“Kam mendue që pos mjeshtër i biçikletave mund të bëhesha edhe mjeshtër baballarësh”

19 Shtator, 2020 - 7:58 pm

Egzon Kryeziu

Është e çuditshme por andrra jem e fminisë ka qenë me u bë mjeshtër i bicikletave!

Në garazhin e shpisë, mblidhja rrota, goma, disqe, drita fosfori, sirena…gjithçka që gjeja.

Mbase kam pasë pjesë për tri biçikleta, por ama s’kisha një të atillë; të plotë, që mund ta ngisja.

Mbas shkolle nisesha për hekurishte, nëse s’gjeja gjë; qaja. Nëse gjeja; prap qaja. Ndaj dhe kam andrru me qenë mjeshtër biçikletash- veç të mos t’kem më lotë syve.

Shokut tem- babai i tij i kishte ble biçikletë. Ai kishte edhe biçikletë edhe baba.

Më vie të qesh por me të vërtetë kam mendue që pos mjeshtër i biçikletave mund të bëhesha edhe mjeshtër baballarësh.

Të ndërtoja një të atillë; një baba për vete.

Muret e garazhit ishin me tulla argjile; të kuqe. Kush e di sa herë kam shkrue n’ato mure.

Një biçikletë ka njëzeteshtatë pjesë, një baba mund të kishte më pak; dy duar, dy krahë, dy këmbë, dy sy, dy vesh, dy shputa, një hundë, një gojë- pra, andrroja të ndërtoja një baba gjashtëmbëdhjetë pjesësh për vete.

Një baba që pastaj mund të më blinte një biçiklete.

Kur e mendoj, qesh. Kur e mendoj më thellë, qaj.

Tani po qesh.

Muret e garazhit ishin me tulla argjile; të kuqe. Kush e di sa herë kam shkrue n’ato mure.

Pastaj njoha dikë të verbër, njëherë një të shurdhër, pash’ edhe njerëz pa këmbë e pa duar, njerëz që kishin gojë por që nuk flisnin.

Tek atëherë nisa të kuptoj që një baba gjashtëmbëdhjetë pjesësh nuk qe e vështire ta ndërtoja. E çuditshme por njëmend veç atëherë e pata kuptue që shpirti është pjesa thelbësore e gjithckaje.

Në hekurishte nuk mund të gjeja një të atillë- një shpirt për babain tem.

Kam kërkuar me vite, mos e provoni ju Jetimët.

Muret e garazhit ishin me tulla argjile; të kuqe. Kush e di sa herë kam shkrue n’ato mure.

…deri kur mësova që shpirti nuk vdes dhe nuk mund të gjesh një të atillë qosheve.

Unë ndërtova biçikletën.

E kam ende. Atë e ngisja tokës, rrugicave të lagjes. Në qiell vështirë të ngjitesha, nuk ngjitem ende.

Muret e garazhit ishin me tulla argjile; të kuqe. Kush e di sa herë kam shkrue n’ato mure.

Në fillim vizatoja babain gjashtëmbëdhjetë pjesësh, pastaj e reduktova me një pikë.

Kur e kuptova thelbësisht shpirtin, fshiva gjithë vizatimet në murin me tulla të kuqe.

Mbase ai ishte në qiell …është ende.

Me siguri më shihte tek ngisja biçikletën për herë të parë, unë biçikletën e ngisja natën- veç të më shihte më kthjellët.

Gjunjët i kisha varrë. Kush e di sa herë jam rrëzuar.

Tani qaj, jo për gjunjët, por të më shohë babai jem.

Unë qaj natën, të më sheh më kthjellët.

Gjunjët i kisha varrë. Kush e di sa herë jam rrëzuar.

Jam rrëzuar për TË- për BABAIN TEM./ KultPlus.com

Të ngjajshme