Lehtësia e qenies në romanin e Milan Kunderës

13 Nëntor, 2019 - 11:45 pm

“Romani i tij na provon se si në jetë gjithçka zgjedhim dhe vlerësojmë si të lehtë nuk vonon të na zbulojë peshën e saj të padiskutueshme, ndoshta vetëm gjallëria dhe lëvizshmëria e inteligjencës e kapërcejnë këtë dënim: cilësia me të cilën është shkruar romani, që i përket një universi tjetër nga ai i jetës” (Italo Calvino).

Kështu e vlerëson Italo Calvino romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies” të prozatorit çek Milan Kundera, ardhur së fundmi në shqip nën logon e “Dituria”, përkthyer cilësisht nga Saverina Pasho.

Kjo vepër rikthen fokusin në stilin autentik të Kunderas, ashtu si në “Librin e të qeshurit dhe të harruarit” (1980): ku lexuesi përballet me një kolazh të pasazheve narrative, hera-herës spekulative, duke kombinuar doza të fuqishme të erotikës, politikës dhe metafizikës.

Substrakti filozofik gjen zhvillim të plotë këtë herë dhe lëvrin me zhdërvjelltësinë e një anekdote, duke kapërcyer nga një nocion në tjetrin, si një shtazë me gjymtyrë të shkathëta.

Temat e mëdha marrin në shqyrtim nevojën për ekzistencë, rrënimin social dhe entitetin e padukshëm që lidh pazgjidhshmërisht seksin me vdekjen.

Romani, që zhvillohet në Pragë në vitet rrotull 1968, përshkruan jetën e artistëve dhe intelektualëve çekosllovakë në periudhën midis Pranverës së Pragës dhe pushtimit të mëvonshëm nga Bashkimi Sovjetik.

Historia fokusohet në grupin e njohur si “Kuarteti i Kundera”-s, i përbërë nga Tomasi (një kirurg i njohur dhe i suksesshëm, i cili në një moment humbet punën e tij, për një artikull mbi Edipin Mbret, i cili për shkak të një analogjie që e lidhte tragjedinë me regjimin, rezulton tejet kritik ndaj komunistëve çekë), bashkëjetuesja e tij Tereza (fotografe), dashnorja e tij Sabina (një piktore) dhe nga një tjetër dashnor i Sabinës, Franci (një profesor universiteti). Fatet e këtyre personazheve janë të ndërlidhura deri në fund.

Tomasi ka dy interesa primare: puna dhe gratë. Ai bie në dashuri me Terezën, por nuk heq dorë nga dashnoret e tij, dhe kjo e bën Terezën jashtëzakonisht xheloze, por për shkak të dobësisë së saj, gruaja nuk arrin të rebelohet dhe i mban vuajtjet e saj për veten, duke pretenduar të mos dyshojë tradhtinë e Tomasit.

Sabina është një idealiste e pandreqshme. Ajo do të ketë një histori të shkurtër me Francin, me të cilin do të bjerë në dashuri pa shpresë, por, pa guximin të krijojë një marrëdhënie serioze, ai do ta shpëtojë duke e lënë atë vetëm, pa as edhe një fjalë lamtumire. Franci do ta ketë gjithnjë ndërmend Sabinën, çka në një farë mënyre do të shndërrohet në parathënie të vdekjes së tij të trishtë.

“Lehtësia e padurueshme e qenies” rrëfen skenat e jetës së përditshme të gjurmuara nga një busull me orientim të thellë transcendental, ku padobishmëria e ekzistencës dhe nevoja për rikthim te filozofia e Niçes duket një konkluzion i pashmangshëm, nëpërmjet të cilit gjithçka përsëritet përjetësisht:

“Njeriu kurrë nuk e di se çfarë duhet të dojë, sepse ai jeton vetëm një jetë dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta krahasuar atë me jetën e tij të mëparshme ose për ta ndryshuar atë në jetën e tij të vonshme”. /KultPlus.com

Të ngjajshme