Letra e Lisen Bashkurtit kundër Kadaresë

22 Maj, 2019 - 6:37 pm

I. Kadare iu përgjigj në mënyrë të poshtër akuzave të Perëndimit se gjoja si shkrimtar oborri në Shqipëri, duke shkuar pikërisht në oborrin e Perëndimit.

I. Kadare, siç duket, ishte një nga gjeneralët që priti bota perëndimore dhe organizatorët e 2 korrikut. Ai, siç nuk do të dëshironim, kapitulloi para veprimtarisë armiqësore e presioneve që mund t’i jenë bërë. Të mendosh se veprimi i tij lidhet me interesa të larta kombëtare, thuajse është e pabesueshme. Historia, në të vërtetë po na mëson se ka edhe ndonjë krijues që ëndërron të jetë edhe burrë shteti, si për shembull Haveli, i cili është vetëm një kukull e Perëndimit që ka fituar popullaritet më tepër të rremë. Po ashtu, në këto halle të mëdha të kombit, ndër më të privilegjuarit nga inteligjenca ishte pikërisht

I. Kadareja, ndaj nuk justifikohet gjithsesi veprimi i tij.

I. Kadare e tregoi, siç edhe pati dhënë shenja, se është egoist i rrallë. Habitemi, u shprehën mjaft të rinj, se si mund ta bënte këtë veprim

I. Kadareja, sepse deri tani ka qenë nacionalist i shfaqur dhe i njohur në opinion, përmes tërë veprës së tij.

I. Kadareja u ngrit kundër jetës së vet dhe një pjese të madhe të veprës së tij. Është e rëndë braktisja e vendit në situatë kyçe, po akoma më e rëndë braktisja e vetes.

Veprimi i fundit i I. Kadaresë trazoi ndërgjegjen e një kombi. Qëndrimi ndaj tij lypset të jetë i kujdesshëm, i matur dhe korrekt. Në qëndrimin ndaj problemit Kadare, është e mira të ndahet jeta e tij e derisotme nga akti i fundit i shëmtuar; të ndahet vepra e tij letrare e konfirmuar nga pozicioni politik i gabuar. E gjykojmë se po të njehsohen këto aspekte kontradiktore të Kadaresë në mendimin e qëndrimin tonë, jo vetëm s’do të ishim realistë e korrektë, por edhe do të binim në grackën e reaksionit.

Nëse për ne ky është rast pa precedent, për botën është i zakonshëm. Realizmi, korrektësia e toleranca e kapërcen këtë rast me më pak probleme. Pastaj, e gjykojmë se duhen parë edhe mendimet e veprimet e tij të mëtejshme. Si të thuash, ai vetë do të vazhdojë të bëjë autoportretin, nga do të përcaktohen marrëdhëniet e tij politike me ne. Lajmi për të mund të jepej më shpejt, qysh në ato të orës 10:00 të mbrëmjes. E themi këtë që të evitohen thashethemet. Është në natyrën e njerëzve tanë që s’mund të rrinë dot pa folur, s’rrojnë dot pa lajme. Kur ka lajm e informacion në kohë, ndihen më të qetë. Në të kundërt, thashethemet s’kanë të sosur. Nuk është mirë t’i mësojmë gjërat më parë nga “Zëri i Amerikës”.

Me “Ftesë në studio” I.K. e dha sinjalin për tundimin e tij, ku parashtronte mënyrat dhe frikën se si një shkrimtar i sotëm mund të vritet nga Parisi. Me këtë libër duket sikur le testamentin e tij të shkëputjes nga Shqipëria. Diçka reale e shqetëson I. K. që bëri këtë veprim, të cilin mund ta dënonte vetë ai po të ish nga të tjerë.

A është e vërtetë se I.K. ka pas korrespodencë me shokun Ramiz Alia, i ka bëtë një letër Atij, andaj është në Francë? “Zëri i Amerikës” dëgjohet sistematikisht dhe besohet nga një pjesë e madhe njerëzish. Në kontakte që patëm vërenim se afroheshin shumë disa lajme. Ka opinione brenda vendit që, ose duan ta zhdukin pa nishan veprën e Ismailit për hir të këtij akti politik, sikundër ka të tjerë që e përligjin edhe këtë akt të shëmtuar.

