Karl Marksi dhe shqiptarët

8 Maj, 2022 - 4:00 pm

Tregim nga Binak Kelmendi 

Karl Marksi krehu mjekrën me duar dhe hyri në shpellën mbi tokë. Një hije dielli përthyhej mbi nëngur dhe një rreze reje fshehu erën që gromësinte me kollë mbi qiell.

Karl Marksi vuri syzet mbi hundë dhe mbylli sytë për të parë më qartë në qerpikët që i thernin faqen plot djersë. Nga muret e larta të shpellës binin pika të rënda uji që kërcitnin frikësueshëm në errësirën mbi gurë dhe bënin të kruheshin vetullat e tij të trasha si të ariut prej nga rrëzoheshin një nga një qimet në nënfytyrë.

Asgjë nuk shihej, gjithçka dëgjohej.

Pastaj Karl Marksi futi thonjtë e gishtërinjve në flokët e gjatë zi e bardhë dhe nisi të shkruante çdo gjë, ashtu, kot së koti fare, për majmunët, për njerëzit, për merimangat, për minjtë, mizat, gjarprinjtë, punën…

Një morr, një midhje dhe një gaforre lëvizën para, pas dhe përfundi ballit që bëri të rrudhej nga gërvishja, thimthimi, djersët dhe pikat e gjakut me pagjumësinë që zgjatej në natën e pafund të Karl Marksit, të cilën kishte vendosur ta shpiente larg, shumë larg vetes, krejtësisht dikund tjetër.

Ai u ndal të pyetej: Ku? Ku?

Karl Marksi menjëherë kroi kokën dhe fill e vuri gishtin në tëmth. Nuk dinte dot ku gjendej. Pastaj  ai hapi hartën e grisur dhe vërejti poshtë: një flakë e kuqe mbërtheu Ballkanin dhe zhurma zërash e klithmash e krismash e kërcënimesh mbushën malet e tij me njerëz pa brekë në bythë e pa mend në kokë.

Karl Marksi qeshi dhe nxori lapsin t’u shkruante edhe një letër Engelsit dhe Leninit.

Ballkanasit, të përgjakur deri në brez, duartokitën.

Karl Marski dhe Fridrih Engelsi ua bënë me dorë.

Vladimir Iliq Lenini hoqi kapelën nga koka tullace dhe e tundi në ajri. Mjekra  e rruar me kujdes iu dridh nga gëzimi.

Një grumbull i zi sorrash fluturoi sipri dhe glasoi mbi duart që ende rrihnin shuplaka mu sikur flatrat e sorrave që lypnin vende të reja në verra, në shelgje, në dushk…mbi kulme të shtëpive dhe mu në oxhaqe të tyre.

Karl Marksi krehu mjekrën me gishtërinj dhe hyri në shpellën mbi tokë duke qeshur dhe duke shkelur synë.

Shqiptarët kishin vënë shatat mbi krahë dhe mbi tokë. Fushat i bënin male dhe malet i bënin fusha. Detet i bënin liqene dhe liqenet i bënin lumenj…

Uji shterej dhe shqiptarëve ua lagte bythën. Gjerdhe të reja zinin livadhet, shëkmbinjtë e tyre.

Ata shikonin dhe fërkonin sytë. / KultPlus.com

Të ngjajshme