Legjenda e misrit

12 Mars, 2020 - 6:00 pm

Nga: Migjeni

Misër! Misër!

Lajmi se do të shpërndahet misri doli nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt e thella deri te gjymtyrët e mpita të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s’kanë me çka ta mbajnë frymën.

Si thneglat që mblidhen rreth një korës misri, q’ashtu në një qendër nënprefekture janë mbledhur malësorët rreth depos së misrit
… Nëpër luginat e maleve përshkohet malësori vetëm me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat, për me arritë në qendrën e nënprefekturës, për me marrë misër. Kraharori i tij asht një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë. Përpara depos së misrit bjerr cilsin’ karakteristike të vetën, dhe bahet frikacak, pse, – mendon ai – nj’ashtu e don ligji, nëpunësi; përndryshe s’ka misër. “Si urdhnon zotni” përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani, me gjeste majmuni – vetëm e vetëm mos me zgjue mninë e engjujvet që ndaj në misër.

Dhe kur e marrin misrin, nisen njeni mbas tjetrit gjatë udhës së malit të ngushtë dhe të jetës.. Ushtojnë luginat e malevet nga fjalët e malësorvet t’unshëm, që varg, njeni mbas tjetrit, ecin të ngarkuem me ka një gjysmë thesi misër. Vargu i tyne asht i gjatë pa fund, si asht e gjatë e pa fund vuejtja e tyne. Mbi kurriz të vet barin ka një gjysmë thesi misër, barin jetën e vet, barin perëndin’. Perëndi e vërtetë-misër i dëshiruem.
Ndodh që njërit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit, shoku nga mbrapa, pa i pa, i shkel; i treti shok as një as dy, – por ia hedh mallkimin e pamëshirëshëm: “Mos shkel, he të shitoftë zana!”
Se shekulli i njëzetë asht shekulli i apoteozës së misrit ndër folet e shqipeve. /KultPlus.com

Të ngjajshme