Këto qëndrime ekstreme duhen goditur me një pozicion disi zyrtar, sepse pritet nga të gjithë. Por ka shumë zëra, edhe në njerëz me peshë, që akuzojnë “javashllëkun tonë”, “përdorimin e dy gjuhëve, një për brenda dhe një për jashtë”, “forcat konservatore që janë më të rrezikshme sepse kanë pushtet, ato do na shpien në Rumani”, “demokratizimi s’është real, po sabotohet” etj.

Aktualisht shoqëria jonë është vënë para hallesh të papara ndonjëherë, përpara një lufte të vërtetë. Këto halle shtypi e propaganda duhet t’i japin më realisht, sepse ka një rrumbullakosje të papranueshme, sidomos nga “Zëri i Popullit”, që po shpie në abandonimin e këtij organi qendror për masat, inteligjencia dhe rinia. Projektligji është një ndryshim i dukshëm në tërë procedurën e zgjedhjeve të deputetëve; ai krijon premisa që demokracia të jetë më e gjerë, që forcat intelektuale të kontribuojnë më shumë për zhvillimin e vendit e që rrjedhimisht të bëhen më pak gabime.

A nuk do të ish më mirë që organizata e rinisë, po edhe organizatat e tjera shoqërore të kenë status juridik e kushtetues krejtësisht të barabartë me PPSH? A do qe më mirë që roli i Partisë të mos sigurohet me Kushtetutë, por nga aftësia e programi i saj? A nuk fillon Partia te centralizimi i gjithçkaje? A duhet ndarë Partia nga shteti; nga ekonomia, nga organet e diktaturës që do të duhej t’i drejtonte Shteti juridik dhe Kryetari i Shtetit? A duhet të jetë me të vërtetë figurë e parë Presidenti që përfaqëson popullin dhe ligjin e, për rrjedhojë, a duhet të ketë ai kompetenca shumë më të mëdha se ç’i afrojnë organizatat e veçanta politike?

A duhet të pranojmë në Kushtetutë ideologjinë e vetme sunduese ose pluralizmin, apo më mirë të mos përmendet asnjëra? Këto pyetje ziejnë kudo dhe prandaj duan zgjidhje urgjente, që mund ta ndërmarrë vetëm Partia dhe askush më tej. Tek inteligjenca e rinia ka bindje të patundur te shoku Ramiz Alia dhe mbështetje unanime, siç kërkohet prej tyre ritëm më i shpejtë e i pandërprerë.

Disa kuadro, madje shumë të rëndësishëm, janë transferuar me punë në rrethe të tjera e, megjithatë, nuk i kanë lëshuar vilat në Tiranë. Kjo bie erë të keqe. Pse ndodh kjo? Si po shkon vendimi i Këshillit të Ministrisë për ngushtimin e privilegjeve, që është marrë në muajin gusht? Është fitore që në komunikatën e përbashkët të Ministrave të Ballkanit propozimet më kryesore gjetën miratim të plotë. Studentët e vitit IV të IL Arteve thanë se nuk i njihnin lajmet e shtypit. Kanë vetëm një gazetë për dy godina dhe asnjë altoparlant. Metodistët e rinj, që janë marrë për kohën e lirë dhe edukimin, janë kthyer në kujdestarë të dytë për higjienën e rreckat.

Urgjentisht metodistët duhet të kenë programin e tyre ku në plan të parë të vihet informimi gojor i studentëve për çështjet më kryesore. Organeve shtetërore që i mbulojnë u është bërë prezent shqetësimi, por nuk kanë vënë ujë në zjarr. Duan më shumë kujdestare sesa instruktore. Si do të vejë çështja e Kosovës pas kësaj mbledhjeje të nivelit të lartë? Shumë mirë e ka pritur opinioni ngritjen e problemi të Kosovës nga shoku Ramiz para Lonçarit. Po mbledhim me kujdes edhe opinione, mendime, pyetje e paqartësi të tjera për t’ju njoftuar sërish.

SEKRETARI PARË I KQ TË BRPSH

LISIEN BASHKURTI ( më 29. 10. 1990)/KultPlus.com

Të ngjajshme