Helmi brenda nesh dhe mësimi i dashurisë

9 Shtator, 2025 - 10:06 am

Ka rrëfime popullore që, edhe pse të thjeshta në shtratin e tyre, bartin një thellësi që prek zemrën dhe e trondit mendjen. Një prej tyre është historia e vajzës që, e lodhur nga grindjet e pafundme në martesë, shkoi tek e ëma për të kërkuar një zgjidhje të dëshpëruar: “Dua ta vras burrin tim. Nuk e duroj më. Por kam frikë se mos më arrestojnë. Mund të më ndihmosh?”.

Nëna, e urtë dhe e pjekur, nuk u habit. Përkundrazi, i dha një zgjidhje të çuditshme: i dha një qese me pluhur dhe i tha se ishte helm i ngadalshëm. Por para se ta përdorte, i vuri një kusht: vajza duhej të ndryshonte sjelljen e saj ndaj burrit. Duhej të bëhej e dashur, e duruar, mirënjohëse, e kujdesshme. Duhej të hiqte dorë nga egoizmi dhe pakënaqësia, për të krijuar një imazh të mirë, në mënyrë që askush të mos dyshonte.

Dhe vajza kështu bëri. Ditë pas dite, ajo u bë më e butë, më e dashur, më e kujdesshme. Dhe burri, duke marrë këtë ngrohtësi të re, nisi të ndryshonte edhe vetë. Grindjet u zbehën, zemërimi u shua, dhe në vend të tyre erdhën respekti, afërsia, dashuria. Pas dy muajsh, vajza, tashmë e penduar dhe e mbushur me ndjenja të reja, shkoi tek e ëma: “Nuk dua më ta vras burrin tim. Tani e dua, ai është bërë njeri tjetër. Si mund ta ndaloj veprimin e helmit?”.

E ëma e përqafoi dhe me një buzëqeshje të urtë i tha: “Mos ki frikë, bija ime. Ajo që të dhashë nuk ishte helm, por thjesht miell. Helmi i vërtetë ishte brenda teje: urrejtja, pakënaqësia, mllefi. Ti po helmoje veten. Kur ndryshove, kur nise ta shohësh dhe ta trajtosh me dashuri, u ndryshua edhe ai. Ky është sekreti i martesës: ajo lulëzon vetëm nëse ushqehet me kujdes, mirëkuptim dhe dashuri. Nëse e ushqejmë me helm, ajo shuhet ngadalë”.

Ky tregim i thjeshtë na kujton një të vërtetë themelore: marrëdhëniet nuk ndryshojnë kur presim që tjetri të ndryshojë, por kur fillojmë të ndryshojmë ne. Helmi nuk është jashtë nesh, por brenda nesh. Është mënyra si shohim, si reagojmë, si flasim dhe si jetojmë me tjetrin që përcakton frymën e marrëdhënies.

Në një kohë ku martesat shpesh duken të brishta, ku njerëzit lodhen shpejt nga njëri-tjetri dhe ku dashuria shpesh ngatërrohet me kërkesa dhe pritshmëri egoiste, ky rrëfim është një thirrje për t’u kthyer tek rrënjët e thjeshta: durimi, kujdesi, mirënjohja, dhe mbi të gjitha dashuria e përditshme që shprehet në gjeste të vogla.

Sepse martesa nuk është një kontratë e ftohtë që duhet përmbushur, por një kopsht që duhet ujitur. Nëse e lëmë të thahet nga pakënaqësia dhe zemërimi, do të vyshket. Por nëse e ushqejmë me dritën e mirëkuptimit, do të lulëzojë.

Në fund, të gjithë njerëzit mbartin brenda tyre të mirën. Ajo që e zbulon ose e fsheh këtë të mirë është mënyra si ne sillemi me ta. Jepi dashuri, dhe dashuria do të kthehet tek ty. Jep helm, dhe helmi do të gërryejë shpirtin tënd.

Ky është mësimi i nënës së urtë: helmi nuk ishte në pluhur, helmi ishte në zemër. Dhe antidoti ishte dashuria.

Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

Të ngjajshme