26 Qershor, 2025 - 3:11 pm
Sapo ka dalë nga shtypi libri më i ri i poetit dhe studiuesit Kujtim M. Shala, me titullin alternativ “Fizika naive”, i cili është një libër poetik. “Fizika naive” ka katër cikle poetike, të cilat lidhen për nga forma poetike dhe për nga tematike, të titulluara: “Treguesi i emrave”, “Fizika naive”, “Shpikja e vuajtjes” dhe “Skica”, tipare që “Fizika naive” e bëjnë një vepër poetike të strukturuar.
“Fizika naive” prek raportet mes njeriut dhe historisë, trupit dhe pushtetit, kujtesës dhe gjuhës, me një stil poetik që sjell reflektime filozofike. Ciklet e tij ndërthurin ngjarjet e mëdha me përditshmërinë, mitin me jetën, të kaluarën me traumën kolektive. “Fizika naive” na ofron një mënyrë për ta parë botën nga një kënd tjetër, ku brishtësia njerëzore bëhet e dukshme përballë forcave të kohës, por edhe një thirrje për të mbajtur gjallë kujtesën dhe imagjinatën.
Rikujtojmë se Kujtim M. Shala është poet, studiues letrar, profesor i letërsisë shqipe, i teorisë letrare dhe i filozofisë së letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka fituar çmime për poezi dhe për studime letrare.
Librin e tij më të ri, “Fizika naive”, e ka botuar Shtëpia Botuese “Dukagjini” dhe është libri i 53-të me radhë i tij.
PLOJA
Në ditën e parë të prillit kur po zhbëhej errësira
mjegull e zezë e hollë si napat e zakonshme
ikte ngadalë fushës së gjerë
të gjithë po flinin katundi ishte mbuluar nga bora
një trill i vjetër sa tregimet më të vjetra
i marsit me shkurtin
ditët që marsi i zemëruar mori hua shkurtit
si paratë e pista dhe ngriu plakat kokëforta
ato ditë tani i kishte prilli i vënë në zonën e pranverës
përherë shoqëruar nga erërat e fundit të dimrit
u afruan ngadalë hije të mërishme
kishin maska i kishin grabitur nga dramat e lashta
çdo gjë që bënin ishte e vërtetë
përpos maskave
armë zjarri të gjata thika me tehe sharre
nuk trokitën shkallmuan dyert bërë me dërrasa
të lyera sa për të mos u dukur druri
bojë e trashë mbi natyrën e përpunuar ashpër
dhomat i mbushën me gaz
qëlluan pa shikuar fare
rafalë të gjatë
klithma tmerri pastaj qetësi e përjetshme
jashtë së cilës krismat vazhdonin
trupat e burrave i gjymtuan
fëmijëve ua prenë duart degë të njoma pa gjethe
gratë i shikonin me lakminë e kafshës
që nuk e dallon trupin nga kërma
askush nuk i pa
në mbrëmje ikën
ngelën vetëm qentë pa zot
një hap bënin dhe largoheshin të frikësuar
derisa u afrua njeriu i parë
gjeti disa maska hedhur në dheun e lagur
iu duken si maskat në librat e ilustruar të teatrit të vjetër
plojë mbi trupat përzier me gjymtyrët e prera
të fëmijëve që kishin parë yjtë e bardhë
i vranë në shtegun më të ngushtë të Gjithësisë
djajtë me maska kafshësh
(“Fizika naive”, ff. 15-16)/ KultPlus.com