Kritikë e poezisë ‘Kur vdiq baba’ nga Arbër Selmani

30 Mars, 2021 - 4:29 pm

“Kur vdiq baba” poezi e Arbër Selmanit

(Lexim subjektiv)

Sabit B. Bajraktari

Poezia personale e Arbër Selmanit, “Kur vdiq baba” është aq prekëse, aq e arrirë dhe veçantë në llojin e saj. Lidhshmëria prind-fëmijë, këtu përshkruhet me aq dashuri e që rrallë mund ta gjesh një rrëfim kaq prekës. Poezia me melodinë e saj të rrëmben dretjëpërdrejtë në shpirtë, dhe të bënë për vete që në leximin e parë.

Thjeshtësia artistike, në këtë rast është mjeshtëri në vete. Emocionet e derdhura përmes fjalëve dhe vargjeve të kësaj poezie të kapin për shpirti dhe bëhesh pjesë e saj me aq dëshirë dhe vullnet. Poezia bëhet e jotja bëhesh Ti, i vuajturi, bëhesh fëmija, poeti, i lumturi, i bekuari, ëndërrimtari, jeta, vdekja dhe vet Baba. Me stilin e saj brilant, kjo poezi s’të lëshon nga kurthet e saja të ëmbëla artistike që ta lësh në harresë pa e lexuar sërish dhe sërish. Bota e lirikut dhe bota rreth tij, pas ikjes së Babes marrin një ngjyrë dhe formë tjetër, një jetë që pothuajse s’mund ta përshkruash me asgjë të atillë siç ishte atëherë kur endej nëpër shtëpi, rrugë e jetë në të gjallë të babes.

Kjo botë është e lidhur aq ngusht mes babes dhe fëmijës, e që shpesh ajo afri mes tyre duket e pakëputshme, e pandashme dhe vështirë është që ta pranosh një ndarje të tillë. Ku gjysma e shpirtit (Baba) ikën në përjetësi dhe gjysma tjetër (Poeti-Arbëri) mbetet rrugëve të këtij universi në kërkim të asaj gjysme e cila i jepte kuptim jetës në përgjithësi, i jepte kuptim ditës, anëtarëve të familjes, pazarit të mëngjesit, këmishave, mirësisë, një përralle, zënkave, lumturisë, të bukures, dashurisë dhe vet ekzistencës. Arbër Selmani përmes kësaj dhuntie letrare na shpie deri atje ku edhe na rrëfen:

“U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrën,
Për ta parë vdekjen time
Për të harruar se trupi po vdiste po të njëjtën ditë.”

Sepse vdekja e një anëtari të familjes, në këtë rast Babes është gjysmë vdekje e vet shpirtit tonë, është ikje e grimcave që na krijuan dhe na kan bërë ata që tani jemi, ashtu si jemi, me të mirat dhe jo të mirat tona.

Thjeshtësia artistike e kësaj poezie tregon se me sa dashuri, pasion e mjeshtri është shkruar një vepër e tillë. Ritmi i poezisë gjithashtu të futë në kurthet e saja magjike dhe të ngre herë në qiell me bukurinë e saj dhe herave tjera të rrëmben brenda vetes, brenda botës që pothuajse e ke harruar. Në botën e kujtimeve të cilën s’duhet ta harrojmë, edhe pse shpesh na mbështjellë me melankoli e vërteta dhe realiteti, na bënë të mendojmë dhe ta shohim botën më ndryshe. Realiteti i ri na shtynë të jetojmë me kujtimet dhe grimcat e jetës që e shijojmë, herë ëmbëlsinë e saj që na lumturon, dhe jo rrallë edhe idhtësinë e saj e cila troket në portën e shpirtit pa e ftuar fare.

Lexojeni këtu poezinë ‘Kur vdiq baba’, nga Arbër Selmani.

(27 mars 2021, Sirmione-Itali)

Të ngjajshme