“Kur dashuria bëhet poezi”, ndërthurja kulturore Shqipëri-Itali

9 Tetor, 2018 - 10:20 am

Çdo gjë është gati për koncertin e sotëm mbështetur nga Bashkia Sarandë “Kur dashuria bëhet poezi”, me protagonist tenorin e mirënjohur shqiptar Kastriot Tusha.

Për herë të parë në skenën e Kinoteatrit “Butrinti” të Sarandës, do të performojë sopranoja sarandiote, rezidente në Itali, Luljeta Strefi, nën prezantimin e Drejtorit Artistik, italianit Giuseppe Palumbo dhe Era Metallës.

Në koncert do të interpretohen një larmi këngësh të njohura të muzikës shqiptare, mes tyre këngë të pavdekshme, të shkruara nga Dritëro Agolli, gjithashtu do të kujtohet e madhja e këngës shqiptare, Vaçe Zela me dy këngë shumë të njohura shqiptare dhe këngë italiane si Cocciante, Lara Fabian, Mia Marini, Giorgia, Carruso e të tjerë tinguj shumë të dashur të muzikës napolitane.

Koncerti ka në mision integrimin dhe ndërthurjen e dy kulturave shumë të ngjashme, që kanë dy popuj të ndodhur në brigje përballë njëri-tjetrit.

Publiku do shijojë tingujt e dy vendeve fqinje nën shoqërinë e njëri-tjetrit sot në orën 18:00 në skenën e Kinoteatrit “Butrinti” të Sarandës, shkruan ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme