Kërkime të pareshtura drejt përsosjes së poezisë

25 Prill, 2020 - 9:17 pm

Nga Kujtim Morina

Mbi librin me poezi ‘Imgur” (2019) të poetit Skënder Buçpapaj

Poezinë e Skënder Buçpapaj apo ndonjë tregim të tij i kisha lexuar në vitet 88-89 kur ka qenë redaktor tek gazeta Drita. Edhe më vonë kam lexuar ndonje poezi apo cikël me poezi por jo ndonjë libër të tij. Më bëri përshtypje një cikël i poetit botuar para mëse një viti dhe gjeta librin e fundit të tij “Imgur” (2019).

Poezia e Skënder Buçpapajt është një kërkim i pafund i poezisë prej një poeti të talentuar. Kërkime të formës dhe të përmbajtjes, moskënaqje me një gjetje duke synuar tjetrën, shtrirje të imagjinatës në kohë e hapësirë, tek vetja dhe tek bota, tek e dëgjuara dhe e padëgjuara, tek e dukshmja dhe e padukshmja, tek e ndjera dhe kërkimi i ndjesisë që fshihet tek çdo gjallesë, tek çdo qenie. Mendoj se me librin “Imgur” poeti ka arritur një kulm të krijimtarisë së tij. Kjo vjen natyrisht pas tre librave të fundit të tij “Frikë nga Atdheu” (2009), “Vetëm të vdekurit pendohen” (2015) dhe “Jubileu i shiut të çmendur” (2017) pra katër libra me poezi në një periudhë 10 vjeçare. Zaten, kur e kanë quajtur “zogu i bjeshkës” referuar librit të tij të parë në fillim te viteve 70, ka qenë me domethënie sepse ai sillte aromën e freskët të bjeshkës dhe të Alpeve shqiptare në atë kohë.

Për poetin Skënder Buçpapaj, zeja e poezisë nuk është asfare e lehtë, do qëmtuar në mënyrë të pareshtur e me mprehtesi në veçanësitë e bukurive të natyrës, në detajet më të imëta për t’i përqasur pastaj me imagjinatën e tij që nuk e teprojmë po të themi shumë herë të shfrenuar, për t’i ngritur në art në lojën e tij me fjalën, në latimin pa fund të saj derisa të mbetet ai tambël zogu që ia vlen t’ia paraqesësh lexuesit. “Dashuritë nuk perëndojnë kurrë si ti apo si unë, më tha dielli/ dashuritë vetëm ndërrojnë qiell” thotë poeti në poezinë “Dashuria jonë perëndoi prapa cilit mal?” Mendoj se kësaj poezie do t’i shkonte shprehja e Robert Frost, “poezia vjen si një ngecje në fyt, një mall për shtëpinë apo për dashurinë. Ajo është një hapje drejt të të shprehurit, një përpjekje për të gjetur përmbushje. Një poezi e plotë është ajo ku emocioni ka gjetur mendimin dhe mendimi ka gjetur fjalët”

Autori shkruan kryesisht në varg të lirë megjithëse ka poezi edhe me rimë, mbase për ta peshuar më shumë fjalën dhe vargun, për të rrokur tejskajshmëritë e tij por edhe duke ngërthyer të trupëzuara në të figurat letrare të personifikimit, rezonancës, përsëritjes, aliteracionit, enumeracionit e antitezës. Po kujtojmë disa vargje nga poezia “I sapodalë nga ëndrra e saj”: “i sapodalë nga ëndrra e saj/ terr i bardhë jam, blinduar bukur në dritë të verbër/ blinduar zi me dritë verbuese rrezesh pazane/ rrezesh pakumte/ nga një diell shurdh, nga një hënë shurdhuese ia var asaj në çdo qerpik”.Kështu e ndërton poezinë poeti në një hulli ndërthurjesh të pamjeve të ndryshme, të mysëta, konvekse, të kryqëzuara me njera-tjetren, reflektuese të disa objekteve, në kontrast e në ndërveprim me njëra-tjetrën, në një shumëllojshmëri figurash si bimët dhe ngjyrat e natyrës. Por aq sa e shtrin fushëpamjen e frymëzimit poetik apo hapërimin në hapësirë e në kohë, po kaq tregohet i kujdesshëm të mos humbë vëmendjen e lexuesit, duke i dhënë të kuptojë se kaq sa ka përfshirë, në mos edhe më shumë është lënë jashtë për tu nënkuptuar që lexuesi ta shtojë vetë, të vijojë në shtigje të saponisura apo të hapë edhe shtigje të reja frymëzuar nga leximi I kësaj poezie.

Poeti shumë herë përdor vargun e gjatë duke e asociuar poezinë e tij me Uollt Uitman apo Allen Ginsberg por e shpëtojnë gjetjet e njëpasnjëshme poetike, këndet dhe shpërfaqjet ku e pret figurën apo objektin e poezisë duke na zbuluar pamje të reja të pahasura më parë. Enumeracionet që përdor shumë herë jane si rruaza me ngjyra të ndryshme që zgjojnë kërshëri të veçante secila. Ky është një bashkëbisedim i poetit me botën, me veten, me natyrën, me qiellin, me tokën, me bjeshkën, me gurin ku veçohet poezia “Ngujim në Gur”. Ka aty një ndërthurje të unit poetik, të hapësirës së kozmosit,të lëndës së poezisë që mund të jetë guri i vendlindjes së poetit, i pashqitshëm, i fortë, solid, dinjitoz në komunikim me botën përreth. 

Nga përvoja e gjatë si poet, besoj se me këtë libër poeti ka gjetur të mesmen e përpjesshme apo të mesmen e artë mes lirisë së të shprehurit dhe vargut të kursyer, mes vargut te lirë dhe ritmit të brendshem dhe kadencës së vargut që di ku të ndalet për të filluar një vallëzim tjetër me vargun në poezinë pasuese. “Shikimet e syve të mi por jo shikimet e mia,” thotë poeti në një titull poezie të cilën e vijon me “drita shikimesh pa ndezur, drita shikimesh pa shkimur, drita shikimesh pa prushur, drita shikimesh pa shuar nuk kanë lënë me shikimet e tyre. Të shikimeve të mia janë. Por të syve të mi nuk janë. Të miat nuk janë”. Duket se në sinoret e nënvetëdijes, poeti përmes pranëvënies së të kundërtave që janë në natyrën e njeriut përpiqet që të depërtojë sa më thellë në unin e tij, të njohë sa më mirë vetveten siç thoshte Sokrati se vetëm kështu arrihet tek poezia e mirë. Ai e shtrydh të gjithë vizionin e imagjinatës së tij si  frutat që ka shijuar në fëmijëri duke na dhënë vetëm mushtin e tyre, më të veçantën e së veçantës.

Në përfundim do të thoja se ky është një shkrim më shumë përshëndetës për librin më të fundit të poetit Skënder Buçpapaj. Për poezinë e tij kanë shkruar shumë poetë si Sulejman Mato, Besnik Mustafaj, Arbër Ahmetaj, Vasil Tabaku, Xhahid Bushati etj duke iu referuar librave të tij të dekadës së fundit. “Kam ndërtuar shumë ura në Veri,” thotë poeti në një varg dhe këto ura besoj do t’i qëndrojnë kohës ashtu si poeti që vazhdon në kërkime të pareshtura drejt përsosjes së poezisë së tij. Gjithashtu vlen të theksohet se libri është botuar nga shtëpia botuese ‘Onufri”, një botim luksoz që ke qejf ta mbash në dorë dhe ta shikosh. /KultPlus.com



Të ngjajshme