займ на карту онлайн потребительский кредит

Letra e Pirajes për shkrimtarin turk Nazim Hikmet

Tetor 23, 2017 - 7:45 pm

Ndër letrat e bukura të dashurisë, renditen dhe letrat e Pirajes gruas së poetit dhe shkrimtarit të njohur turk Nazim Hikmet. Më poshtë ne po botojmë një letër të shqipëruar nga Rozana Belli. Hikmet është një ndër shkrimtarët më të njohur turq. Deri në vitin 1965 veprat e tij ishin të ndaluara në Turqi.

Ato botoheshin vetëm jashtë vendit e shpërndaheshin nën dorë. Për shkak të problemeve brenda Turqisë në vitet 1950-63 jeton kryesisht në Moskë. Mbas kritikes së hapur drejtuar Stalinit në Kongresin e shkrimtarëve sovjetike survejohet nga KGB-ja. Nazım Hikmeti mbylli sytë përgjithmonë në Moskë. Ai është botuar në shqip dhe para viteve 90-të.

Letra:

Nazimi im,

Mos u mërzit. Kur ti mërzitesh atje, ne këtu vuajmë edhe më shumë.
Ti e di, unë kam një zakon të bukur, përballë çdo fatkeqësie thyej një gur. Kështu bëj dhe ti, nuk fiton asgjë duke u mërzitur. Mos mendo për ne, merrem unë me gjithçka. Jam unë mbi kokën e fëmijëve. Apo s’ke besim tek unë? Mos u mërzit. Të kam nisur libra, lexoji dhe përpiqu të kalosh kohën. Kur nervozohesh shumë më kujto mua, sepse kur ti mërzitesh unë e ndjej, sëmurem.

Merr një fletore, shkruaj kujtimet e tua, ato që ndjen çdo ditë. Jam e sigurt që do jenë po aq të bukura sa letrat e tua.

S’më ke mërzitur kurrë deri tani, mos mendo gjëra të këqia si këto.
Unë s’e di nëse fytyra ime mund të buzëqeshë por di që pranë teje kam qenë gruaja më fatlume e botës dhe e tillë do mbetem.

Duhet të jetë e marrë një grua që edhe pas dhjetë vjetësh merr ende letra dashurie nga i shoqi në burg dhe nuk ndihet me fat. Ti më ke dhëne vitet e tua më të bukura, ke shkruar për mua poezitë më të bukura të dashurisë, shkrimet e tua më të fuqishme i ke shkruar pranë meje, në të gjitha veprat e tua është një copëz e imja.

Edhe disa vijëza mbi fytyrën tënde a s’janë bërë prej meje Nazim?
Më ngjan se ti dhe unë jemi një njeri i vetëm, kur ti qan dua të qaj, kur ti buzëqesh dua të buzëqesh edhe unë.

Për mua je i pafajshëm. Më dha frymë letra jote. Tani le të presim të lumtur dhe pa mërzi ditën që do të dalësh. Të bëjmë durim, patjetër që një ditë ata do ta shohin të mjaftueshëm dënimin tënd.

Fëmijët dhe të shtëpisë të kanë shkruar letra, po t’i nis. Nga gazeta “Lajmi” mora pesëmbëdhjetë lira. Pagova borxhin e Vedatit. Kam para. Mos ki merak.

Të puth sytë, duart.

Piraje

Po të nis dhjetë lira bashkë me këpucē.

Të ngjajshme