Historia e pabesueshme e Albumit të Aushvicit

27 Janar, 2023 - 11:22 am

Albumi i Aushvicit, një koleksion fotografish të marra nga nazistët në kampin e shfarosjes të Aushvic-Birkenaut, u botua edhe në frëngjisht, i shoqëruar me shpjegime të përzgjedhura nga historianët që e kanë shqyrtuar atë.

“Albumi i Aushvicit: si i fotografuan nazistët krimet e tyre” është një libër i francezit Tal Bruttmann dhe gjermanëve Stefan Hordler dhe Christoph Kreutzmuller.

Botimi gjerman i librit doli në vitin 2019. Në frëngjisht ai është përkthyer nga Olivier Mannoni, gjithashtu përkthyes i librit të Hitlerit “Mein Kampf”.

Botimi i librit programor të Adolf Hitlerit, në vitet 1924-1925, dhe më pas nga ”Fayard” në vitin 2021 në frëngjisht, pas versionit gjerman në 2016, kishte treguar se si veprimet e nazistëve mund të shndërroheshin në një mbështetje për historinë e funksionimit gjenocidal të nazizmit.

Albumi u bë në vitin 1944 nga dy fotografë esesë.

Edhe historianët nisin nga e njëjta ambicie, nga ajo për të zbërthyer atë që fillimisht synonte të lartësonte projektin nacionalsocialist për Evropën.

“Këto janë imazhe, një objekt krejtësisht i ndryshëm nga teksti. Dhe ndërsa ‘Mein Kampf’ është komentuar gjerësisht, askush para nesh nuk i ka parë këto fotografi. Në përgjithësi, analiza e fotove rrallëherë integrohet në punën e historianëve”, tha Tal Bruttmann.

– Fotot e famshme –

Në rastin e Aushvic-Birkenaut, një kamp shfarosjeje i vendosur në Poloninë Jugore, ku u vranë 1,1 milionë njerëz, esesët dokumentonin punën e pritjes së të dëbuarve hebrenj nga Hungaria.

Zyrtarisht, bëhej fjalë për lëvizjen e popullatave të cilësuara si të padëshirueshme dhe për përzgjedhjen e individëve të aftë për të punuar.

Në fakt, fotografët e dinin që po fiksonin momentet e fundit të të dënuarve në dhomat e gazit.

Sipas historianit “këto foto janë të famshme. Po të kërkosh imazhe të Aushvicit, i has. Ato janë në dokumentarë, në libra, në të gjithë muzetë që flasin për Holokaustin. Ato kanë vaditur kulturën popullore”.

”Por, nëse i keni parë veç e veç, ndoshta nuk e dini se ato vijnë nga ky album me 197 foto të bëra nga esesët. Kjo është ajo që kemi gjetur”, shton Tal Bruttmann.

– Nga Aushvici në Miami –

Avokati dhe historiani i dëbimeve, Serge Klarsfeld kishte sqaruar historinë e këtij albumi pas zbulimit të tij.

E marrë nga pronari i saj i parë, një gjerman, në kampin Dora, albumi u gjet rastësisht nga një e dëbuar 19-vjeçare, Lili Jacob, në komodinën e një dhome të ish-esesit.

Ajo në foto sheh shumë njerëz që ka njohur, përfshirë edhe prindërit e saj. Ajo e merr albumin dhe e ruan edhe gjatë emigrimit në Miami, pas luftës.

Serge Klarsfeld do ta gjente Lilin dhe do ta bindte që ta linte trashëgim albumin, në memorialin ”Yad Vashem” në Jerusalem.

”Për këtë u deshën 35 vjet (…) 40 vjet ishin ende të nevojshme që ky libër-album të jepte një përgjigje për shumicën e pyetjeve që mbetën pa përgjigje”, thotë Klarsfeld.

Ajo që tre historianët, të cilët kombinojnë “fusha shumë të ndryshme ekspertize”, hedhin dritë janë kushtet e këtyre fotove dhe ato që na mësojnë për Aushvicin.

”Ka shumë për të mësuar”, nënvizon Tal Bruttmann.

”Ndërsa maskojnë procesin e vrasjes, fotot pasqyrojnë përpjekjen për të fiksuar procesin e mbërritjes (…) si një zinxhir vlerash të vendosura mirë”, përmbledhin autorët në përfundim./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme