemi ne.

Përktheu: Elvi Sidheri / KultPlus.com

Të ngjajshme